Dom Lush Gjergji: Papa Pali VI u lumturua më 19 tetor 2014, ditën e lumturimit të
Nënë Terezës
Papa Pali VI (1897 – 1978) Giovanni Battista Montini u lind në Concesio (Brescia)
në vitin 1897, në një familje të mirë intelektuale katolike, besimtarë të angazhuar
në veprimet baritore të Kishës. U bë meshtar në vitin 1920. Më pas vazhdon studimet
dhe doktoron në filozofi, drejtësinë kishtare dhe atë civile. Pastaj ndoqi edhe disa
seminare në Akademinë Papnore për diplomat të Selisë së Shenjtë. Ishte intelektual
i dalluar, shumë i ngritur dhe mendimtar i thellë, kështu që tërë jetën punoi rreth
kulturës së përgjithshme njerëzore dhe asaj të krishterë. Dëshiroi t’i kushtohet
pastoralit famullitar, shërbimit të përvuajtur meshtarak, mirëpo planet e Zotit ishin
tjera. Gati menjëherë pas përfundimit të studimit qe dërguar në Poloni, në Varshavë,
në Nunciaturën Apostolike. Pas kësaj përvoje diplomatike qe ftuar në Sekretariatin
Shtetëror të Vatikanit. Në këtë punë askurrë nuk qe udhëheqës i ndonjë seksioni, por
meshtar i vërtetë dhe, sa herë që e kishte të mundur, është angazhuar me shumë gëzim
në pastoral, në veçanti me rini, në rrëfime, predikime, në takime me botën e thjeshtë
e të varfër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore i ndihmonte të mjeruarve, mori pjesë
në kërkimin e personave të zhdukur, të lajmeve dhe ndihmës për të gjithë, në shpëtimin
e të plagosurve dhe të rrezikuarve. Tashmë në Romë ishte familjarizuar mirë në punët
diplomatike dhe pastorale, gati në studimet e përhershme, ku kishte krijuar shumë
njohje dhe miqësi. Si njeri i mendimeve, studimit, leximit, brendësisë, kulturës,
përvujtërisë dhe thjeshtësisë, pakëz i mbyllur dhe përmbajtur në veti, shumë i sofistikuar,
i dashuruar në filozofi dhe teologji, krijoi rrethin e vet të miqve dhe të njohurve.
NJERI I KISHËS DHE KULTURËS
Atë Hämingu për te
thotë: “Ka pak njerëz të Kishës që kanë lexuar aq sa Pali VI”. Deri sa lexonte, ai
meditonte, nënvizonte shprehjet, mendimet, përmbajtjet e rëndësishme. Sipas dëshmisë
së kardinalit Sergjo Pigndollit ai kishte në duar katër vëllime dorëshkrimesh të ushtrimeve
të tija shpirtërore. Ishte shumë i dhënë pas jetës së përshpirtshme, në meshtari.
Pas përfundimit të punës ditore në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, thuajse gati
rregullisht, çdo mbrëmje lexonte, shkruante, përkthente, përgatiste predikimet, takimet,
u informonte në përgjithësi mbi ngjarjet në Kishë dhe në botë. Kishte njohuri të
mira në shumëçka, thuajse gati në gjithçka. Në dialogim me të tjerët dinte të dëgjonte,
të mësonte, të këshillonte. Mbi të gjitha përcolli jetën e Kishës në pjesë të ndryshme
të botës. Giovanni Battista Montini ishte njeri i „kulturës meditative“, siç thoshte
atë Dezza, dhe pikërisht për këtë si papë kishte dëshirën e përhershme për dialog
konstruktiv me kulturën bashkëkohore, me Kishat e ndara, me të gjitha religjionet
e botës. Mbi të gjitha ishte njeri i Zotit, apo siç thoshin disa miq të tij, “miku
i Zotit”, meshtar i vërtetë, i kushtuar Hyjit, Kishës, në të mirë dhe shërbim të gjithëve.
E donte thirrjen meshtarake dhe e jetoi besnikërisht, me përkushtim dhe gëzim të
plotë. Sipas bashkëpunëtorit dhe miku të tij të ngushtë; kard. Sergjo Pignedollit,
figura e papës Palit VI nuk mund të përshkruhet, sepse ishte jashtëzakonisht i pasur
shpirtërisht, jashtë çdo kornize dhe shembulli. E donte dhe nderonte çdo njeri dhe
me entuziazëm ishte interesuar për fatin e njeriut dhe njerëzimit. Kishte dëshirë
të thoshte se Kisha, të gjithë ne, duhet të jemi “ekspert në njerëzi!”. Shpeshherë
të tjerët nuk e kanë kuptuar sa duhet, ose e kanë keqkuptuar dhe interpretuar gabimisht.
Ai e ka bartë edhe atë kryq gati gjatë tërë jetës së tij, dhe nuk është mbrojtur,
arsyetuar…
NGA SEKRETARIA E SHTETIT - ARQIPESHKËV I MILANOS
Montini
ishte i befasuar, me emërimin për arqipeshkëv të Milanos, një ndër ipeshkvijtë e rëndësishme
të Italisë dhe të botës, në zemrën e industrisë dhe pasurisë së Italisë veriore. Shumëkush
ka menduar, ndoshta edhe ka thënë: “Diplomati Vatikanas – arqipeshkëv i Milanos!?”
Ai kurrë nuk aspiroi për lavd apo pozitë të lartë kishtare, mirëpo ishte njeri i përgatitur
për të zbatuar vullnetin e Hyjit, ishte i dëgjueshëm ndaj Kishës. Pranoi detyrën e
re si të rëndë, delikate dhe kërkuese, mirëpo njëkohësisht edhe si dërgim të madh,
duke llogaritur mbi të gjitha në ndihmën e Hyjit. Si arqipeshkëv së shpejti filloi
punën pastorale me stil të ri dhe kujdesin e veçantë për familje, punëtorë, për rini,
për njerëzit e kulturës, për “Aksionin Katolik”, për solidaritet me të varfër. Shpeshherë
e me kënaqësi vizitonte famullitë e qytetit të Milanos, periferinë, për të parë –
njoh – përjetuar personalisht kushtet e jetës, për t’u takuar me njeriun – besimtarin
konkret në mesin e tij të jetës dhe të punës. Bashkëpunëtorëve të vet iu thoshte:”
Bota është larg Zotit, Kishës. Për këtë është detyra e jonë t’ia afrojmë Zotit dhe
Kishës me shembullin tonë, me kujdesin tonë pastoral, me çiltërinë tonë ndaj të gjithëve.
Vetëm dashuria do të tregojë rrugën e vërtetë për të arritur deri te njeriu i sotëm,
pavarësisht se ku ai jeton, punon, mëson, deri te njeriu konkret…”. Shumëkush,
duke parë angazhimin e tij të gjithanshëm në veprimtaritë pastorale, në kërkim të
rrugëve dhe strategjive të reja të botës industriale dhe postindustriale, thoshin
se është “kthyer” “Schusteri i dytë ”, duke aluduar në paraardhësin e madh të Montinit,
një figurë e madhe dhe shenjtë e Kishës së Milanos. Kështjella themelore e kardinal
Giovanni Battiste Montinit, ishte dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit, apo, siç thoshte
ai: “dija për të dashur” për të “mos mbetur të përjashtuar dhe të vetmuar”. Me një
rast u foli miqve të tij në Milano mbi vuajtjen e vetmisë dhe të vetmuarit, që ndonjëherë
din të shndërrohet edhe në “momente ankthi”. Gjatë një bisede me Pignedollin në vitin
1962 ai tha: “Unë gjithë e më tepër po ndihem i vetmuar, gjithë e më tepër ndiej i
braktisur nga njerëzit, sepse këta miq (fliste për miqtë e tij të vdekur, vr. ime)
më ishin sikur urë.”
PALI VI – APOSTULLI I RI I BOTËS
Pas
vdekjes së papës Gjonit XXIII, në një konklavë mjaft të shkurtër qe zgjedh për Papë
kardinal Giovanni Battista Montini (21 mars 1963). Mori emrin Pali VI për t’i përngjarë
sa më tepër apostullit të madh të popujve, Shën Palit. Menjëherë pas zgjedhjes,
tha: “Pjesa më e mirë e pontifikatit tonë do të jetë kushtuar vazhdimit të Koncilit
të Dytë të Vatikanit, nga i cili të gjithë njerëzit vullnetmirë presin shumë… Paqja
nuk është vetëm mungesa e luftës, por jeta në drejtësi dhe në dashuri… Kujdesi ynë
pastoral do të jetë i drejtuar kah vazhdimi i veprës së madhe të paraardhësit tonë
të madh Gjonit XXIII – arritja e bashkimit.” Pali VI tentoi që me vazhdimin e
Koncilit në të gjitha mënyrat t’i shërbente Zotit, Kishës Katolike, gjitha Kishave
të krishtera, botës mbarë. Përmes veprimtarive të ndryshme baritore, enciklikave,
përmes takimeve dhe dëshmisë dëshironte të jetë, dhe ishte Urë – Urëndërtues – Pontifex
mes Zotit dhe njerëzve, mes Kishës – Kishave dhe botës. Shpeshherë ishte i lënë
pasdore, i braktisur, sulmuar, i përjashtuar, i keqkuptuar dhe keqinterpretuar…Me
dhimbje të madhe në zemër thoshte: “Ne shikojmë botën me simpati të madhe, mirëpo
fatkeqësisht, bota këtë nuk po e vëren.” Vuante për dashurinë ndaj të së vërtetës,
për njeriun, për Kishën, të cilën e deshi aq shumë me tërë qenien dhe afshin e vërtetë
të tij. Kisha është Nënë dhe Mësuese e të së Vërtetës së shpallur, e dhuruar jetës,
dashurisë të cilën duhet dhuruar të gjithëve, siç e shprehu Pali VI në enciklikën
“Ecclesiam suam”, duke i dhënë Kishës drejtim, program, lartësim shpirtëror, si model
njerëzor të cilin duhet kultivuar në dimensionet e gjithmbarshme dhe për të mirën
e të gjithë njerëzve. Pikërisht për këtë, shumëkush atë e ka definuar si “Papa i dialogut”.
DIALOGU SI DËRGIM
Për të pasur mundësi që të zhvillohej
sa më mirë ky dërgim i madh, i dialogut mes të krishterëve të përçarë dhe të ndarë,
si dhe mes feve të ndryshme në botën e sotme, në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme,
Papa Pali VI themeloi “Sekretariatin për Jobesimtarë”, “Sekretariatin për Bashkimin
e të Krishterëve”, si dhe “Justitia et Pax”, “Cor unum”, Sinodin Ipeshkëvnor, dhe
po ashtu zgjeroi edhe kolegjin e kardinajve. Ai udhëtoi thuajse në të gjitha pjesët
e botës, që të nxiste dhe përhapte dialogun, që ta bënte Kishën sa më të pranishme
në botë, që të “forconte vëllezërit në fe”. Dialogu përbëhet në promovimin e vetëdijes,
nderimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët kudo të jetë e mundur kjo, për të pasur
mundësinë që bashkërisht ta realizojmë një botë më të drejtë dhe më të mirë. Në
hapjen e pjesës së dytë të Koncilit tha: “Çka na përket neve, ne jemi të gatshëm për
faljen e çdo lloj gabimi apo lëndimi, por edhe të kërkojmë falje. Ati ynë qiellor
le ta pranojë në mirësinë e tij këtë deklarim dhe në mes nesh le të mbretërojë paqja
vëllazërore… Neve edhe më tutje do të punojmë për të dhënë shembull të mirë të jetës
dhe dashurisë së krishterë. Edhe nëse ngjarjet nuk do të mund t’i përgjigjen pritjeve
tona, ne do të ngushëllohemi me fjalët e Zotërisë: “s’ka gjë të pamundshme për Hyjin”
(Lk 1, 37). Për Dashurinë asgjë nuk është e pamundur. Për këtë Pali VI thoshte:
“Le të hapen kufijtë e dashurisë… Ne do t’i duam të gjithë me dashurinë e Zemrës së
Jezusit”. Në kërkim të paqes, të ballafaqimit me problemet e botës së sotme, në kërkim
të bashkimit mes të krishterëve dhe në dialog me të gjitha religjionet, ishte i palodhshëm.
Publikoi enciklikat: Ecclesiam suam, Mens maior, Mysterium fidei, Populorum progressio,
Sacerdotalis coelibatus, Humanae vitae, Evangelium muntiandi. Themeloi Ditën Ndërkombëtare
të Paqes, më 1 janar për çdo vit: ishte shumë i angazhuar rreth Vitit të Shenjtë
1975 me kremtime të ndryshme nacionale dhe ndërkombëtare. Dashuria për njeriun
konkret, për Kishën e Krishtit, ishte kontributi i tij i madh. Patriku Ekumenik Atenagora
I e përshkoi atë si “Pali II”, pas Shën Palit, apostullit të botës. “Pontifikati
15 vjeçar i papës Palit VI, nuk ishte i lehtë, sikur as problematika bashkëkohore
e botës dhe Kishës” kështu vlerësoi një gazetar i të përditshmes “Il Tempo”. Për
lëvizjen ekumenike Pali VI thoshte: “Askurrë nuk do të lodhemi së foluri se rruga
të cilën duhet kaluar është e gjatë dhe e rëndë.” Kardinali Franz König, arqipeshkvi
i famshëm i Vjenës, duke vlerësuar pontifikatin e Palit VI tha: “Ishte njeri i zhvillimit
e jo revolucionit, njeri i përparimit, e jo i ngutësisë së verbër… Ai ishte Papë ekumenik,
por mbi të gjitha Papë i paqes. Si i tillë, do të hyjë në histori papa Pali VI”. Atenagora
I tha: “Unë papën Pali VI e quajta Pali II, për të pasur mundësi ta krahasoja me Apostullin
(mendon në Shën Palin, vr ime). Të dy ishin shtegtarë dhe lajmëtarë të Ungjillit të
gjithë popujve… Ai është profet i madh i së ardhmes… Unë isha gjithmonë afër papës
Palit VI…”. Pali VI, vuajti shumë, shkaku i përndjekjeve brutale të të krishterëve
në vendet komuniste të Lindjes. Bashkë me kardinalin Agostino Casarollin, ishte krijues
i Ostpolitikës (politikës Lindjes, Ost=Lindje), që do të thotë i politikës së dialogut
edhe me regjimet komunisto-ateiste, me qëllim që të krijohet së paku një hapësirë
minimale e lirisë për Kishën e heshtjes. Për shkak të këtij disponimi. guximi dhe
kujdesi të përhershëm të tij, disa e quajtën “Papa i të drejtave të njeriut”. Në
Vitin 1965, foli në Selinë e Kombeve të Bashkuara mbi paqen, çarmatimin, varfërinë,
mbi marrëdhëniet e reja ndërkombëtare. Fjalimin e tij e përfundoi me këto fjalë: “Kurrë
më luftë!” Mbi mbrojtjen e jetës, si dhuratë të Hyjit dhe prindërve, dhe kundër
dështimit dhe mjeteve kontraceptive, publikoi enciklikën „Humanae vitae“, e cila kishte
shkaktuar shumë shqetësime, mospëlqime, bile edhe kritika të hapura edhe përbrenda
vetë Kishës. Mirëpo, ai i mbetet besnik Zotit, Kishës, vetvetes, edhe me çmimin e
vuajtjes, shpeshherë i vetmuar dhe i braktisur nga shumica. Sot, pas një distance
kohore, shumëkush në Kishën Katolike, në Kishat e ndara dhe në botë, përsëri zbulojnë
personalitetin e madh të Papës Pali VI, mendimtarit, njeriut të lutjes, fesë, vuajtjes,
guximit, thellësisë teologjike, të dialogut dhe dashurisë ndaj të gjithëve. Në
momentet e errësirës dhe ankthit për Kishën dhe botën, ai diti të qëndronte pranë
timonit të anijes së Pjetrit, të jetë shenjë, Vëlla, Atë i të gjithëve, pa farë pompoziteti
apo popullariteti të rrejshëm, por në qetësi, uratë, pendesë, që ta drejtonte njerëzimin
kah e mira dhe e mbarja. Me tërë zemrën e tij i shërbeu Zotit, Kishës, botës. Vuajti
shumë, mirëpo gjithmonë me dashuri dhe për dashuri. I qetë pushoi në paqen e Zotit
në Castelgandolfo në vitin 1978.
Papa Pali VI dhe e Lumja Nëna
Terezë
Papa Pali VI ka përcjell me vëmendje, kujdes dhe dashuri atërore
jetën dhe veprën e Nënës Terezë. Ja vetëm disa dëshmi dhe hapa konkret në këtë kuptim
dhe drejtim. Deri sa shumë njerëz të Kishës, si dhe jashtë saj, nuk mund ta kuptonin
karizmën e veçantë të Nënës Terezë, dashurinë flijuese dhe dhuruese për Zotin dhe
Njeriun, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, Papa Pali VI pati mirëkuptim dhe përkrahje
të plotë për Nënën Terezë, nëpërmjet saj, si thoshte ai “për veprën e Zotit”. Do
të mbes në histori vizita e tij baritore Indisë (1964), me rastin e Kongresit Eukaristik.
Gjatë ditëve 3-6 dhjetor 1964 ishte Kongresi Eukaristik në Bombay, me pjesëmarrjen
e Papës si dhe të Nënës Terezë. Përshtypja e Papës për jetën dhe veprën e saj ishte
aq e madhe, tronditëse, sa që vendosi t’ia dhuronte automjetin personal “Cadillac”
me të cilin kishte lëvizur dhe udhëtuar në Indi me këtë motivim: “për t’i ndihmuar
asaj në dobi dhe në të mirë të të varfërve”. Nëna Terezë e qiti këtë automjet në Loteri
të Indisë dhe fitoi mjaft para, kuptohet, si gjithmonë për të varfrit ndër më të
varfër. Ky gjest e bëri Nënën Terezë shumë të njohur në Kishë dhe në botë. Më 10
shkurt të vitit 1965 me dekretin papnor “Decretum laudis” Papa Pali VI e kishte pranuar
dhe lartësuar bashkësinë e “Misionareve të Dashurisë” si “kongregatë me të drejtë
papnore”. Kjo ua mundësoi atyre që së shpejti të mund të përhapeshin dhe vepronin
në mbarë botën. Fill pas kësaj mirënjohjeje dhe pranimi “Misionaret e Dashurisë” filluan
zgjerimin në botë: në Venezuelë (26 korrik 1965), shtëpia e parë jashtë Indisë e kështu
me radhë në Evropë, Afrikë, Amerikë, kudo në botë. Papa Pali VI përkrahu edhe themelimin
e Shoqatës ndërfetare dhe ndërkombëtare “Bashkëpunëtorët e Nënës Terezë” më 29 mars
1969, duke dhënë bekimin dhe pëlqimin e tij. Papa Pali VI i kishte dërguar një
çek personal “për të varfrit e Nënës Terezë”, duke përkujtuar dhe ndihmuar gjithnjë
veprën e saj në dobi të të mjerëve në Indi dhe në botë. Më 22 gusht 1968 Nëna Terezë
hapi shtëpinë e parë të “Misionareve të Dashurisë”, në lagjen “Torfiscale në Romë”,
gjithnjë me ftesë dhe bekim të Papës Pali VI. Më 6 janar 1971 Papa Pali VI ia dorëzoi
Nënës Terezë “Shpërblimin për Paqe – Gjoni XXIII”, që dëshmonte edhe një herë nderimin,
përkrahjen, dashurinë e tij për Nënën Terezë, për “Misionaret e Dashurisë”, për të
varfrit e botës. Këto janë disa nga çastet e bashkëpunimit mes Papës Pali VI dhe
Nënës Terezë.
DUKE LUNDËRUAR NËPËR KUJTIMET E MIA
Ja
një pjesë nga fjala e rastit të Papës Pali VI drejtuar shqiptarëve nga vendet
e ndryshme të botës me rastin e 500 vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,
kur ndër të tjera tha: “Të dashur bij të Shqipërisë! Ju urojmë sot në mënyrë
të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj
Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie
Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore. Ju takojmë me shumë dëshirë:
vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale
e fisit(racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale
të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe,
të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore. Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi
i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë
e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë,
sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë. Këto virtyte, Gjergj
Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim. E
nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju,
me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur
e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh,
që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern. Urimi ynë, në këtë rast,
për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin
tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi
e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme. Do të realizohet kështu testamenti
i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur
për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”. Pata rastin dhe kënaqësinë që personalisht
ta takoja Papën Pali VI disa herë. Hera e parë qe me 7 shtator 1969 në Castelgandolfo,
në Ditën e Studentëve të Kongregatës Propaganda Fide. Papa ishte me ne gjithë ditën,
që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes. Lozi me ne tombolë. Foli me ne
sikur atë i mirë, kremtoi Eukaristinë me ne dhe për ne. Ishte sikur “njëri ndër ne”!
Kur më prezantoi para Papës rektori i atëhershëm i yni mons. Jezerniku, Pali VI, më
tha: “Jam i lumtur që së fundi edhe studentët shqiptarë mund të vijnë në Romë për
t’u përgatitur për meshtari… E mjera Shqipëri, sa vuan! Guximshëm, Krishti e ka mundur
botën!” Në vitin 1975, kur udhëhoqa grupin e shtegtarëve të Ipeshkvisë Shkup-Prizren,
Papa dëshironte të na përshëndeste në gjuhën shqipe. Me këtë rast më tha kështu:
“Gjithmonë i kam në zemër Shqiptarët, edhe sot dëshiroj të jenë afër meje, para syve
të mi, që t’iu tregoj dashurinë time.” Dhe pikërisht ishim në rendin e parë (gjatë
Audiencës së përgjithshme, vr. ime) në Sheshin e Shën Pjetrit, afër Papës. Gjatë
viteve të studimeve të mia në Romë (1969-1975), Papa Pali VI për mua ishte orientim
i sigurt, frymëzim i madh, shpeshherë edhe ngushëllim për Kishën tonë martire. Kishte
një buzëqeshje të dhimbshme, ecje të ngadalshme e të rëndë, sytë të thelluar, zgjeruar,
duart e dobëta, trup të plogështuar e të sëmurë… Por, prapë rrezatonte me shpresë,
siguri, me përvujtëri dhe thjeshtësi, dhe qysh në këtë jetë ofronte “pamjen” e amshimit. Sa
herë nga dritarja ime në Kolegjin Urbanian mbi Gianicolo kam shikuar dritaren e Papës…Deri
sa flinte qyteti, në dhomën e Palit VI deri në orët e vona qëndronte drita e ndezur. Provania
e Zotit ose rastësia deshi që të jem në Romë edhe me rastin e vdekjes së Palit VI
(6 gusht 1978). Qysh atëherë kam pasur mundësi të shihja, përjetoja për së afërmi
këtë humbje të madhe. Qyteti i amshuar ishte thuajse i zbrazët, njerëzit ishin të
pikëlluar. Secili dëshironte të komentonte jetën dhe vdekjen e Papës. Jean Guitton
duke analizuar dy papët e fundit shkruante kështu: “Papa Gjoni XXIII ishte pilot,
ai i cili i jepte Kishës krah për të pasur mundësi të fluturimit - të depërtimit në
botë. Ishte ky një guxim, një vepër e rëndësishme dhe profetike. Papa Pali VI kishte
detyrë edhe më të vështirë dhe delikate, të realizonte Koncilin – ta tokëzonte aeroplanin
i cili fluturonte…” Një fjalë e urtë popullore shqiptare, thotë: “Vdekja gjithçka
mbulon, vdekja gjithçka zbulon”. Për Papën Pali VI mund të themi: qysh pas vdekjes,
janë të shumtë ata që zbuluan se ishte i madh, shumë i madh. Shumë njerëz do të duhet
ende ta zbulojnë, kuptojnë, ndjekin. Papa Pali VI lumturohet më 19 tetor 2014,
ditën e Misioneve, ditën e lumturimit të Nënës Terezë, “përputhje” kjo që e ka dashur
Zoti, Provania e Tij, Papa Françesku, që vetvetiu flet dhe dëshmon shumë.
Dom Lush GJERGJI