2014-10-01 18:57:18

Papa Françesku takohet me një delegacion të familjarëve dhe të mbijetuarve nga mbytja e emigrantëve në Lampeduzë


Sot, pasdite, nga ora 16.30 në orën 17.00, në një dhomë pranë Sallës së audiencave të përgjithshme “Pali VI”, Papa Françesku priti një delegacion emigrantësh të mbijetuar nga mbytja e barkës me të cilën kishin marrë rrugën për në Itali, më 3 tetor 2013. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi njofton se në grupin që u takua me Atin e Shenjtë ishin edhe disa familjarë të të mbyturve, që – po e kujtojmë - arritën shifrën 368 vetë.
37 emigrantët e delegacionit, të gjithë eritreas, ardhur në Romë nga vende të ndryshme të Evropës, ku jetojnë tashmë, ndodhen në Itali pikërisht për të përkujtuar 1-vjetorin e ngjarjes së tmerrshme, e cila nuk mund të mos u çojë ndërmend shqiptarëve Tragjedinë e Otrantos, nëse jo për tjetër, për ngjashmërinë. Njëri nga emigrantët i kërkoi Atit të Shenjtë mbështetje e përkrahje, sidomos për identifikimin e kufomave. Një tjetër i foli Papës në gjuhën e vet, një tjetër akoma e falenderoi për ndihmën, që u jep emigrantëve dhe refugjatëve.
Papa Françesku iu drejtua i mallëngjyer të pranishmëve, me fjalët:
“…Ndjej gjëra që s’mund të tregohen, sepse s’ka fjalë për t’i treguar. Gjithçka për të cilën keni vuajtur, kundrohet në heshtje, derdhen lot e kërkohet rruga për t’ju qëndruar afër”.
E akoma:
“Nganjëherë, kur të duket se ke arritur në port, hasesh me vështirësi të mëdha. Gjen dyer të mbyllura e nuk di ku të shkosh. Por ka shumë njerëz, që e mbajnë zemrën hapur për ju. Porta e zemrës është më e rëndësishme në ato çaste! …Dua t’ju them se jam afër jush, lutem për ju, lutem për ato dyer të mbyllura, që të hapen!”
Papës iu dhurua një skulpturë hekuri, që pasqyron një shishe në det, e cila brenda saj ka një familje. Ati i Shenjtë i përshëndeti të pranishmit një nga një. Delegacioni është organizuar nga Komiteti “3 tetori”, i kryesuar nga Tareke Brhane e shoqërohej nga Lëmoshtari papnor, imzot Konrad Krajewski e nga ish-kryetari i Qendrës “Astalli” të jezuitëve, atë Giovanni Lamanna.
Këto ditë është paraqitur një projektligj për ta njohur 3 tetorin si “Dita e kujtimit të viktimave të detit”. Disa nga të pranishmit kanë bërë, me këtë rast, provën e ADN-së për njohjen e disa prej kufomave, akoma të paidentifikuara.








All the contents on this site are copyrighted ©.