2014-10-21 15:44:22

Kisha nga përvoja e Sinodit te sfidat e sotme


Sinodi mbi familjen qe ashtu siç e deshi Papa Françesku. Një konfrontim i “gjerë”, i “sinqertë”, në liri të plotë të shprehjes e të dëgjimit, i vëmendshëm ndaj realitetit konkret, gjithçka në dritën e Fjalës së Zotit e në bashkimin vëllazëror, duke pasur parasysh vullnetin Hyjnor e të mirën e njerëzve. Qartësia, dëgjimi, mirëkuptimi, durimi kritere për të ecur udhës së përbashkët. “Duke shqyrtuar shenjat e kohëve – tha Papa Bergoglio - të provojmë t’i adoptojmë udhë e metoda...për t’iu përgjigjur nevojave të mëdha të ditëve tona e rrethanave të shoqërisë që kanë ndryshuar”.
Sinodi i jashtëzakonshëm kushtuar familjes, që përfundoi të dielën e kaluar në Vatikan, pra, kërkon një hov të ri për promovimin e familjes. Papa Françesku i ftoi ipeshkvijtë në një përgjegjësi dhe ecje të përbashkët udhës së Ungjillit e për të mirën e njerëzimit. Papa nuk tha se çka duhet bërë, por në të cilin drejtim duhet vijuar udhën. E sikur pohoi në homelinë e Meshës së përfundimit, “ këtyre ditëve gjatë Sinodit të jashtëzakonshëm pamë se “Sinod” do të thotë “ecje së bashku”. E vërtetë, “barinj e laikë nga çdo anë e botës kanë sjell në Romë zërin e Kishave të tyre të veçanta nga mbarë bota, për t’i ndihmuar familjet e sotme të ecin udhës së Ungjillit, me vështrimin përherë të përqendruar në Jezu Krishtin”. “Sinodi– thotë Papa – ka qenë një eksperiencë e madhe, gjatë së cilës përjetuam sinodalitetin e kolegjialitetin, e ndiem forcën e Shpirtit Shenjt që udhëheq e përtërinë përherë Kishën, e cila është ftuar, pa hezitim, të marrë përsipër kujdesin për t’i kuruar plagët e përgjakshme e për të ndezur sërish shpresën për shumë njerëz të pashpresë”. Në saje të forcës Hyjnore, “i krishteri shikon realitetin e sotëm e të ardhshëm, në dritën e Zotit, e orvatet me guxim t’iu përgjigjur sfidave të reja të panumërta”. Sigurisht, siç pohoi Papa Françesku “fara që është mbjell gjatë këtij Sinodi do të kultivohet nga Kisha me durim e dashuri”. Kisha i mban dyert e hapura, pa përjashtuar askënd. E në takimin e ardhshëm, në tetor të vitit 2015, etërit kishtar do të mblidhet përsëri në Vatikan për një reflektim e shqyrtim të mëtejshëm kushtuar familjes si vlerë njerëzore, shoqërore e shpirtërore në realitetin bashkëkohor.







All the contents on this site are copyrighted ©.