2014-10-23 14:36:00

Devocioni i vërtetë ndaj Marisë: të devotshmit e paqëndrueshëm


Dalëngadalë, veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, të cilën po e shfletojmë këto ditë, po i vjen fundi. Kujtojmë se është një nga shkrimet më të rëndësishme për përshpirtërinë ndaj Zojës së Bekuar, bazë për shumë tekste të tjera. Sot, do t’ju flasim për të devotshmit e paqëndrueshëm.

101. Të devotshmit e paqëndrueshëm janë të devotshëm të përkohshëm, sipas tekave të tyre: herë janë të zjarrtë, herë të akullt, herë duken të gatshëm për të bërë gjithçka në shërbim të saj, e pak më vonë nuk janë më ata që ishin. Një herë i rrokin të gjitha devocionet ndaj Zojës së Bekuar: shkruhen në të gjitha bashkëvëllazëritë, e pastaj nuk i jetojnë besnikërisht rregullat; ndërrojnë si hëna e Maria i vë nën thembër të saj, si hënën, sepse janë të paqëndrueshëm e të padenjë për t’u numëruar ndërmjet atyre shërbëtorëve të kësaj Virgjëre besnike, që dallohen për besnikëri e qëndrueshmëri. Është shumë më mirë të mos ngarkohesh me lutje e praktika devocioni, të bësh pak, por me dashuri e besnikëri, pa marrë parasysh botën, djallin e korpin.

102. Ka edhe të devotshëm të tjerë të rremë të Zojës së Bekuar, të devoçëm hipokritë, që i mbulojnë mëkatet e zakonet e tyre të këqija nën mantelin e kësaj Virgjëre besnike, për t’u dukur çka nuk janë para syve të njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.