2014-10-15 17:42:05

Bashkësia saleziane në Prishtinë


Mrikë Ibraj nga Prishtina na informon për veprimtarinë e bashkësisë saleziane. Ta dëgjojmë…RealAudioMP3

Bashkësia Saleziane në Prishtinë në vlugun e sukseseve. Don Izidor Llukiq drejtor, don Tomë Nikaj, zëvendësdrejtor dhe Don Pavlin Zefi, janë tre meshtarët e palodhshëm salezianë, të cilët udhëheqin Qendrën Edukative Sociale ‘Don Bosko’. Pak ditë më parë vizitova këtë qendër dhe në hyrje të saj, syri të zë portretin e Don Boskos dhe porosinë e tij: ‘’Mjafton të jeni të rinj, që unë t’ju dua”.

Me shoqëron Don Izidori dhe vizitoj gjithë kthinat e shkollës, pastërtia e nivelit të lartë, qetësi maksimale, ndonëse klasat ishin të mbushura me nxënës. Hapim ngadalë një derë dhe aty vërejmë nxënësit e klasës së parë me mësuesen e tyre gjatë procesit mësimor.
‘I kemi dy klasa të para të shkollës fillore me nga 25 nxënës dhe një klasë të gjashtë. Sivjet kemi filluar për herë të parë me këto grup mosha për të vazhduar viteve tjera deri në të nëntën dhe për ta lidhur shkollimin me Liceun e hapur prej vitesh. Interesimi ka qenë tepër i madh, por këto ishin mundësitë tona. Fëmijët qëndrojnë tetë orë në shkollë, me dy racione ushqimi, kanë një dhomë të rregulluar për pak pushim dhe transport të organizuar’’, kushte që rrallë kund mund ti gjesh’’na thotë Don Izidori. Përfshirë edhe Liceun Elektroteknik këtë vit shton ai, t’i kenë gjithsej 510 nxënës nga Prishtina e komunat tjera të Kosovës, prej tyre 90 për qind të besimit mysliman, por që e kanë përqafuar fort sistemin e mësimit dhe edukimit sipas shembullit të priftit dhe edukatorit, Don Gjon Bosko, me sistem parandalues që bazohet në arsye, në besim, religjion dhe në dashamirësi, për ta përmbushur moton e Don Boskos ‘të parandalojmë çdo të keqe para se të ndodhë’.

Sikurse mijëra shkolla të tilla nëpër botë edhe ‘Don Bosko’ e Prishtinës përpiqet që nxënëseve t’u ofrojë cilësi, korrektësi dhe transparencë. ‘’Në testin kombëtar që monitorohet nga Ministria e Arsimit, 223 maturantët tanë e kanë kaluar këtë test me sukses të lartë, që do të thotë se, ‘Don. Bosko’ punon me kualitet e cilësi dhe në frymën shpirtërore, humane, njerëzore dhe etike. Ndërsa për mirëvajtje të gjithëmbarshme janë aktivë 60 punëtorë, inxhinierë, profesorë të ndryshëm e staf tjetër teknik. Shkolla ndanë edhe nga 100 bursa për fëmijë të varfër dhe bonjakë, por që janë të shkëlqyer në mësime, numëron sukseset Don Izidor Llukiq, drejtor i Qendrës Edukative Sociale‘Don Bosko’ në Prishtinë, duke mos harruar të përmend edhe mësimet online të studenteve, trajnimet profesionale që aplikohen, oratoret e qendrës dhe aktivitetet e ndryshme për fëmijë e të rinj të cilët mund t’i kalojnë ditët e fundjavës në Qendrën ‘Don Bosko’.








All the contents on this site are copyrighted ©.