2014-10-21 14:51:29

Selia e Shenjtë: fundamentalizmi, pasojë e globalizimit përjashtues


Sot, para diskriminimeve në rritje e para dhunës në të gjithë botën, është e nevojshme më shumë se kurrë të bashkojmë forcat për të promovuar kulturën e përfshirjes së njerëzve në një shoqëri të drejtë e paqësore. Kështu shkruhet në Mesazhin tradicional të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, me rastin e Deepavali-t, festës hinduiste, që simbolizon fitoren e dritës mbi errësirën, triumfin e së mirës mbi të keqen. Këtë vit, festa bie më 23 tetor.
“Është e vërtetë – shkruhet në Mesazhin e Këshillit Papnor – se globalizimi ka hapur horizonte dhe mundësi të reja” në frontin shoqëror dhe politik, por “mund të thuhet edhe se globalizimi nuk e ka arritur objektivin e tij të parë, atë të integrimit të popullsive lokale në bashkësinë globale. Përkundrazi, globalizimi ka kontribuar mjaft në humbjen e identitetit shoqëroro-kulturor, ekonomik e politik, për shumë popuj”.
“Globalizimi – vazhdon dikasteri vatikanas – ka kontribuar në fragmentimin e shoqërisë dhe në rritjen e relativizmit e të sinkretizmit në fushën e fesë, duke shkaktuar edhe një lloj privatizimi të fesë. Fundamentalizmi fetar dhe dhuna etnike, tribale e sektare, në shumë anë të botës, sot, janë shfaqje të pakënaqësisë, të paqartësisë e të pasigurisë së popujve, në veçanti, të të varfërve e të të mënjanuarve, të cilët janë përjashtuar nga përfitimet e globalizimit”.
“Përveç kësaj, pasojat negative të globalizimit, si materializmi dhe konsumizmi i përhapur, i kanë bërë njerëzit më egoistë, të etur për pushtet dhe indiferentë ndaj të drejtave, nevojave e vuajtjeve të të tjerëve”. Kjo, siç ka vënë në dukje edhe Papa Françesku, ka sjellë “globalizimin e indiferencës, e cila, dalëngadalë, na bën të mësohemi me vuajtjen e tjetrit dhe na mbyll në vetvete” (Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes, 2014).
“Kjo indiferencë – nënvizohet më tej në Mesazhin për festën hinduiste të dritës – i hap vend ‘kulturës së përjashtimit’ (shih Papa Françesku, Fjala për Lëvizjen Apostolike të të Verbërve dhe Misionin e Vogël për Shurdhmemecët, 29 mars 2014) për të cilën të varfërve, të mënjanuarve dhe të brishtëve u mohohen të drejtat, si edhe mundësitë e burimet, që kanë në dispozicion anëtarët e tjerë të shoqërisë. Ata trajtohen si të parëndësishëm, të panevojshëm, të padobishëm, për t’u përdorur, ose edhe për t’u hedhur, sikur të ishin objekte. Në mënyra të ndryshme, shfrytëzimi i fëmijëve dhe i grave, braktisja e të moshuarve, e të sëmurëve, e njerëzve me të meta fizike, e emigrantëve dhe e refugjatëve, si edhe persekutimi i pakicave, janë tregues të sigurtë të kësaj kulture të përjashtimit”.
“Kultivimi i kulturës së përfshirjes bëhet kështu thirrje e përgjegjësi e përbashkët, së cilës i duhet dhënë përgjigje me urgjencë. Kemi të bëjmë me një projekt, ku përfshihen të gjithë ata, që e kanë për zemër shëndetin dhe mbijetesën e familjes njerëzore këtu, mbi Tokë. Është plan që duhet realizuar pavarësisht nga forcat nxitëse të kulturës së përjashtimit”.
Mesazhi përfundon me thirrjen që hinduistët dhe të krishterët të bashkohen me ndjekësit e feve të tjera dhe me njerëzit vullnetmirë për të promovuar kulturën e përfshirjes në një shoqëri të drejtë e paqësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.