2014-10-02 14:22:23

Papa: puna është e drejtë për të gjithë e jo një “variabël” i tregut


Shteti i së drejtës shoqërore nuk duhet shkatërruar, sidomos e drejta themelore për punë: kjo qe tema e bisedës së Papës Françesku në takimin me pjesëmarrësit e asamblesë së përgjithshme të Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, që vijon në Vatikan. Janë urgjente reformat për rishpërndarjen e pasurisë dhe për sigurimin e arsimimit e të mjekimit për gjithë të varfërit.
Nuk mund të varet nga humori i bursave ajo, që është thelbësore për dinjitetin e çdo njeriu, sidomos kur për miliarda vetë, ky dinjitet vlerësohet me “më pak se dy dollarë në ditë”. Puna, sipas Atit të Shenjtë, nuk është e drejtë e tjetërsueshme e s’mund të varet nga kriza e globalizimit pa kontroll, e cila ka krijuar pabarazi të reja dhe e ka keqësuar më tej ekuilibrin ndërmjet të varfërve e të pasurve:
“Një mungesë e tillë e ekuilibrit, jo vetëm nuk e respekton dinjitetin e atyre, që mbushin radhët e krahëve të punës me çmim të lirë, por i shkatërron burimet e punës edhe në ato rajone ku ruhet më mirë ky ekulibër. Problemi është krijimi i mjeteve për mbrojtjen e së drejtës për punë, si edhe për mbrojtjen e ambientit, në praninë e një ideologjie konsumiste në rritje, që nuk tregon përgjegjësi për qytetet e gjithësinë”.
Në Thirrjen Apostolike “Evangelii gaudium”, kujtoi Françesku, arsimi, asistenca shëndetësore dhe puna janë tri mjete themelore për përfshirjen e nevojtarëve në shoqëri:
“Me fjalë të tjera, Shteti i së drejtës shoqërore nuk duhet shkatërruar e në veçanti, e drejta themelore për punë. Kjo nuk mund të konsiderohet ndryshore, që varet nga tregjet financiare e monetare… Botëkuptimet, që pretendojnë ta rrisin prodhueshmërinë duke zvogëluar numrin e vendeve të punës – gjë që krijon të mënjanuar të rinj – nuk përkojnë me një ekonomi në shërbim të njeriut e të së mirës së përbashkët, me një demokraci gjithëpërfshirëse”.
Papa kërkon reforma që ndihmojnë familjet, që synojnë rishpërndarjen e pasurive si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Zgjidhja nuk është e lehtë, pranon Ati i Shenjtë, i cili këshillon të rilexohet “Caritas in veritate”, shkruar nga Benedikti XVI, ku shpjegohet se dashuria ndërmjet njerëzve, e bazuar mbi të vërtetën, është baza për arritjen e paqes shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.