2014-10-20 15:59:22

Lumnimi i Palit VI. Papa Françesku: dëshmitar i përvuajtur e profetik i dashurisë së Krishtit


Mesha e djeshme e Papës Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan u karakterizua nga dy ngjarje të mëdha: së pari, përfundimi i Sinodit të jashtëzakonshëm për Familjen e së dyti, lumnimi i Palit VI, Papës Giovanni Battista Montini. 70 mijë besimtarë të pranishëm dëgjuan homelinë e Atit të Shenjtë, gjatë së cilës Papa bashkoi reflektimin për rezultatet e Sinodit me kujtimin e themeluesit të tij, i cili qe pikërisht Papa Pali VI. Françesku kujtoi fjalët me të cilat Papa Montini kumtonte ngritjen e këtij institucioni konsultativ:RealAudioMP3
“…duke shqyrtuar me vëmendje shenjat e kohës, përpiqemi t’ua përshtasim udhët e metodat…nevojave në rritje të ditëve tona dhe kushteve të ndryshuara të shoqërisë…”.
Giovanni Battista Montini, “Papë i madh”, “i krishterë i guximshëm”, “apostull i palodhur”: kështu e përvijoi Ati i Shenjtë të Lumin e ri për të cilin falenderoi Zotin, që i dha grigjës së vet këtë dëshmitar të përvuajtur e profetik të dashurisë së Krishtit. “Timonier i madh” i Koncilit II të Vatikanit, Pali VI shkruante në ditarin e vet se ndoshta, Zoti e kishte thirrur në atë detyrë jo aq për ta qeverisur, ose shpëtuar Kishën nga vështirësitë e atëhershme, sepse kjo i takon Hyjit vetë, por që ai të vuante për Kishën:
“Në këtë përvuajtëri shndrit madhështia e të Lumit Pali VI, i cili, ndërsa profilëzohej një shoqëri e shekullarizuar dhe armiqësore me Kishën, diti të drejtojë me urti largpamëse – e nganjëherë, edhe në vetmi – timonin e barkës së Pjetrit, pa e humbur kurrë gëzimin dhe besimin në Zotin”.
Edhe gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku falenderoi delegacionet e pranishme në meshën e lumnimit, ardhur sidomos nga dioqeza e Breshës, vendlindja e Papës Pali VI dhe nga Milano, ku ka qenë kryeipeshkëv.

Para se të lartonte në nderimet e elterit Palin VI, Papa Françesku iu kthye sërish përvojës së Sinodit, duke komentuar Ungjillin e ditës, në të cilin Jezusi thotë frazën e famshme: “Jepini Çezarit, ç’është e Çezarit dhe jepini Zotit, ç’është e Zotit”. Ati i Shenjtë nënvizoi se edhe Kisha nuk duhet të ketë frikë nga risitë, ashtu siç nuk kishte Jezusi, i cili i befasonte të gjithë, duke hapur rrugë ta pamenduara më parë:
“Këtu qëndron forca e vërtetë, tharmi, që e bën të mbrohet, dhe kripa, që i jep shije çdo përpjekjeje njerëzore kundër pesimizmit mbizotërues, propozuar nga bota. Këtu qëndron shpresa jonë, sepse shpresa në Zotin nuk është ikje nga realiteti, nuk është alibi”.
Përkundrazi, vijoi më tej Papa, është përgjigje e guximshme përballë sfidave të reja, siç ndodhi edhe gjatë Sinodit për Familjen:
“Ishte një përvojë e madhe, në të cilën jetuam sinodalitetin dhe kolegjialitetin e ndjemë forcën e Shpirtit Shenjt, që e udhëheq dhe e rison gjithnjë Kishën, e cila është e thirrur, pa vonesë, të kujdeset për plagët që rrjedhin gjak e të rindezë në zemra shpresën për shumë njerëz pa shpresë”.
Është Shpirti Shenjt, që i dha mundësinë ipeshkvijve të punojnë me liri e krijimtari në përgatitjen e Sinodit të ardhshëm, që do të mbahet në tetor 2015:
“Mbollëm e do të vazhdojmë të mbjellim me durim e këmbëngulje, të sigurtë se është Zoti ai, që do ta rrisë gjithçka kemi mbjellë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.