2014-10-22 15:20:06

Papa Françesku: zilia e shpërbën Kishën, dashuria e bashkon


Kisha është një bashkësi, që Krishti e do me “pasion” të jashtëzakonshëm, por nuk është e imunizuar nga zilitë e xhelozitë, që mund ta shkatërrojnë nëse anëtarët e saj nuk praktikojnë bamirësinë. Ky është thelbi i katekizmit të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, para mëse 40 mijë besimtarëve.RealAudioMP3
Shpirti Shenjt mund t’i japë frymë një trupi e ta bëjë të jetojë edhe nga një grumbull me eshtra të thara. Nga ana tjetër, xhelozitë e smira arrijnë ta shpërbëjnë indin e këtij trupi “kryevepër”, që s’është tjetër veçse Kisha, korpi i Krishtit. Papa Françesku vuri sot në dukje tiparin dallues të Kishës, që ai e konsideron si më të thellin e më të bukurin: të gjithë të krishterët janë të bashkuar në një Kishë të vetme falë Pagëzimit. Një mister, të cilin Papa e përvijon përmes vizionit biblik të profetit Ezekiel. Atij, Zoti i tregon një fushë me eshtra të braktisura, që bashkohen me mish e gjak falë frymës së Shpirtit Shenjt:
“Kjo është Kisha, është një kryevepër, kryevepër e Shpirtit Shenjt, i cili dikon në çdo njeri jetën e re të të Ringjallurit e na vendos njëri pranë tjetrit, njëri në shërbim e në mbështetje të tjetrit, duke na kthyer kështu në një trup të vetëm, ngjizur me bashkim e dashuri”.
Sa mirë do të ishte të kujtoheshim më shpesh se kush jemi, tha Ati i Shenjtë. Të kujtohemi çfarë ka bërë për ne Zoti Jezus:
“Jemi korpi i Tij, ai korp, të cilin askush e asgjë nuk mund ta shkëpusë prej Tij, të cilin Ai e mbulon me gjithë pasionin e me gjithë dashurinë e Tij, siç bën dhëndërri me nusen e vet. Por, ky mendim duhet të na zgjojë dëshirën për t’iu përgjigjur Jezusit Zot e për ta ndarë dashurinë e Tij mes nesh, si gjymtyrë të gjalla të vetë korpit të Tij”.
E megjithatë, vijoi Papa Françesku, fara e keqe e përçarjes mbin edhe në fushën ku lulëzon bashkimi i mirëfilltë. Ati i Shenjtë përmendi ata besimtarë, që ndezin gjaqe, në vend të fesë:
“Të mendojmë për bashkësitë e krishtera, për disa famulli, të mendojmë për lagjet tona. Sa ndarje, sa zili, si flitet, sa keqkuptime dhe mënjanime… E çfarë sjell kjo? Na shpërbën. Është fillimi i luftës. Lufta nuk fillon në fushën e betejës: lufta – luftrat - fillojnë në zemër, përmes keqkuptimeve, përçarjeve, zilive, në grindje me të tjerët”.
Zemra e xhelozit uthullohet; ai nuk është kurrë i lumtur e punon vetëm për ta shpërbërë bashkësinë, por, theksoi Papa Françesku, mund të dilet nga qoshja ku e ka shtyrë bashkësinë përçarja. Ati i Shenjtë e përshkroi këtë qëndrim, që e shpëton dhe e ruan unitetin e bashkësisë kishtare:
“Të vlerësojmë në bashkësitë tona dhuratat dhe cilësitë e të tjerëve, të vëllezërve tanë. E kur më vjen zili – sepse u vjen të gjithëve, jemi të gjithë mëkatarë – duhet t’i them Zotit: ‘Faleminderit o Zot, sepse i ke dhënë këtë apo atë, atij njeriu’. T’ua vlerësojmë cilësitë, t’u qëndrojmë afër e të marrim pjesë në vuajtjet e më të fundmëve e më nevojtarëve, t’u shprehim mirënjohje të gjithëve”.
Në fund, Papa Françesku u kërkoi sidomos të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve të bashkëpunojnë aktivisht me misionin e Kishës gjatë këtij muaji misionar të tetorit.







All the contents on this site are copyrighted ©.