2014-10-18 13:29:14

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII: Protektorati francez dhe neni 62 i Traktatit të Berlinit (1878)


Në ciklin tonë, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, do t’ju flasim mbi protektoratin francez mbi katolikët, ku përfshiheshin edhe ata shqiptarë.

Prej shekujsh interesat e katolikëve latinë, që jetonin në perandorinë otomane mbroheshin, pranë sulltanit, nga përfaqësuesi francez. Një e drejtë e tillë, në zanafillë, e pati bazën e vet mbi Kapitolacionet, marrëveshje politiko-tregtare, të cilat i kufizonin hapësirat e veprimtarisë së shteteve të veçanta në çështjet, që kishin të bënin me drejtimin e punëve të tipit ekonomik, por që shumë shpejt, u shtrinë edhe në mbrojtjen e njerëzve ose të bashkësive të veçanta, që jetonin në perandori. Por vetëm në vitin 1740 sulltani i dha Francës një regjim kapitullar, që parshikonte edhe protektoratin mbi të gjithë katolikët latinë, të çdo kombi, e posaçërisht, atyre që ruanin viset e shenjta.
Duke ndjekur shembullin francez, edhe shtetet e tjera evropiane nisën të kërkojnë nga Sulltani nënshkrimin e marrëveshjeve të këtij tipi. Por Franca, në krahasim me shtetet e tjera katolike, si Austria, gëzonte të ashtuquajturën “e drejta e përparësisë”(a më mirë, e vjetërsisë) në mbrojtjen e bashkësive katolike. Në tetëqinden çështja e mbrojtjes së të krishterëve të lindjes së mesme u bë shkak për lindjen e kundërvënieve politike ndërmjet fuqive më të mëdha evropiane (në mënyrë të veçantë, Rusisë, Francës e Austrisë). E kjo, sidomos në çastin kur i sëmuri rëndë po jepte shenja ligështimi të mëtejshëm. Këtë të drejtë, siç dihet, fuqitë e mëdha evropiane e përdornin shpesh për të ndërhyrë në çështjet e brendshme politike të Perandorisë Otomane, gjë që, natyrisht, krerët e Perandorisë nuk e shikonin aspak me sy të mirë.
Çështja e proteksionit u rihap ndërmjet Perandorisë Otomane e vendeve evropiane posaçërisht pas luftës ruso-turke (në të cilën ushtria otomane u shpartallua keqas) në traktatin e Berlinit, të vitit 1878. Ky traktat riskiconte, në dëm të Perandorisë otomane (që humbiste njërën pas tjetrës, tokat evropiane), hartën gjeografike të Evropës qendro-lindore, duke u njohur pavarësinë shumicës së vendeve ballkanike. Neni n. 62 i këtij Traktati u njihte përfaqësuesve të fuqive evropiane, të akredituara pranë Portës së Lartë, të drejtën të mbronin qytetarët e tyre, që jetonin në Perandori, por i mbronte shprehimisht, të drejtat e fituara nga Franca, siç ishte mbrojtja e status quo e Vendeve të Shenjta nga çdo rrezik sulmi” 10
Një nen i tillë, ndonëse fryt i kompromisit ndërmjet fuqive evropiane, i njihte Francës, në planin e së drejtës ndërkombëtare (kujtojmë se Kapitolacionet ishin marrëveshje dypalëshe me vlerë vetëm për palët në fjalë e nga shtetet e tjera konsideroheshin res inter alios acta) një pozitë e spikatur, në krahasim me të gjitha fuqitë e tjera katolike. Qeveria franceze e interpretonte nenin 65 në favor të saj, duke shpjeguar se çdo vend e kishte për detyrë t’i mbronte qytetarët e vet me banim në Perandori (e edhe pronat, që u përkisnin), por vetëm Francës i takonte të mbronte bashkësitë fetare me karakter ndërkombëtar, të cilat në të vërtetë, përbënin shumicën ndërmjet atyre, që ishin të pranishme në Tokën e Shenjtë.
Selia e Shenjtë u përjashtua nga bisedimet, por natyrisht, nuk ishte aspak indiferente ndaj vendimeve, që po merreshin në Kongresin e Berlinit, nga fuqitë e mëdha evropiane, ulur rreth një tryeze tejet të rëndësishme bisedimesh. Qëndrimi i Selisë Apostolike në këtë çështje delikate, ishte të mos ndryshohej asgjë. Në thelb, pranohej vendimi i marrë në Berlin, që i garantonte Francës rolin e dorës së parë në mbrojtjen e katolikëve latinë, të pranishëm në perandorinë Otomane.
Në vitin 1888 Propaganda fide, përmes një note, njoftoi se i ftonte të gjithë rregulltarët e pranishëm në Perandorinë Otomane, t’i drejtohshin përfaqësuesit francez për mbrojtjen pranë Portës së Lartë.
Dhjetë vjet më pas (1898), Leoni XIII ripohonte të njëjtin qëndrim në një letër drejtuar kardinalit Langénieux, në të cilën protektorati francez konsiderohej “mision fisnik, caktuar Francës nga provania Hyjnore, mision i fisëm, sanksionuar nga një praktikë shekullore, por edhe nga traktatet ndërkombëtare11. Gjithsesi, pak vjet më pas, marrja e pushtetit nga një klasë politike me orientim radikal, që vuri në zbatim një ligjshmëri antiklerikale, e cila sulmonte drejtpërdrejt Kongregatat fetare dhe veprat e tyre, me qëllim që të zhduknin ndikimin e Kishës mbi shoqërinë franceze, solli me vete akullimin e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjte e qeverisë së re franceze. Një situatë e tillë nuk vonoi të krijonte tensine të reja ndërmjte Vatikanit e Parisit: tensione që përfunduan, pastaj, aty nga fillimi nëntëqindës, me denoncimin e Konkordatit dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.
Pavarësisht nga kjo, qeveria franceze, ndonëse me pritje antiklerikale, nuk i vuri fare në diskutim privilegjet që Sullanët otomanë i kishin njohur prej shekujsh Francës për mbrojtjen e katolikëve në perandorinë otomane e, posaçërisht, në Tokën Shenjte. Ajo i shfrytëzoi këto privilegje (të ashtuajtura “Kapitolacione”), të cilat shumë politikanë radikalë në atdhe i shikonin si anakronike, për të ndikuar mbi vendimet politike të brendshme të Portës së Lartë e, sidomos, për t’u mohuar fuqive të tjera koloniale, domethënë Gjermanisë, Rusisë, Anglisë, e në fund, edhe Italisë, mundësinë që ta drejtonin sipas interesave të tyre politikën ndërkombëtare të Perandorisë Otomane, e cila prej kohe po jepte shenja dobësimi e rëniejeje jo vetëm në fushën territoriale.
Për fuqitë e mëdha evropiane, problemi i vërtetë ishte si t’i ndanin ndërmjet tyre, në rast të shembjes së papritur, mbetjet e “të sëmurit të madh”. Kjo do ta ndryshonte shumë ekulibrin ndërkombëtar të vendosur nga vendet koloniale, e Franca nuk kishte ndër mend ta braktiste pozitën e vet të njohur të këto zona, gjë që në këtë çast, nuk ishte aspak gjë e vogël në planin politik. Selia e Shenjtë, nga ana e saj, nuk bëri asnjë hap, pavarësisht nga kontrastet, për të cilat folëm, për të mos e njohur të ashtquajturin ‘protektorat’ francez, për të mos i dobësuar pretendimet e saj në çastin kur të ndahej plaçka e pasur territoriale”. Kjo, siç dihet, ndodhi pas Luftës I Botërore: mundja e fuqive qëndrore (me të cilat sulltani ishte aleat) i dha goditje vdekjeprurëse Perandorisë Otomane, prej kohe në agoni. Lindi, atëhere, një projekt i ri i Lindjes së Mesme moderne, me brishtësitë e tij të parashikuara e të pakapërcyera, me karakter politik-kulturor e territorial.








All the contents on this site are copyrighted ©.