2014-10-17 17:43:32

Me 19 tetor kujtojmë përvjetorin e lumnimit të Nënës sonë Terezë


Sot me 19 tetor kujtojmë përvjetorin e lumnimit të Nënës sonë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut në Vatikan nga Papa Shën Gjon Pali II.RealAudioMP3
Me 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Shën Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e elterit. Ta dëgjojmë çastin kulmor, shqiptimin e FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme:
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.
Sot pra, me 19 tetor, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli, ndërsa vijon të na kujtojë se: “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se ne duhet ta duam njëri-tjetrin, ashti Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.
E duke shfletuar kujtesën tonë historike i dëgjojmë përsëri zërat e shqiptarëve të cilët, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, shprehen emocionin e thellë të atij çasti kur, si rrallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë emrin e kombit shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet atë që Papa Shën Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumturimit të 19 tetorit të vitit 2003 si figurë simbolike të misionit të Kishës, duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte.
Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Shën Gjon Pali II.
Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”. Le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.