2014-10-17 16:18:45

Ati i Shenjtë i shpreh mirënjohje kryeministrit të Shqipërisë për mikpritjen e 21 shtatorit


Një tjetër mesazh i Papës Françesku i drejtohet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Teksti i plotë:
“Shkëlqesisë së Tij, Edi Rama
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Me kujtesë të gjallë për Udhëtimin tim Apostolik në Shqipëri e, në veçanti, për kortezinë e hijshme dhe mikpritjen e ngrohtë, që ju dhe anëtarët e qeverisë, si dhe autoritetet e tjera, më ofruat gjatë etapave të ndryshme të vizitës sime, edhe një herë, ju falënderoj me gjithë zemër.
Ripohoj gjithashtu vlerësimin tim për shembullin që ka dhënë Shqipëria si përsa i përket rilindjes së Kishës Katolike, ashtu edhe marrëdhënieve paqësore dhe të qeta ndërmjet feve të ndryshme. Populli shqiptar është më i riu në Evropë e pikërisht në sajë të kësaj rinie, mund të shohë me besim të madh drejt së ardhmes. Kjo rini përmban gjithshtu në vetvete bazat për progresin e vërtetë shpirtëror, ekonomik dhe kulturor të kombit.
Shpresoj dhe uroj nga zemra që ju dhe qytetarët tuaj të ecni gjithnjë përpara në paqe e në begati. I lutem Zotit t’ju bekojë të gjithëve. Do të vazhdoj të lutem për ju z. kryeministër, për anëtarët e familjes suaj, për bashkëpunëtorët dhe për gjithë popullin e Shqipërisë. Ju kërkoj të luteni për mua.
Vëllazërisht,
Françesku
Nga Vatikani, 27 shtator 2014”.







All the contents on this site are copyrighted ©.