2014-10-20 12:54:36

Papa: të krishterët e Lindjes së Mesme, të persekutuar nga indiferenca


U hap sot paradite në Sallën e Sinodit, Koncistori i Zakonshëm Publik, i kryesuar nga Papa Françesku. Qëllimi i tij fillestar ishte kanonizimi i të Lumëve Giuseppe Vaz, meshtar i Oratoriumit të Shën Filip Nerit, themelues i Oratoriumit të Shenjtes Krygjë të Mrekullueshme në Goa dhe apostull në Sri Lanka e në Indi; si edhe kanonizimi i Maria Cristina e Zojës së Papërlyer, themeluese e Kongregatës së Motrave Viktima Shpërblyese të Jezusit kthyer në Sakrament. Por, me vendim të Atit të Shenjtë, siç u lajmërua gjatë Sinodit për Familjen, ky Koncistor i kushtohet edhe gjendjes së të krishterëve në Lindjen e Mesme.RealAudioMP3
“Të nesërmen e mbylljes së Asamblesë së tretë të përgjithshme të jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve për Familjen – tha Papa Françesku, duke përshëndetur të pranishmit, ndër të cilët, edhe Patriarkët e Lindjes së Mesme – desha t’ia kushtoj këtë Koncistor, përveçse disa çështjeve kanonizmi, edhe një problemi tjetër që e kam shumë për zemër, Lindjes së Mesme e, në veçanti, situatës së të krishterëve në rajon. Ju jam mirënjohës për praninë tuaj”.
Rruga që kërkon Papa është zgjidhja e konflikteve përmes dialogut, pajtimit dhe impenjimit politik. Gjithashtu, Ati i Shenjtë bën thirrje t’u jepet më tepër ndihmë bashkësive të krishtera, në mënyrë që të mos largohen nga rajoni:
“Siç kam pasur rast të theksoj disa herë, nuk mund të ngremë duart e ta mendojmë Lindjen e Mesme pa të krishterë, të cilët, që prej 2 mijë vjetësh, dëshmojnë emrin e Jezusit. Ngjarjet e fundit, sidomos në Irak e në Siri, janë shumë shqetësuese. Vërejmë një fenomen terrorizmi me përmasa të paimagjinueshme më parë”.
Tashmë, vëllezërit tanë persekutohen e detyrohen me brutalitet t’i lënë shtëpitë e tyre, ngriti zërin Ati i Shenjtë:
“Duket sikur ka humbur vetëdija për vlerën e jetës njerëzore, duket sikur njeriu nuk vlen më e mund të sakrifikohet për interesa të tjera. E fatkeqësisht, e gjithë kjo, në indiferencën e shumë vetëve”.
Kjo gjendje, kërkoi Papa, përveç lutjes së vazhdueshme, ka nevojë edhe për angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ati i Shenjtë shprehu sigurinë se nga Koncistori do të dalin reflektime e sugjerime për të ndihmuar praninë e të krishterëve në zonën ku lindi dhe u përhap krishterimi vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.