Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 28-të 'A'
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të
dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të
së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik
të kishës. Në leximet biblike të kësaj së diele dominon tema e banketit esktalogjik,
kumtimi i lavdisë së Zotit, në të cilin nxënësit janë ftuar të marrin pjesë. Është
një mesazh gëzimi plot mirënjohjeje ndaj Zotit: begatia e banketit mesianik, që jehon
në psalmin 22 e plotësohet në vizionin e botës së re pa vdekje as vajtim. Leximet
biblike të kësaj së diele kanë një atmosferë feste e lumturie. Izaia profet, në leximin
e parë, përshkruan një banket të pasur e solemn të organizuar nga një mbret; Mateu
në pjesën ungjillore flet për një banket martesor; psalmi përkujton një tryezë me
qelqe përplot me verë. E fjala e Zotit nuk ngurron të përdorë imazhe kaq njerëzore
e materiale, të lehta për t'u kuptuar, për të vënë në pah misteret e thella të Mbretërisë
së Zotit. Njerëzit thonë se Zoti hesht, se është i largët e nuk mund të gjendet.
Zoti përkundrazi, në dëftimin e tij, na siguron se flet, se thërret, se nxit e se
nuk dëgjohet. Zoti thotë se është Atë, por njerëzit tundohen të jetojnë e të veprojnë
pa Të. Njerëzit mund të rrinë pa Zot, por Zoti nuk mund të rrijë pa njerëz e për këtë
arsye i thërret të gjithë të marrin pjesë në sofrën e vet, edhe mëkatarët. Edhe
këtë të diel, mësimi i Ungjillit trajton refuzimin e shpëtimit. Pasi ka refuzuar Gjon
Pagëzuesin e vetë të Birin e Zotit, Izraeli refuzon edhe të gjitha propozimet e hirit
e ftesat në dasma, që Zoti vazhdon t’i përgatisë përmes apostujve. Në leximin e
parë marrë nga Izaia profet, Zoti paraqitet si mbret fitimtar e shpëtimtar i të varfërve
e si ai që i fton të gjithë popujt në banketin e Sionit. Në kuadrin e jetës fetare
të Besëlidhjes së Vjetër, banketi është shenjë e miqësisë dhe e lumnisë qiellore. Imazhet
e banketit mesianik, të evokuara shpesh nga profetët, përdoren edhe nga Jezusi e interpretohen
si referim i qartë i lavdisë së përjetshme e i festës eukaristike. Në banketin e shpëtimit
janë të thirrur të gjithë njerëzit. Por jo të gjithë e pranojnë. As të gjithë përgjigjen
e vijnë me ndershmëri. Është mësimi shëmbëlltyrës së Ungjillit të kësaj së diele
me të cilën Jezusi demaskon hipokrizinë e krerëve të popullit hebre, fajtorë për refuzimin
e Krishtit e për këtë, përgjegjës të përjashtimit të popullit të zgjedhur nga Mbretëria.
Ata janë të ftuarit e parë në "banketin martesor të dasmës" që ka përgatitur mbreti,
që do të thotë Zoti, " për të Birin e vet", Jezusin, Mesinë e premtuar. Dërgoi tek
ata profetët për të lajmëruar se "gjithçka është gati". Jo vetëm që u treguan indiferentë
e armiqësorë, por madje arritën deri atje sa t’i vrisnin "shërbëtorët e mbretit",
profetët. Shëmbëlltyra ungjillore pasqyron sjelljen negative të njerëzve ndaj mbretërisë,
mendjemadhësinë e njerëzve që mbështeten e besojnë në drejtësinë e fuqinë njerëzore. Ky
fakt shkakton indinjatën e drejtë të mbretit dhe më pas dënimin e dëbimin. Shëmbëlltyra
e Ungjillit të kësaj së diele, në njërën anë trajton temën e gjyqit të mbramë të Zotit
dhe në anën tjetër, temën e shpresës së thirrjes sonë, për të marrë pjesë në sofrën
qiellore si të ftuar e për t'iu përgjigjur me gatishmëri e guxim thirrjes së Zotit.
Pra, duhet të mësojmë të jemi të qëndrueshëm në thirrjen tonë e t'i përgjigjemi
çdo ditë ftesës së dashurisë së Zotit, për të jetuar në përkim me mësimin e vullnetin
e Tij Hyjnor. Liturgjia e Fjalës Leximi
i parë (Is 25, 6-10) Zoti do të bëj një gosti e do të fshijë lotin nga çdo
fytyrë. Lexim prej Librit të Isaisë profet
Zoti Hyji i Ushtrive
do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë
të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti. Në
këtë mal Ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin
që i mbulonte të gjithë popujt. Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo
fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet,
sepse Zoti kështu ka thënë. Dhe do të thuhet po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë!
Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të
galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për
tokë do të shkelmohet në vend të vet Moabi, siç shkelmohet kashta në gropë të plehut. Fjala
e Zotit.
Psalmi 23 (22) Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk
më mungon _____________________________ Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep
pushim, më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. Ai më prin shtigjeve
të drejta në saje të dashurisë së Emrit të vet. _____________________________ Po
edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja sepse
ti je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim. _____________________________ Ti
ma shtron tryezën përpara Ndër sy të armiqve të mi, me vaj erëmirë kryet ma
lyen, gotën ma mbush plot e përplot. _____________________________ Hiri dhe
mirësia do të më përcjellin në të gjitha ditët e jetës sime, do të banoj në
shtëpinë e Zotit derisa të jem gjallë. _____________________________
Leximi
i dytë (Fil 12-14, 19-20) Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve. Vëllezër,
di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka:
të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak! Gjithçka mundem me ndihmën
e Atij që më jep fuqi! Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën
time. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli,
nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala
e Zotit
Ungjilli (Mt 22, 1-14)
Këdo që të gjeni, thirreni
në dasmë! Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut Në atë kohë, Jezusi
filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme
me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të
grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë
të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat e mi e bagëtitë
e majme Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan:
kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët
e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet,
i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të
vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. Shkoni, pra, në
udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ Shërbëtorët dolën nëpër udhë
dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës
u mbush me të ftuar. Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re
aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si hyre këtu pa pasur
petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh
e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ Sepse,
shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.” Fjala e Zotit. Më shumë
mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu.....