2014-10-01 14:34:14

Papa: thirrjet janë dhurata të Zotit për të gjithë, jo mburrje për pak vetë


Thirrjet janë dhurata të Shpirtit Shenjt, të cilat Zoti ua jep njerëzve, që t’u shërbejnë të tjerëve përmes tyre, falas e pa u mburrur. Ky qe thelbi i katekizmit të sotëm të Papës Françesku në audiencën e mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, pasi takoi në Sallën e Palit VI, Apostullet e Vogla të Bamirësisë, të cilat ndihmojnë personat me aftësi të kufizuara.RealAudioMP3
Nuk është piedestal për t’u dukur mbi turmën e as ndonjë aftësi personale, që e bën njeriun të shkëlqejë mbi të tjerët. Karizma, thirrja e të krishterit, është shtëpi ku, me dashuri e falas, u bëhet mirë të gjithëve. Nuk ka të bëjë pra, me talentet apo prirjet e njeriut, shpjegoi Papa:
“Thirrja është hir, është dhuratë e Hyjit Atë, përmes veprimit të Shpirtit Shenjt. E është dhuratë, që u jepet disave, jo që të jenë më të mirë se të tjerët, apo sepse e meritojnë: është dhuratë e Zotit, që secili, me të njëjtën mënyrë, falas e me dashuri, të vihet në shërbim të krejt bashkësisë, për të mirën e të gjithëve”.
E megjithatë, vuri në dukje Papa, thirrja e Hyjit mund të përdoret edhe për keq. Nga përvoja e tij, Ati i Shenjtë nënvizoi se kur këto thirrje zgjojnë zili, ndarje e xhelozi, kthehen në problem. Gjithkush duhet ta pyesë veten si e përdor këtë dhuratë të Zotit: e harron, mburret me të, apo e përdor me bujari?
“Janë pyetje, që duhet t’ia bëjmë vetes: nëse e ndjej thirrjen brenda meje, nëse ajo njihet nga Kisha, nëse jam i lumtur për këtë thirrje, apo kam zili për karizmën e të tjerëve e nëse e dua thirrjen time. Karizma është dhuratë: vetëm Zoti mund ta japë”.
Kështu duhen konsideruar edhe thirrjet në Kishë, të cilat nuk duhet të kthehen në arsye për konfuzion, ose për shqetësime:
“Janë të gjitha dhurata, që Zoti i bën bashkësisë së krishterë, që të rritet në harmoni, në fe e në dashuri, si një trup i vetëm, si korpi i Krishtit. Shpirti Shenjt, që dikon këtë larmi thirrjesh, siguron unitetin e Kishës. Është gjithnjë po ai Shpirt. Prandaj, para kësaj larmie karizmash, zemra duhet të na vlojë nga gëzimi e duhet të mendojmë: ‘Sa gjë e bukur! Shumë dhurata të ndryshme, sepse jemi të gjithë bijtë e Hyjit, i cili na do, secilin në mënyrë unike’”.
Pikërisht para se të fillonte audiencën e përgjithshme, Papa Françesku u njoh me një nga këto thirrje në Kishë, me atë të Apostulleve të Vogla të Bamirësisë, Institut shekullar, që i kushtohet kujdesit për njerëzit me aftësi të kufizuara, sidomos fëmijëve, përmes shoqatës “Familja jonë”. Ati i Shenjtë i takoi në Sallën Pali VI:
“Themeluesi, i Lumi Luigi Monza, e kuptoi nevojën e afrimit të njerëzve me aftësi të kufizuara, me kompetencë e dashuri. Thirrja e tij, përkrahur nga Shërbëtori i Zotit Pali VI, kur ishte kryeipeshkëv i Milanos, të jetë shembull për familjet e për ata, që kanë përgjegjësi publike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.