2014-10-21 16:27:47

"Ju kumtojmë lajmin e mirë": leximi i Ungjillit të Markut


Dom Marjan Paloka lexon për ne Ungjillin e Markut... RealAudioMP3
Në rubrikën "Ju kumtojmë lajmin e mirë" vijojmë sot leximin e kapitullit të gjashtë të Ungjillit sipas Markut, ku Jezusi u kërkon apostujve të ushqejnë turmën që e kishte ndjekur përtej liqenit. Të përpiqemi të kuptojmë dinamikën e kësaj ngjarjeje, për të dalluar rolin e apostujve në lidhje me Jezusin e me turmën. Duhet të sqarojmë që në fillim se njerëzit nuk kërkojnë apostujt, por Jezusin. Jezusi, megjithatë, gjendet mes apostujve. Ata, që janë të thirrur për t'i ndihmuar njerëzit të rrinë me Zotin, bëjnë një kërkesë, që bie ndesh me thirrjen e tyre: "Lëri njerëzit të shkojnë, që të blejnë për të ngrënë".
Jezusi u kujton apostujve thirrjen e tyre të vërtetë: "Ju vetë jepuni të hanë". Kisha nuk mund ta mbajë Zotin vetëm për vete, sepse ai ka ardhur për të gjithë dhe misioni kryesor i Kishës është t'i ushqejë njerëzit me bukën e zbritur prej qiellit. Për ta realizuar këtë mision, bashkësia e krishterë duhet të çlirohet nga zotërimet tokësore, duhet të dijë t'i vendosë në duart e Zotit të gjitha pasuritë, siç i vendosën apostujt pesë bukët e dy peshqit në duart e Jezusit.
Nëse në fillim apostujt i kërkojnë Jezusit t'i largojë njerëzit, në fund Jezusi u kërkon apostujve t'u japin të hanë të gjithëve. Ai nuk kërkon asgjë pa u angazhuar vetë. Buka e thyer me duart e tij nuk mbaron kurrë. Ai ka ardhur për të mbetur përgjithmonë me njerëzit, sidomos në çastin e urisë së tyre. Ai vetë është buka e zbritur nga qielli. Kisha është shërbëtorja e tryezës që Biri i Hyjit shtron për njerëzimin, duke u bërë vetë shujtë e pije, që shuan çdo uri e etje.
Kisha e të gjitha kohërave rrezikon të jetë si bashkësia e apostujve të këtij fragmenti ungjillor: e aftë ta vërejë urinë e njerëzimit, por e paguximshme për t'i kërkuar Zotit mrekullinë. "Të gjithë hëngrën sa u nginjën", thotë Ungjilli. Në mishërimin e Krishtit Hyji i ka dhënë botës, nëpërmjet Kishës, bukën që nuk mbaron kurrë: Eukaristinë. Mrekullia eukaristike ndodh në Kishë, por atë nuk e bën Kisha. Është Krishti vetë ai që, pavarësisht nga denjësia apo padenjësia e Kishës, bëhet bukë e thyer për urinë e botës. E kjo bukë është e begatë: me copat që tepruan mbushën dymbëdhjetë shporta.
Numri dymbëdhjetë tregon tërë fiset e Izraelit. Domethënë se ka tepruar për te gjithë. Sot ky numër tregon edhe dymbëdhjetë muajt e vitit, që do të thotë se ka tepruar përgjithmonë. Të gjithë e gjithmonë mund të ulen në tryezën e Zotit, por nevojitet vetëm një kusht: që Kisha t'ia japë atij pesë bukët e dy peshqit, për të mos i larguar njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.