2014-10-17 14:54:01

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: Të devotshmit skrupolozë


Në muajin e Rruzares, vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Sot, do t’ju flasim për të devotshmit skrupolozë, të cilët shenjti i konsideron në vazhdën e devocioneve të rreme për Zojën e Bekuar.

94. Të devotshmit skrupulozë janë njerëz që druhen se çnderojnë Birin, duke nderuar nënën, se ulin njërin, duke lartuar tjetrën. Nuk mund t’i durojnë lavdet që, me të drejtë, i jepnin etërit e shenjtë Zojës së Bekuar. Sticohen fort, kur shikojnë më shumë njerëz të gjunjëzuar para ndonjë elteri të Marisë, sesa para të Shenjtnueshmit Sakrament, sikur njëra gjë t’i kundërvihej tjetrës, a sikur ata, që i luten Zojës së Bekuar, të mos i luteshin Jezusit, përmes saj. Nuk dëshirojnë të flitet dendur për Virgjërën e shenjtë e as për ata, që i luten tepër shpesh.
Ja disa nga shprehjet e tyre të zakonshme: “E ç’na duhen tërë këto Rruzare, gjithë këta bashkëvëllazëri e sjellje të jashtme devocioni për Zojën e Bekuar? Bien erë injorancë. E bëjnë qesharake fenë tonë. Më flisni për ata, që janë të devotshëm të Jezu Krishtit (e përmendin shpesh, pa treguar kush janë, e them ndërmjet kllapash): duhet t’i drejtohemi Jezu Krishtit, ai është ndërmjetësuesi ynë i vetëm; duhet predikuar Jezusi, kjo, po, është serioze.
Çka thonë është e vërtetë në një farë mënyre; por në krahasim me atë që bëjnë, me pengesat që i krijojnë devocionit ndaj Virgjërës së shenjtë, është shumë e rrezikshme, është kurth i rafinuar i ngrehur nga djalli, me pretendimin e një së mire më të madhe; sepse nuk nderohet kurrë më shumë Jezu Krishti, sesa kur nderohet fort Zoja e bekuar, mbasi atje shkohet pikërisht për të nderuar përsosurisht Jezusin, tek ajo shkohet duke e parë si udhë për të gjetur cakun, ku synojmë të arrijmë, Jezusin.








All the contents on this site are copyrighted ©.