Me 2 tetor kalendari kujton festën e Engjëjve të Rojës
Sot me 2 tetor kalendari Kishtar përkujton festën e Engjëjve të Rojës Përkujtimi
i Engjëjve të Shenjtë, sot të përmendur në mënyrë të qartë në ‘Martirologun Romak’
të Kishës Katolike, si Engjëjt e Rojës, kremtohet që nga viti 1670 më 2 tetor, datë
e caktuar nga Papa Klementi X (1670-1676); Kisha Ortodokse e kremton këtë festë më
11 janar. Në historinë e shëlbimit, Hyji ia beson Engjëjve misionin për t’i mbrojtur
patriarkët, shërbëtorët e tij e tërë popullin e zgjedhur. Shën Pjetri në burg lirohet
nga Engjëlli i tij. Jezusi në mbrojtje të të vegjëlve thotë se Engjëjt e tyre e shohim
gjithmonë fytyrën e Atit që rri në Qiell. Pra, prania e padukshme e këtyre shpirtrave
të lum, e Engjëjve të Rojës na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh
e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në
çdo çast. Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të
shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta: “Engjëjt dërgohen
nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra
drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut
qiellor”. Engjëjt e Rojës , pra, janë figura qiellore të pranishme në universin
fetar e kulturor të Biblës, si dhe në shumë besime të lashta. Engjëjt e Rojës paraqiten
gjithnjë si qenie me krahë, simbol i forcës ndërmjetësuese të Zotit tek njeriu. Fjala
engjëll vjen nga greqishtja e lashtë "anghelos - lajmëtar". Nuk është, prandaj, aspak
e rastit që në gjuhën biblike termi engjëll tregon një person të dërguar prej Zotit
për të kryer një mision. Me këtë kuptim kjo fjalë përdoret 175 herë në Besëlidhjen
e Re e 300 herë në Besëlidhjen e Vjetër, ku flitet edhe për funksionin e ushtrisë
qiellore, të ndarë në nëntë shkallë hierarkike: Kerubinët, Serafinët, Fronet, Sundimet,
Autoritetet, Virtytet qiellore, Principatat, Kryeengjëjt, Engjëjt. Sot figurat
e engjëjve vijojnë të kujtohen në predikimet liturgjike, madje përdoren shpesh si
simbole edhe nga mjetet e komunikimit. Gjithsesi çdo i krishterë e di se ka një engjëll
të rojës, i cili e shoqëron në çdo hap të jetës e të cilit i lutet çdo mëngjes e mbrëmje
ta shndrisë, ta ruajë, ta mbrojë, ta sundojë. Ta kërkojmë me besim ndihmën dhe mbrojtjen
e Engjëjve të Rojës.