Kisha në Sri Lankë: 100 ditë përgatitjeje për vizitën e Papës
Do të jenë 100 ditë të një përgatitje të veçantë shpirtërore, me Meshë të Shenjta,
takime lutjeje, vepra bamirësie, gjatë të cilave çdo besimtarë është i ftuar të bëjë
një gjest pendese të “ndreqjes”- “përmirësimit”, do të thotë të lirimit nga e keqja
përmes një vepre të mirë: kjo është nisma që ka propozuar Kisha katolike në Sri Lankë,
në kuadrin e vizitës së Papa Françeskut, që do të jetë në ishull nga data 13 deri
më 15 janar të vitit 2015. Lajmërimi i 100 ditëve – njofton agjencia Fides – është
bërë gjatë Meshës kremtuar më 5 tetorin e kaluar në Bazilikën kombëtare Zoja e Bekuar
e Lankës. “Kemi nevojë për një përgatitje shpirtërore më të thellë për vizitën e Atit
të Shenjtë Bergoglio dhe për kanonizimin e të Lumit Josef Vaz”, shpjegoi ipeshkvi
ndihmës i kryedioqezës së Kolombos, imzot Emmanuel Fernando, duke përuruar fillimin
e 100 ditëve. Gjatë kremtimit të Meshës u ilustrua edhe tema e zgjedhur e kësaj
vizite papnore, “Qëndroni në dashurinë time”, marrë nga Ungjilli i Gjonit. Pastaj
u njoftuan edhe aktivitetet tjera shpirtërore organizuar nga Komiteti përgatitor:
mes tjerash u shpërnda edhe një lutje e veçantë për t’u recituar në Kisha e në shtëpi
dhe një tekst i posaçëm për adhurimin e të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë
me fëmijë, tekst që do t’i ofrohet Papës për kanonizimin e të Lumit Jozef Vaz. Çdo
besimtarë, pastaj, është ftuar të bëjë, gjatë kësaj kohe, një gjest konkret “përmirësimi”,
në kuadrin pendestar të mëshirës e përdëllimit ndaj të afërmit tonë.