2014-10-17 19:03:58

Në Kosovë kremtohet Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë


Shoqata ‘Nëna Terezë’ e Kosovës dhe karvani ‘Hope and Aid Direct’ nga Anglia, kanë filluar misionin e tyre humanitar për të kremtuar në terren Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë duke nxitur ndërgjegjësimin e institucioneve dhe njerëzve vullnetmirë për të bërë më shumë në ç’rrënjosjen e varfërisë. Na informon Mrikë Ibraj nga Prishtina... RealAudioMP3
Drejtori i Shoqatës ‘Nëna Terezë’, Zef Shala, ka shpjeguar permes një komunikate për shtyp se mbështetja e familjeve nevojtare është misioni kyç i Shoqatës dhe qe 10 vjet lehtëson rrugëtimin e Karvanit Humanitar të vullnetarëve nga Anglia. ‘Dy herë në vit mbledhin të mira humanitare, si ushqime, veshëmbathje, mjete shkollore dhe higjienike dedikuar familjeve, individëve dhe institucioneve në nevojë të Kosovës. Të gjithë ne duhet të tregojmë përgjegjësi për të mbrojtur njerëzit e varfër’, ka thënë Shala. Ai ka potencuar se 17 Tetori paraqet një mundësi për të njohur përpjekjet e atyre që jetojnë në varfëri, dhe një ditë për të ri-theksuar atë që duhet pasur parasysh çdo ditë, se të varfërit janë të parët që luftojnë kundër varfërisë. Shala, ka përcjell porosinë që të ndihmohen të varferit dhe të veprohet me mirësi ndaj tyre.
Përfaqësusesi nga Karvani Anglez, Charles Storer, është shprehur se vizitojnë Kosovën për të ndihmuar familjet që jetojë në kushte të rënda sociale dhe ekonomike. “Në shpalosjen e vlerave të rëndësishme të bamirësisë dhe kontributit në komunitet, Karvani Anglez i bashkohet Shoqatës ‘Nëna Terezë’ në misionin drejtë zhdukjes së varfësirë në Kosovë. Kësaj radhe, përmes ndihmave të mbledhura në Angli, ne po përkrahim mbi 450 familje me 2250 anëtarë, dhe 10 shkolla të mesme e të ulëta në rajonin e Mitrovicës. Përmes vizitave tona në Kosovë, ne synojmë t’u japim zë familjeve, individëve dhe institucioneve të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë përmes lobimit e ngritjes së vetëdijës së qytetarëve për të ditur se në çfarë gjendje janë nevojtarët,” ka thënë Storer.
Shoqata ‘Nëna Terezë’ synon që përmes programeve të veta të ndihmojë në zvoglimin e varfërisë në Kosovë përmes projekteve humanitare me donatorë të jashtëm e të brendshëm. Në data bazën e kësaj shoqate çdo ditë shtohen familje që kanë nevojë për përkrahje në strehim e ndihma elementare për mbijetesë. Për çdo vit, ndihmohen mbi 6000 familje në tërë Kosovën, por në krahasim me nevojat në terren, këto arritje mbeten rezultate simbolike për ShBH ’Nëna Terezë’ në Kosovë.








All the contents on this site are copyrighted ©.