Papa Françesku: të mos mësohemi me ndarjen ndërmjet të krishterëve, të shohim ç’na
bashkon
Katekizmi i sotëm i Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën
Pjetrit, ndërsa vijon Sinodi i familjes në Vatikan, pati si temë kryesore ekumenizmin.
Nuk duhet të mësohemi me ndarjet ndërmjet të krishterëve, theksoi Ati i Shenjtë, por
duhet të lutemi për njëri-tjetrin, të ecim së bashku, të bëjmë vepra bamirësie, duke
parë ç’na bashkon. Ndarja e bashkimi i të krishterëve kanë qenë gjithnjë të pranishme
në histori, që nga koha e Çenakullit e në vijim: “Edhe sot, marrëdhëniet nuk
karkaterizohen gjithnjë nga respekti e përzemërsia… Por, pyes: si e përballojmë gjithë
këtë? Edhe ne mësohemi me këtë ndarje, madje, jemi indiferentë para saj? Apo besojmë
fuqishëm se mund e duhet të ndryshojë drejt pajtimit e bashkimit të plotë? Bashkimi
i plotë, pra, pjesëmarrja e të gjithëve në Korpin e Gjakun e Krishtit”. Kur
jemi të ndarë, vijoi Papa, i hapim plagë Krishtit. Ati i Shenjtë hodhi vështrimin
në të kaluarën, në çarjet e shumta të familjes së krishterë, që mbeten për një kohë
aq të gjatë, sa vështirë të kujtohen edhe arsyet e tyre, por sidomos, vështirë të
gjenden zgjidhjet. Françesku u vuri vulën e “turpit” të gjitha luftrave të brendshme
në Kishën e së kaluarës: “Arsyet, që kanë sjellë ndarje e përçarje mund të
jenë nga më të ndryshmet: që nga mosmarrëveshjet për parimet dogmatike e morale, për
konceptimet teologjike e baritore të ndryshme, e deri tek arsyet politike ose të leverdisë,
duke arritur në ndeshje edhe për shkak të antipative e të ambicieve personale… E sigurtë
është se, në një mënyrë apo në një tjetër, pas këtyre skërmitjeve qëndron gjithnjë
mendjemadhësia dhe egoizmi, të cilat janë shkak për çdo mosmarrëveshje, na bëjnë intolerantë,
të paaftë për të dëgjuar e pranuar këndvështrimin apo qëndrimin e ndryshëm nga i yni”. Mësimi,
që nxjerrim prej kësaj, është mëse i qartë, sintetizoi Papa: duhet të kërkojmë vazhdimisht
bashkimin, në vazhdimësi me atë të Jezusit, në fillimet e krishterimit. Krishti na
kërkon të lutemi gjithnjë për bashkimin e të krishterëve e ta hapim zemrën për gjithçka
të mirë në njerëzit, që nuk mendojnë si ne: “Na kërkon të mos e fiksojmë vështrimin
në çka na ndan, por në çka na bashkon, duke u përpjekur ta njohim e ta duam më shumë
Jezusin e ta ndajmë me të tjerët pasurinë e dashurisë së Tij… Ta ndihmojmë njëri-tjetrin!
Por ti e mendon kështu e jo ashtu… Në të gjitha bashkësitë ka teologë të mirë: le
të diskutojnë ata, le ta kërkojnë ata të vërtetën teologjike, sepse kjo është detyra
e tyre, por ne të ecim së bashku, duke u lutur për njëri-tjetrin e duke bërë vepra
mëshire”. Mendimin e fundit për të përkufizuar “bashkimin në ecje”, apo “ekumenizmin
shpirtëror” – siç i quan – Papa Françesku e gjen në një përvjetor personal, që mban
datën 8 tetor 1944: “Sot, unë i jam mirënjohës Zotit, sepse mbushen 70 vjet,
që kur kam marrë Kungimin e Parë. Por të gjithë duhet ta dimë se kur marrim Kungimin
e Parë, hyjmë në bashkim me të tjerët, në bashkim me vëllezërit e Kishës sonë, por
edhe në bashkim me të gjithë ata, që u përkasin konfesioneve të ndryshme, por besojnë
në Jezusin. Ta falenderojmë Zotin për Pagëzimin, ta falenderojmë edhe për Kungimin
e ta lusim që ky Kungim, ky bashkim, të jetë i të gjithëve”. Gjatë përshëndetjeve
në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku iu drejtua veçanërisht promovuesve të Ditës Evropiane
për dhurimin e organeve. Uroj, tha Ati i Shenjtë, që me këtë formë të veçantë të dëshmisë
së dashurisë për të afërmin të shmangen abuzimet me vdekjen e dhuruesve, e cila duhet
të jetë e sigurtë, dhe të luftohet trafiku e shitblerja e organeve.