2014-10-20 15:08:55

Papa Françesku në fund të Sinodit: Kisha i mban dyert e hapura, pa u tunduar nga zelltarët e tepruar


Kisha e Krishtit është në shërbim të çdo njeriu, nuk ka frikë dhe i mban dyert e hapura. Kështu mund të përmblidhet fjala e Papës Françesku në fund të punimeve të Asamblesë III të Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve për Familjen. Ati i Shenjtë foli për çaste tensioni e tundimesh gjatë punimeve sinodale, por nënvizoi hirin dhe bukurinë e konfrontimit. Nënvizoi se detyra e Pasardhësit të Shën Pjetrit është të garantojë unitetin në Kishë, ndërsa ajo e ipeshkvijve të “ushqejnë grigjën” e të gjejnë delen e humbur. Papa vuri në dukje se etërit sinodalë ecën së bashku, me entuziazëm, me përkushtim, në hirin e Tënzot, duke dëgjuar edhe dëshmitë e familjeve, por nganjherë pati edhe tensione e qëndrime të ngurta:RealAudioMP3
“…pra, deshën të mbylleshin në shkrime (letra) e të mos e linin veten t’i befasonte Zoti, Hyji i të papriturave (Shpirti Shenjt); të rrinin brenda ligjit, brenda sigurisë së njohurive që kemi, pa pranuar se akoma duhet të mësojmë e të shtojmë të tjera. Që nga koha e Jezusit, ky është tundimi i zelltarëve, i skrupolozëve, i të kujdesshmëve në tepri, i të ashtuquajturve ‘tradicionalistë’ dhe i intelektualistëve”.
E ka edhe më. Papa foli për ata, që mendojnë se po bëjnë mirë, që kanë frikë të bëjnë hapa përpara, ose që paraqiten si progresistë e liberalistë:
“…të cilët, në emër të një mëshire mashtruese, i fashojnë plagët para se t’i kurojnë e mjekojnë; pra, trajtojnë simptomat dhe jo shkaqet e rrënjët”.
Papa përmendi më pas “tundimin për ta shndërruar gurin në bukë”, që t’i jepet fund agjërimit të gjatë, por edhe tundimin “për ta shndërruar bukën në gur” e për t’ua hedhur mbi krye mëkatarëve, duke u vënë mbi shpinë peshë të padurueshme. E pastaj, tundimi për të zbritur prej Kryqit:
“…që të kënaqen njerëzit, e jo të qëndrojmë mbi Të për të plotësuar vullnetin e Atit; të përkulemi para shpirtit të botës, në vend që ta spastrojmë e t’ia nënshtrojmë Shpirtit të Zotit”.
Së fundi, tundimi për ta lënë mënjanë ‘depositum fidei’, pra atë trashëgimi të fesë, që duhet ruajtur pa u sjellë me të sikur të ishim pronarë; por edhe tundimi për të mos marrë parasysh realitetin. Shumë komentues, nënvizoi Papa Françesku, deshën të shohin me çdo kusht një Kishë që grindet. Sinodi nuk vuri në diskutim të vërtetat themelore të Sakramentit të Martesës si pazgjidhshmërinë, bashkimin, besnikërinë e aftësinë për të lindur jetën, por Kisha nuk ka frikë të përveshë mëngët për të mjekuar plagët e njerëzve, pa i gjykuar e klasifikuar ata:
“Kjo është Kisha, Një e vetme, Shenjte, Katolike, Apostolike, e përbërë nga mëkatarë, nevojtarë të mëshirës së Saj. Kjo është Kisha, nusja e vërtetë e Krishtit, që përpiqet t’i qëndrojë besnike Dhëndërrit e doktrinës. Është Kisha, që nuk ka frikë të hajë e të pijë me prostitutat dhe me publikanët (shih Lk 15). Kisha, që ka portat e hapura dy kanatësh për të pritur nevojtarët, të penduarit e jo vetëm të drejtët, apo ata, që mendojnë se janë të përsosur!”
Një Kishë, vijoi Ati i Shenjtë, së cilës nuk i vjen turp nga vëllai, që ka humbur udhën, e nuk bën gjoja se nuk e sheh, por e inkurajon dhe i jep dorën për ta vazhduar rrugën së bashku. Papa Françesku vuri në pah edhe detyrat e veta: garantimi i unitetit në Kishë dhe kujdesi për barinjtë e saj. Por, u tha edhe ipeshkvijve të ushqejnë grigjën, që u ka besuar Zoti, e të presin krahëhapur, me mëshirë e pa frikë, delet e humbura. E në këtë detyrë, si Papa, ashtu edhe ipeshkvijtë janë shërbëtorë:
“Papa, në këtë kontekst, nuk është zoti suprem, por shërbëtori suprem – servus servorum Dei – garanti i bindjes, i përputhjes së Kishës me vullnetin e Zotit, me Ungjillin e Krishtit e me Traditën e Kishës, duke lënë mënjanë çdo arbitrazh personal, pavarësisht se është – për vullnet të vetë Krishtit – Bariu dhe Dijetari suprem i të gjithë besimtarëve (Kn. 749) e pavarësisht se gëzon pushtet të zakonshëm, që është suprem, i plotë, i menjëhershëm dhe universal në Kishë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.