2014-10-24 20:06:48

Devocioni i vërtetë ndaj Marisë


Në muajin e Rruzares, shfletojmë veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, ndërsa po vjen fundit i muajit të Rruzares. Pasi shpjegoi si nuk duhet nderuar Zoja, shenjti na shpjegon sot si është nderimi i vërtetë për Nënën e Krishtit.
105. Pasi i tregova e edhe i dënova devocionet e rreme ndaj Virgjërës së shenjtë, duhet treguar shkurtimisht edhe cili është devocioni i vërtetë ndaj saj, që mund të jetë: 1. shpirtëror, 2. i butë, 3. i shenjtë, 4. i paluhatshëm, 5. i pa interes.

106. Në radhë të parë, devocioni i shenjtë ndaj Zojës së Bekuar është shpirtëror, pjesë e shpirtit dhe e zemrës, vjen nga nderimi për Virgjërën e shenjtë, nga vlerësimi që për madhështitë e saj e dashurinë që sjell.

107. Në radhë të dytë, është i butë, domethënë përplot me besim në Virgjërën e shenjtë, ashtu si besimi i fëmijës në nënën e tij të mirë. E bën shpirtin të vrapojë tek ajo për të gjitha nevojat trupore e shpirtërore, me shumë thjeshtësi, besim, butësi; të kërkojë ndihmë nga nëna e tij e mirë në çdo çast, në çdo vend e në çdo gjë: në dyshime, për t’u shndritur; në gabime, për t’u qortuar; në tundime, për të gjetur mbështetje; në ligështi, për t’u përforcuar; në rrëzime, për t’u ngritur përsëri në këmbë; në çkurajime, për të marrë zemër; në skrupuj, për t’u çliruar; në kryqe, në mundime, në vështirësi të jetës, për t’u ngushëlluar. Së fundi, në të gjitha të këqijat e sëmundjet trupore dhe shpirtërore, ngarend tek Maria, pa frikë se po e shqetëson këtë Nënë të mirë, ose se po i shkakton pakënaqësi Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.