2014-10-16 13:55:56

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: Devocionet e rreme


Në emsionin e 16-të të rubrikës sonë kushtuar muajit të Rruzares, vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Sot, do t’ju flasim për devocionet e rreme.

92. Gjej shtatë lloje të devotshëmsh të rremë e devocionesh të rreme ndaj së Lumes Zojë, e ja cilët janë: 1. të devotshmit kritikë; 2. të devotshmit skrupulozë; 3. të devotshmit për sy e faqe; 4. Të devotshmit fodullë; 5 Të devotshmit e luhatshëm; 6. Të devotshmit hipokritë; 7 Të devotshmit me interes.

93. Të devotshmit kritikë janë, zakonisht, dijetarë mburracakë, shpirtra arrogante e fodulle, që kanë në fund të vetvetes vetëm ndonjë thërrime devocioni për Zojën e Bekuar, por që i kritikojnë pothuajse të gjitha praktikat e devocionit të njerëzve të thjeshtë ndaj kësaj Nëne të mirë, vetëm sepse nuk u shkojnë për shtat. Vënë në dyshim të gjitha mrekullitë dhe faktet e autorëve të denjë të fesë, ose të kronikave të urdhërave fetare, që vërtetojnë mëshirën dhe pushtetin e Zojës së Bekuar. Nuk i shikojnë dot me sy njerëzit e thjeshtë e të pëvuajtuar, në gjunjë, duke iu lutur Hyjit para elterit ose para ndonjë figureje të Zojës, nganjëherë përskaj ndonjë rruge; i padisin për idhujtari, si të adhuronin drurin a gurin; thonë se, përsa u përket atyre, nuk i duan këto sjellje të jashtme fetare e se nuk janë aq shpirligësht sa t’u besojnë ca rrëfimeve e përrallave, që përhapen për Zojën e Bekuar. Kur u kujtojnë lavdet mahnitëse që i bënë etërit e shenjtë Virgjërës, përgjigjen se ata ishin fryt i oratorisë ose i përdorimit të hiperbolave, ose u japin shpjegim të rremë këtyre fjalëve.
Duhet të trembemi shumë nga ky soj të devotshmish të rremë, njerëzish mburracakë e bijsh të kësaj bote, sepse e shtrembërojnë pambarimisht devocionin ndaj Virgjërës së shenjtnueshme dhe i largojnë shumë njerëzit, me pretendimin e shkatërrimit të shpërdorimeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.