Vatikan, mbledhje për Lindjen e Mesme. Papa denoncon trafikun e armëve
Filloi sot, me një takim me Papën në Vatikan, mbledhja e nuncëve apostolikë të Lindjes
së Mesme me eprorët e Kuries Romake për të diskutuar mbi krizën, që ka përfshirë krejt
rajonin. Punimet, që po zhvillohen në Bibliotekën e Sekretarisë së Shtetit, do të
përfundojnë të shtunën paradite. Tema qendrore është “Prania e të krishterëve
në Lindjen e Mesme”, për të cilën Papa Françesku është thellësisht i shqetësuar. Sipas
drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, Ati i Shenjtë
u kërkoi të pranishmëve të luten e të gjejnë zgjidhje për lehtësimin e gjendjes dramatike,
në të cilën jetojnë të krishterët e zonës, për shkak të luftrave e të terrorizmit.
Papa përmendi trafikun e armëve, bazë për shumë probleme, si edhe dramën humanitare,
që përjetojnë njerëzit e detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Duke theksuar rëndësinë
e lutjes, Ati i Shenjtë uroi të mendohet për nisma në nivele të ndryshme, për t’u
shprehur të krishterëve të Lindjes së Mesme solidaritetin e gjithë Kishës, duke përfshirë
edhe bashkësinë ndërkombëtare e të gjithë njerëzit vullnetmirë, në mënyrë që të gjenden
përgjigje për nevojat e shumta të personave, që vuajnë në atë rajon.