2014-10-11 13:51:54

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVII: Themelimi i Patriarkatit Latin të Jeruzalemit (XIII)


RealAudioMP3 Sulltani nisi të interesohej për t’u lidhur me Romën edhe pse nuk e duronte dot ndërhyrjen, në rritje, të fuqive të mëdha evropiane, në punët e brendshme të shtetit, ndërsa synonte t’i linte katolikët e Lindjes së Mesme nën mbrojtjen e Papës e të Shtetit të Kishës, duke i shpërfillur të gjitha sistemete proteksioniste.
Në këtë vit, një delegacion otoman, i kryesuar nga ambasadori turk në Vjenë, Shekib Efendiu, vizitoi Kuirinalen (asokohe seli e papëve) për t’u marrë vesh drejtpërdrejt me Papën Piu IX. Papa i priti me interes të veçantë propozimet e Portës së Lartë. Ambasadori turk e siguroi se sulltani “dëshironte të jetonte në miqësi me Shenjtërinë e Tij e se do t’i mbronte gjithë të krishterët, që jetonin në trojet e pafundme ku sundonte”.
Gjatë bisedimeve u morën vendime shumë të rëndësishme, që ndikuan fuqimisht mbi jetën e bashkësive katolike të Lindjes. Selia e Shenjtë vërejti se nuk hynte në kompetencat e saj të merrte mbi vete mbrojtjen e katolikëve në Lindjen e Mesme e, prej këndej, as ta ndryshonte sistemin në fuqi (aq më tepër sepse Franca, në vitin 1831, kishte marrë nga Sulltani lejën të krijonte një ‘milet’ të pavarur për katolikët), por Papa, si kryetar i këtyre bashkësive, mund ta organizonte jetën e brendshme të bashkësive lindore, mbi bazën e kërkesave të reja shpirtërore.
Kështu Selia Apostolike kërkoi, e edhe e siguroi, emërimin e një Delegati apostolik (me ndikim të ligshtë diplomatik) pranë Portës së Lartë. Delegati nuk e kishte për detyrë t’i mbronte katolikët, por të bashkërendonte veprimtaritë misionare në Perandorinë turke e të nxiste zhvillimin e tyre. Për shak të ngjarjeve, nisur me Risorxhimenton (Lëvizja për Bashkimin e Italisë, në shekullin XIX), që ia hoqi Papës shtetin e Kishës, duke e kufizuar sovranitetin e tij vetëm mbi qytetin e Romës, e edhe të manovrave të qeverisë franceze, që synonin bllokimin e projektit, ai u relizua vetëm në vitin 1867.
Piu IX, më 4 tetor 1847, njoftoi publikisht se Porta e Lartë e kishte autorizuar përtëritjen e Patriarkatit latin të Jeruzalemit, nën jurisdiksionin e të cilit përfshiheshin të gjithë katolikët e perandorisë. Ipeshkëv u emërua imzot Giuseppe Valerga. Ishte sukses i madh. Që nga koha e kryqëzatave asnjë ipeshkëv latin nuk kish mundur më të vendosej në Tokën e Shenjtë. Gjithsesi kjo arritje, siç parashikohej, krijoi shumë probleme me karakter si administrativ, ashtu edhe diplomatik në gjirin e botës katolike lindore.
Në rastin e parë ishin françeskanët e Rojtarisë së Tokës së Shenjtë, që krijuan vështirësitë fillestare. Ata kërkonin administrimin e plotë të Viseve të Shenjta, mbi bazën e marrëveshjeve, që lidheshin me ruajtjen e status quo(gjendjes ekzistuese). Ndërsa në planin diplomatik, krijimi i patriarkatit latin u kundërshtua fuqimisht nga Franca, e cila druhej se Papa mund të emëronte patriark ndonjë italian ose austriak, gjë që do ta dobësonte shumë pozitën e franceze lidhur me mbrojtjen e të krishterëve, siç edhe ndodhi. Megjithatë, duhet vërejtur se kundërshtarët më të fuqishëm të krijimit të patriarkatit, qenë vetë bashkësitë katolike lindore, të cilat shikonin në këtë veprim përpjekjen nga ana e Kuries Romake, për “t’i latinizuar” Kishat e ritit lindor. Në krye të kësaj revolte ishte Kisha melkite, patriarku i së cilës kishte edhe titullin “patriark nderi i Jeruzalemit dhe i gjithë Lindjes”. Por kështu e humbiste parinë, që e kishte gëzuar deri në këtë kohë.
Masat, që mori Selia e Shenjtë në këtë periudhë, me mbështetjen e Portës së Lartë, kishin për qëllim centralizimin e një realiteti tejet heterogjen e, pavarësisht nga kundërshtimet, fuqizimin e lidhjeve ndërmjet qendrës (Romës) e periferisë. Për ta realizuar këtë, në vitin 1862 u vendos që në gjirin e Propaganda Fides të krijohej një seksion, i ngarkuar posaçërisht për drejtimin e marrëdhënieve me bashkësitë katolike të Lindjes (Pro negotiis orientalibus). Duhet thënë se këto masa nuk u pritën me entuziazëm në botën lindore: disa druheshin se Selia e Shenjtë, me këto masa përtëritëse, synonte ta romanizonte ose, siç e thamë më lart, ta ‘latinizonte’ një realitet kishtar, që ishte e donte të mbetej i përbërë nga shumë bashkësi, larg çdo centralizimi.
E kjo, me synimin e shmangjes së rrezikut të centralizimit, a, më mirë të themi, të rrafshmnit të kulturave vendase, nga kultura dhe mendësia latine, domethënë, evropiane. Mund të pohojmë, prandaj, se pa e vënë kurrë në diskutim autoritetin e papës, këto Kisha i shikuan me dyshim metodat e reja që, sipas tyre, nuk i përfillnin në masën e duhur rolet e traditat shumë të lashta (posaçërisht në fushën disiplinore e liturgjike), që donin t’i ruanin nga rreziku i “infektimit perëndimor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.