2014-09-30 15:12:50

Papa Françesku, Xhandarmërisë së Vatikanit: na ruani edhe nga thashethemet, kërcënim për jetën e Kishës


Është djalli, që mbjell “egjrën e thashethemeve”, të cilat janë “bomba”, që shkatërrojnë “jetën e të tjerëve” dhe “jetën e Kishës”. Këto qenë fjalët, që Papa Françesku u tha anëtarëve të Xhandarmërisë së Vatikanit, për të cilët kremtoi meshën, të shtunën, në kapelën e Governatoratit. RealAudioMP3 Homelia mori shkas nga figura e Pajtorit të Xhandarmërisë, shën Mëhillit Kryeengjëll, i cili, siç tha Ati i Shenjtë, na mëson një virtyt shumë të rëndësishëm, atë të ruajtjes e të mbrojtjes.
Thirrja juaj, u tha Françesku të pranishmëve në meshë, është të ruani Shtetin e Vatikanit, që i shërben lirisë së Kishës, lirisë së Papës. Shembulli për këtë është pikërisht Kryeengjëlli. Ju, u tha Ati i Shenjtë xhandarëve, na ruani nga djalli, nga tundimet, që vijnë nga jashtë; shikoni dyert, dritaret, që të mos vijë prej andej ndonjë bombë, por ka bomba të rrezikshme edhe brenda. “Ju lutem – vijoi Papa – kini kujdes. Sepse në natën e shumë jetëve të këqia, armiku(djalli) ka mbjellur egjrën e përçarjes”. Çdo farë e saj është bombë, që shkatërron. E bomba më e keqe brenda Vatikanit, nënvizoi Ati i Shenjtë, është thashethemnaja, e cila e kërcënon çdo ditë jetën e Kishës e të vetë Shtetit, sepse çdo thashethemexhi lëshon bomba, që vrasin jetën e të tjerëve. Edhe nëse fjalët e tij janë të vërteta, vijoi më tej, duke lënë një mësim jo vetëm për xhandarët, ai nuk ka të drejtë t’ua thotë të gjithëve, por vetëm atyre, që kanë përgjegjësi për punët.
Nga ana tjetër, theksoi Papa, ka shumë laikë, meshtarë, murgesha e shumë të tjerë që mbjellin grurë, por po këta njerëz mund të përdoren nga djalli për të mbjellë egjrën e përçarjes. Këtë rrezik e kam edhe unë vetë mbi krye, pranoi Ati i Shenjtë, sepse djalli e tundon edhe Papën. Kush merret me thashetheme, vuri në dukje Françesku, del nga udha e vërtetë e Zotit dhe, siç paralajmëron Danieli profet, do të dënohet përjetësisht me vulën e turpit. E duke u kërkuar xhandarëve të Vatikanit të jenë mburojë kundër thashethemeve, uroi që në faqen e fundit e jetës së secilit të shkruhet: “mbolli farën e grurit të mirë” e jo “bombën e përçarjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.