2014-10-02 11:46:26

Çelësi i fjalëve të Kishës: Lexojmë Letrën e Gjon Palit II drejtuar familjeve


Në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”, vijojmë të lexojmë Letrën e Shën Gjon Palit II drejtuar familjeve, kur na ndajnë më pak se tri ditë nga Sinodi i jashtëzakonshëm për familjen, shpallur nga Papa Françesku. Në fragmentin e sotëm flitet për krizën e epokës, kur u shkrua kjo letër (1994), e cila pati karakteristika shumë të ngjashme me kohën tonë, gjë që e bën të dobishëm leximin e saj sot. Shkruan Shën Gjon Pali II:
Kush mund ta mohojë se epoka jonë është në krizë të madhe, e cila shfaqet para së gjithash si “krizë e thellë e të vërtetës”? Krizë e të vërtetës do të thotë, para së gjithash, krizë konceptesh. Fjalët “dashuri”, “liri”, “dhurim i sinqertë”, por edhe fjalët “njeri”, “të drejtat e njeriut”, a e shprehin në realitet përmbajtjen e tyre? Kjo është arsyeja për të cilën Enciklika Veritatis splendor (Shkëlqimi i së vërtetë) është shumë domethënëse dhe e rëndësishme për Kishën e për botën, kryesisht në Perëndim. Vetëm nëse e vërteta, që ka të bëjë me lirinë dhe me bashkimin mes njerëzve në martesë e në familje, e fiton shkëlqimin e vet, do të nisë me të vërtetë edhe ndërtimi i qytetërimit të dashurisë e atëherë do të jetë e mundur të flitet në mënyrë të frytshme, siç flet Koncili, për “vlerësimin e dinjitetit të martesës e të familjes”.
Pse ka kaq shumë rëndësi “shkëlqimi i së vërtetës”? Para së gjithash, ka rëndësi si kundërshti: zhvillimi i qytetërimit bashkëkohor lidhet me përparimin shkencor-teknologjik, i cili zhvillohet shpesh në mënyrë të njëanëshme, duke paraqitur, rrjedhimisht, karakteristika pastërtisht pozitiviste. Pozitivizmi, dihet, shkakton agnosticizmin (pamundësinë për të njohur të vërtetën) në fushën teorike dhe utilitarizmin (rendjen pas gjërave që kanë dobi praktike) në fushën praktike dhe etike. Në kohën tonë historia po përsëritet, në një farë kuptimi. Utilitarizmi është qytetërimi i prodhimit dhe i kënaqjes, qytetërimi i “gjërave” dhe jo i “njerëzve”; qytetërim në të cilin njerëzit përdoren, siç përdoren gjërat. Në kontekstin e qytetërimit të kënaqjes, gruaja mund të bëhet objekt për burrin, fëmijët pengesë për prindërit, familja institucion, i cili e pengon lirinë e anëtarëve, që e përbëjnë. Për t’u bindur në lidhje me këtë, mjafton të shohim disa programe të edukimit seksual, që jepen nëpër shkolla, shpesh pa marrë parasysh mendimin e kundërt, madje edhe protestat e shumë prindërve; ose prirjet abortiste, të cilat përpiqen më kot të fshihen pas të të ashtuquajturës “e drejta për të zgjedhur” (pro choice), që duan të kenë dy bashkëshortët, veçanërisht gruaja. Janë vetëm dy shembuj prej shumë të tjerëve që mund të kujtonim.
Është e qartë se, në një gjendje të tillë kulturore, familja nuk mund të mos ndjehet e kërcënuar, për shkak se vihen në rrezik vetë themelet e saj. Gjithçka që është kundër qytetërimit të dashurisë, është kundër tërë së vërtetës mbi njeriun dhe bëhet kërcënim për të: nuk e lejon të gjejë vetveten dhe të ndjehet i sigurt si bashkëshort, si prind, si bir.
I ashtuquajturi “seks i sigurt”, i propaganduar nga “qytetërimi i teknikës”, është, në të vërtetë, nën profilin e kërkesave tërësore të njeriut, thellësisht i pasigurt, madje shumë i rrezikshëm. Njeriu, kështu, gjendet në rrezik dhe poashtu gjendet në rrezik edhe familja. Cili është rreziku? Është humbja e së vërtetës rreth vetvetes, të cilës i shtohet humbja e lirisë dhe, për rrjedhojë, humbja e vetë dashurisë. “Do të njihni të vërtetën - thotë Jezusi - dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gj 8,32): e vërteta, vetëm e vërteta, do t’ju përgatisë për dashurinë për të cilën mund të thuhet se është “e bukur”.
Familja bashkëkohore, sikurse ajo e të gjitha kohrave, është në kërkim të “dashurisë së bukur”. Një dashuri jo “e bukur”, ose e kufizuar vetëm tek kënaqja e epshit (khs 1 Gj 2,16), ose tek “përdorimi” i ndërsjellë i burrit dhe i gruas, i bën njerëzit skllevër të dobësive të tyre. A nuk çojnë drejt kësaj skllavërie disa “programe kulturore” moderne? Janë programe që “luajnë” me dobësinë e njeriut, duke e bërë kështu gjithnjë më të dobët e të pambrojtur.
Qytetërimi i dashurisë zgjon gëzimin: gëzimin, ndër të tjera, sepse një njeri vjen në botë (khs Gj 16,21) dhe, për rrjedhojë, sepse bashkëshortët bëhen prindër. Qytetërimi i dashurisë do të thotë “të gëzohesh me të vërtetën” (khs 1 Kor 13,6). Por një qytetërim i frymëzuar nga mentaliteti konsumist, që është kundër lindjeve, nuk është e nuk mund të jetë kurrë qytetërimi i dashurisë. Nëse familja është kaq e rëndësishme për qytetërimin e dashurisë, është e tillë në sajë të lidhjeve të forta e të thella, që lindin brenda saj ndërmjet njerëzve dhe brezave. Megjithatë, ajo mbetet e lëndueshme e mund të pësojë lehtë rreziqet që e dobësojnë ose edhe e shkatërrojnë bashkimin dhe qëndrueshmërinë e saj. Si rrjedhojë e këtyre rreziqeve, familjet nuk dëshmojnë më qytetërimin e dashurisë, madje mund edhe ta mohojnë atë, mund ta kundër-dëshmojnë, në një farë mënyre. Familja e shkatërruar mund të përforcojë, nga ana e vet, një lloj “kundër-qytetërimi”, duke e shkatërruar dashurinë në nivelet e ndryshme të shprehjes së saj, me pasoja të pashmangshme për tërë jetën shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.