2014-10-02 11:57:03

Françesku: Engjëlli i Rojes ekziston, t’i dëgjojmë këshillat e tij


Engjëlli i Rojes ekziston, nuk është fantazi, por një shok, që Zoti na e ka vënë pranë në udhën e jetës: kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, pikërisht në ditën kur Kisha Katolike kremton kujtimin e Engjëjve të Rojës.
Leximet e ditës paraqesin dy imazhe: engjëllin dhe fëmijën. Zoti, nënvizoi Papa, i ka dhënë secilit një engjëll që ta ruajë. Nëse ndokush prej nesh mendon se mund të ecë i vetëm, gabon rëndë e mund të bjerë në mëkatin e krenisë, të mendjemadhësisë. Jezusi u mëson apostujve të jenë si fëmijët. Dishepujt, komentoi Ati i Shenjtë Ungjillin, grindeshin ndërmjet tyre, kush ishte më i madhi. Këta janë ipeshkvijtë e parë e që atëherë, tundoheshin nga karrierizmi, vuri në dukje Papa. Ndërsa Jezusi u mëson atyre si duhet të sillen vërtet, si fëmijët. Pra, të jenë të butë, t’i dëgjojnë këshillat kur kanë nevojë për to, të kërkojnë ndihmë kur u duhet, ashtu si fëmijët. Kjo është udha, tha Papa, jo grindja për të caktuar kush është më i madh. Vetëm kështu, zemra është më pranë Atit Qiellor:
“Të gjithë ne, sipas traditës së Kishës, kemi me vete një engjëll, që na ruan, na bën t’i ndjejmë gjërat. Sa herë ndjejmë brenda vetes: ‘Po…këtë…duhet ta bëj kështu, kjo tjetra nuk shkon, kujdes…’: sa herë! Është zëri i këtij shoku të udhës. Të jemi të sigurtë se ai do të na çojë deri në fund të jetës me këshillat e veta, prandaj ta dëgjojmë zërin e tij, të mos rebelohemi… Sepse rebelimi, dëshira për të qenë të pavarur, është diçka që e kemi brenda; është mendjemadhësia, ajo që pati ati ynë Adami në Parajsën tokësore: po ajo. Mos ngri krye pra: ndiqi këshillat e engjëllit”.
Askush nuk ecën i vetëm e askush nuk mund të mendojë se është i vetëm në jetë, vijoi Papa, pasi të gjithë kemi këtë shok udhe, që na shoqëron kudo:
“E kur nuk duam t’i dëgjojmë këshillat e tij, zërin e tij, është si t’i themi: ‘Ik, largohu!’. Por, ta largosh këtë shok udhe është e rrezikshme, pasi asnjë burrë e asnjë grua nuk mund të këshillojë vetveten. Mund t’i jap këshilla një tjetri, por jo vetvetes. Është Shpirti Shenjt ai, që më këshillon, është engjëlli, që më këshillon. Kemi nevojë për të. Kjo nuk është ndonjë doktrinë plot fantazi për engjëjt: jo, është realiteti. Këshu na ka thënë Jezusi, kështu na ka thënë Zoti: ‘Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë, për të shoqëruar gjatë udhës, që të mos gabosh’”.
Papa Françesku e përfundoi homelinë me fjalët:
“Unë sot, do të bëja këtë pyetje: si i kam marrëdhëniet me engjëllin tim të rojes? A e dëgjoj? A i them mirëmëngjes, kur zgjohem? A i them: ‘Më ruaj kur fle’? A flas me të? A i kërkoj këshillë? Është pranë meje. Kësaj pyetjeje mund t’i japim përgjigje sot, secili prej nesh: si janë marrëdhëniet me këtë engjëll, që Zoti na e ka dërguar për të më ruajtur e për të më shoqëruar në udhë. Ai e sheh gjithnjë fytyrën e Atit, që është në qiell”.








All the contents on this site are copyrighted ©.