2014-10-15 15:21:44

Papa në audiencën e përgjithshme: shpresa e krishterë nuk është optimizëm. Kisha duhet ta mbajë atë të ndezur


Shpresa e krishterë nuk është optimizëm i thjeshtë, por pritje e apasionuar e Jezusit, i cili do të kthehet për të nisur një epokë pa sundim të njeriut mbi njeriun e pa dallime. Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit, destinacionit të fundmë të njerëzimit e të Kishës, sipas këndvështrimit të fesë.
Fjalët më të bukura për shpresën e krishterë i pati thënë para dymijë vjetësh Shën Pali Apostull, kur iu përgjigj selanikasve, që e pyesnin për jetën pas vdekjes: “E kështu, do të jemi gjithmonë me Zotin”. Papa Françesku e përsëriti disa herë këtë frazë dhe u tha ta përsërisnin në kor edhe mëse 50 mijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, si për t’u ngulitur mirë në kokë njerëzve të bombarduar çdo ditë nga dyshime që paraqiten si maja më e lartë e mendimit, se siguria e fundme për të cilën na flet feja nuk është punë çiliminjsh:
“Janë fjalë të thjeshta, por me një dendësi shprese të jashtëzakonshme! ‘E kështu, do të jemi gjithmonë me Zotin!’. A besoni ju në këtë? Më duket se jo… Besoni? A e përsërisim tri herë së bashku? ‘E kështu, do të jemi gjithmonë me Zotin! E kështu, do të jemi gjithmonë me Zotin! E kështu, do të jemi gjithmonë me Zotin!’”.
Reflektimi i Papës Françesku hyri në misterin e përshkruar në Librin e Zbulesës, ku Populli i Zotit merr formën e “Jeruzalemit të ri”, që shkon drejt të dashurit të tij, si të ishte nuse:
“E nuk është vetëm sa për të thënë: do të jetë dasmë e vërtetë! Po, sepse Krishti, duke u bërë njeri si ne e duke na bërë edhe ne një gjë të vetme me Të, me anë të vdekjes e ringjalljes, vërtet u martua me ne…e kjo s’është tjetër veçse plotësimi i planit të bashkimit e të dashurisë, endur nga Zoti gjatë historisë: historia e Popullit të Hyjit dhe historia e secilit prej nesh. Është Zoti ai, që e çon përpara gjithë këtë”.
Imazhi i “Jeruzalemit të ri”, shpjegoi më tej Ati i Shenjtë, thotë edhe një gjë tjetër për Kishën. Ajo është e thirrur të bëhet qytet, simbol i bashkëjetesës dhe i marrëdhënieve njerëzore:
“Do të jetë ‘tenda e Zotit’! E në këtë kornizë të lavdishme nuk do të ketë më izolime, mbizotërime e dallime të asnjë lloji – as të natyrës shoqërore, as etnike apo fetare – por do të jemi të gjithnjë një gjë e vetme në Krishtin”.
Shpresa e krishterë për fundin e kohrave është një skenar i paparë e i mrekullueshëm, tha Papa Françesku. A jemi dëshmitarë të kësaj shprese, pyeti Ati i Shenjtë besimtarët. Apo jemi të lodhur e s’presim asgjë:
“Shpresa e krishterë nuk është thjesht një dëshirë, një urim, nuk është optimizëm: për të krishterin shpresa është pritja e dikujt që po vjen, është Krishti Zot… Atëherë, Kisha e ka për detyrë ta mbajë ndezur në mënyrë të dukshme llambën e shpresës, që të vazhdojë të shndrisë si shenjë e sigurtë shëlbimi e të mund të ndriçojë për gjithë njerëzimin shtegun, që çon në takimin me fytyrën e mëshirshme të Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.