2014-10-01 15:58:57

Përvjetori i‘Hylli i Dritës’, revistës së françeskanëve shqiptarë


Revista zëmadhe e françeskanëve shqiptarë ‘Hylli i Dritës’, shënon sot përvjetorin e botimit. Shfletojmë kalendarin, për të përkujtuar daljen e numrit të parë më 1 tetor 1913 të revistës së njohur të françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës" - pasqyrë e lavdishme, por jo më pak tragjike, e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo, duke shkruar sa me bojë, aq me jetë e deri edhe gjak..
Numri i parë i revistës ‘Hylli i Dritës’ u botua më 1 tetor 1913, për t'u ndëprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore.

"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsè âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).

Revista ‘Hylli i Dritës’ rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtuar rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga fretërit e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt u ngrit në rang të lartë që kishte pasur dikur ajo dhe revista ‘Leka’ e etërve jezuitë. Por po aq shpejt iu desht edhe të mbyllej sërisht.
Në këtë periudhë të pas komunizmit, ‘Hylli i Dritës’ u botua deri ne vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të re, rifilloi përsëri të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë por kësaj radhe nën kujdesin e prof. Ardian Ndrecës.







All the contents on this site are copyrighted ©.