2014-10-23 16:55:23

Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor 1880): një mësim i çmuar historie


Më 24 tetor 1880 përfundonte punimet Kuvendi i Dibrës, që filloi më 20 tetor 1880, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve, të ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve, shoqëruar nga 5 mijë burra të armatosur. Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit. Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave radikale dhe të moderuara. Ndërmjet delegatëve ishin Ali Pashë Gucia, Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj.
Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme.
Lidhur me çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e Gjirokastrës, për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për formimin e qeverisë së përkohshme.
Ashtu siç parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij.
Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë së përkohshme, kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë. Si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta. Njëra, e ndërtuar sipas platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota. Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një Ejalet të Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Ejaleti i Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar.
Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre. Të dyja rezolutat u dërguan veç e veç në Stamboll. Për çështjen e qeverisë së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. E kujtojmë sot këtë ngjarje të largët, sepse ishte një mësim i çmuar historie, të cilin shqiptarët nuk mundën e nuk deshën ta nxënë.







All the contents on this site are copyrighted ©.