2014-10-15 15:22:27

Papa Françesku: masa të shpejta për zhdukjen e armëve bërthamore e kimike


Papa Françesku kërkon marrjen e masave për zhdukjen e armëve të shkatërrimit në masë, duke filluar nga armët bërthamore e ato kimike: kështu pohoi në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, Imzot Bernardito Auza.
Prelati denoncoi mungesën e përparimeve në fushën e çarmatimit bërthamor. “Paaftësia e shteteve, që zotërojnë armë bërthamore, për të hapur bisedime që çojnë në zvogëlimin e mëtejshëm të rezervave ekzistuese është shqetësuese – theksoi imzot Auza – e ‘modernizimi’ i disa sistemeve dhe rritja e numrit të këtyre armëve është edhe më shqetësuese”. Traktati për mospërhapjen e armëve bërthamore nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.
“Selia e Shenjtë – vijoi më tej vëzhguesi i Vatikanit – mendon se duhet shkuar përtej politikës së parandalimit e duhet punuar për një paqe të qëndrueshme, bazuar mbi besimin e ndërsjellë”. Për këtë, u kërkon të gjitha shteteve të nënshkruajnë e të ratifikojnë Traktatin për ndalimin e përgjithshëm të provave bërthamore si edhe të caktojnë zona të lira nga armët e shkatërrimit në masë. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje universale për eliminimin e këtyre armëve.
Imzot Auza kujtoi denoncimet e vazhdueshme të Papës Françesku për tregtarët e armëve, lakmia e të cilëve për para ushqen konfliktet e si pasojë, edhe vuajtjet e patregueshme e dhunimin e të drejtave të njeriut. “Deri kur një sasi kaq e madhe armësh do të vazhdojë të qarkullojë – përfundoi prelati – do të gjenden gjithnjë pretekste të reja për fillimin e armiqësive e, lehtësia për të pasur armë do të nxisë ushtrimin e dhunës kundër popullsive të pafajshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.