2014-10-22 16:49:02

Para 52 vjetësh, kriza e Kubës. Impenjimi për paqen i Gjonit XXIII


Këto ditë bie 52-vjetori i krizës së Kubës, një nga çastet më dramatike të shekullit XX, kur bota u rrezikua të përfshihej në Luftën III Botërore. Ai, që u impenjua pa pushim për të zgjidhur krizën bërthamore ndërmjet Moskës e Uashingtonit ishte Papa Gjoni XIII, ideatori i Koncilit II të Vatikanit, hapja e të cilit përkujtohet po sivjet. Ati i Shenjtë u dërgoi një letër presidentit amerikan Kenedi dhe atij rus Hrushov, si edhe bëri një thirrje të fuqishme nga mikrofoni i Radio Vatikanit. Nga kriza e Kubës, lindi frymëzimi për Enciklikën “Pacem in Terris”, të cilën i Lumi Ronkali e nënshkroi në prill 1963. Por cilat ishin ngjarjet, që shkaktuan fillimin e krizës?
Ishte 22 tetori i vitit 1962. Presidenti amerikan, Xhon F. Kenedi, i flet kombit përmes televizionit. Lajmi ishte dramatik: anije sovjetike ishin nisur në drejtim të Kubës për të armatosur bombat atomike të vendosura në ishullin karaibik, vetëm pak kilometra nga brigjet e SHBA-ve. Në të vërtetë, kriza i ka fillesat më 15 tetor, pasi një avion spiun amerikan zbuloi praninë e bombave në Kubë. Ishin ditë tensioni tepër të lartë, bota dukej se po zhytej në humnerën e konfliktit bërthamor. Nga njëra anë, presidenti amerikan bllokoi krejtësisht ishullin, si të ishte në karantinë; nga ana tjetër, lideri sovjetik Hrushov dukej se nuk kishte ndërmend të kthehej mbrapsht. Në këtë gjendje, Papa Gjoni XXIII ndërhyri me të gjithë forcën e tij morale e shpirtërore. Madje, qe vetë Kenedi, që i kërkoi Atit të Shenjtë të shërbente si urë me Kremlinin, siç kujton historiani italian Agostino Xhovanjoli:
“Presidenti amerikan Kenedi mendonte se një thirrje e Papës mund ta zhbllokonte gjendjen. Natyrisht, Papa Gjoni XXIII u prek shumë nga kjo kërkesë: e ndjeu përgjegjësinë që kishte dhe veproi përmes një mesazhi, një ftese publike për paqen. Pas saj, kriza u zgjidh”.
Ai mesazh u lexua me pasion nga mikrofoni i Radio Vatikanit. Një thirrje e fuqishme, që preku ndërgjegjen e miliona njerëzve, pa dallim feje:
“Paqe! Paqe! Po jua përsërisim sot këtë lutje solemne. Ne u përgjërohemi të gjithë qeveritarëve të mos e bëjnë veshin shurdh para kësaj britme të njerëzimit. Le të bëjnë gjithçka që munden, me pushtetin që kanë, për të shpëtuar paqen. Do t’i kursejnë kështu botës tmerret e një lufte, pasojat e së cilës nuk mund të parashikohen”.
Kriza e Kubës përkoi tragjikisht me hapjen e Koncilit II Kishtar të Vatikanit. E gjithë bota i kishte sytë nga Roma e nga Vatikani; e gjithë bota admironte forcën, me të cilën Papa Gjoni XXIII donte të përtërinte Kishën Katolike. Ja çka tha prof. Xhovanjoli: “Në zemrën e në mësimet e Gjonit XXIII, Koncili dhe paqja ishin dy tema të lidhura shumë ngushtë. Nëse kujtojmë të famshmin “Fjalim për Hënën”, shqiptuar në mbrëmjen e 11 tetorit 1962, në të ndihet emocioni i Papës para një ngjarjeje, e cila i dukej aq e madhe, për shkak të ndikimit të saj botëror, sa të krijonte risi edhe në planin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, pra, edhe në planin e paqes”.
Përvoja dramatike e krizës së Kubës e bindi edhe më shumë Papa Gjonin XXIII për urgjencën e impenjimit të të gjithë njerëzve vullnetmirë për paqen. Nga kjo vetëdije, në prill të vitit 1963, lindi Enciklika “Pacem in Terris”, gati një testament shpirtëror i të Shën Anxhelo Ronkalit, i cili do të ndërronte jetë vetëm pas dy muajsh:
“’Pacem in Terris’ është një dokument i jashtëzakonshëm, fryt i një pune mjaft të ndërlikuar. Vetë Papa ndërhyri personalisht në redaktimin e tij, pikërisht sepse ishte diçka e re, e vështirë për t’u shprehur, por Papa dëshironte të ishte e qartë për të gjithë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.