2014-10-21 13:48:13

Devocioni i vërtetë ndaj Marisë: s’mund ta duash Zojën, duke mëkatuar kundër Jezusit


Në muajin e Rruzares, vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Sot shenjti na shpjegon se s’mund ta duash Zojën, duke mëkatuar kundër Jezusit

98. S’ka gjë më të dënueshme, në krishterim, sesa ky pretendim djallëzor; e si mund të thuhet se duhet e nderohet Virgjëra e shenjtë, kur me mëkatet tona plagoset, shporohet, kryqëzohet e fyhet pa mëshirë Jezu Krishti, Biri i saj? Nëse Maria do të kryente një detyrë, duke e shpëtuar me mëshirën e saj këtë soj njerëzish, do t’i hapte udhën (autorizonte) mëkatit, do të ndihmonte për ta kryqëzuar e për ta fyer Birin e saj; e kush do të kishte guxim ta mendonte?

99. Them se ta shpërdorosh kështu devocionin ndaj Virgjërës së shenjtnueshme që, pas devocionit ndaj Zotit tonë në të Shenjtnueshmin sakrament, është më i shenjti e më i fuqishmi, do të thotë të kryesh një sakrilegj të hatashëm, i cili, pas atij të Kungimit të padenjë, është më i madhi e më i pafalshmi.
Rrëfej se për të qenë vërtetë të devotshëm ndaj Zojës së Bekuar, nuk është aspak e nevojshme të jesh aq shenjt sa t’i shmangesh çdo mëkati, ndonëse kjo do të ishte për t’u dëshiruar, por duhet së paku (vërejeni mirë këtë që them):
1. Të jesh sinqerisht i vendosur ta shmangësh të paktën çdo mëkat mortar, që i fyen tepër si Nënën, ashtu edhe Birin.
2. Ta zotërosh vetveten, për të shmangur mëkatin.
3 Të shkruhesh në bashkëvëllazëri, të thuash Rruzaren Shenjte ose lutje të tjera, të agjërosh të shtunën, etj. etj.








All the contents on this site are copyrighted ©.