Papa në Engjëllin e Tënzot: familja ecën mirë, nëse ushqehet me Fjalën e Zotit
Që familja të ecë mirë përpara e të qëndrojë gjithnjë e bashkuar, duhet ushqyer me
Fjalën e Zotit. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit,
Papa Françesku i ftoi të pranishmit të lexojnë shpesh Shkrimin Shenjt, duke i ftuar
të merrnin një Bibël, shpërndarë sot nga paolinët. Gjithashtu, nuk mungoi të flasë
sërish mbi Sinodin e jashtëzakonshëm për Familjen, duke kërkuar lutje: “I ftoj të
gjithë t’i mbështesin punimet e Sinodit me lutje, duke iu drejtuar Zojës, duke kërkuar
ndërhyrjen amnore të Shën Marisë Virgjër. Në këtë çast, bashkohemi shpirtërisht me
të gjithë ata, që në Shenjtoren e Pompeit, i lartojnë “Lutjen” tradicionale Zojës
së Rruzares. Nxjerrtë nga Zoti paqen për familjet e për mbarë botën”. Sot,
kujtoi më pas Ati i Shenjtë, Ungjilli na paraqet imazhin e vreshtit, si simbol i popullit
të zgjedhur prej Hyjit. Ashtu si vreshti, vërejti Papa, edhe populli ka nevojë për
shumë përkujdesje, për dashuri e durim. E kujdesi për familjen është njëra nga mënyrat
për të punuar në vreshtin e Zotit, tha Françesku: “Që familja të ecë mirë,
me besim e shpresë, duhet të ushqehet me Fjalën e Hyjit. Kjo përkon bukur me faktin
se pikërisht sot, vëllezërit tanë paolinë vendosën të shpërndajnë Biblën, këtu, në
shesh, e në shumë vende të tjera. Falenderojmë vëllezërit paolinë. E bëjnë këtë, me
rastin e njëqind vjetorit të themelimit të tyre, nga ana e të Lumit Giacomo Alberione,
apostull i madh i komunikimit”. Prandaj, sot, ndërsa hapet Sinodi për Familjen,
shtoi Papa, me ndihmën e Paolinëve mund të themi: “Një Bibël për çdo familje!
Një Bibël për çdo familje. Jo për ta vënë në raft, por për ta mbajtur afër, që ta
lexojmë shpesh, çdo ditë, si individualisht, ashtu edhe së bashku, burrë e grua, prindër
e fëmijë, ndoshta në mbrëmje, sidomos të dielave. Kështu familja rritet, ecën, me
dritën dhe forcën e Fjalës së Zotit”. Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa
kujtoi se dje, në SHBA-të, u shpall e Lume motër Maria Teresa Demjanovich e Murgeshave
të bamirësisë të Shën Elizabetës. “Dishepulle e Krishtit – e quajti Françesku – që
kaloi një jetë thellësisht të përshpirtshme”. E duke shfrytëzuar Ditën e sotme italiane
për zhdukjen e barrierave arkitektonike, Ati i Shenjtë e përfundoi Engjëllin e Tënzot
me fjalë të vlefshme për të gjitha administratat politike të botës: “Inkurajoj
të gjithë ata, që punojnë për të garantuar mundësi të barabarta jetese për të gjithë,
pavarësisht nga kushtet fizike të çdo individi. Uroj që institucionet dhe çdo qytetar
të jenë gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj këtij objektivi të rëndësishëm shoqëror”.