2014-09-30 14:19:02

Kardinali Parolin në OKB: të bashkuar kundër terrorizmit


Për të ruajtur paqen në botë, kemi nevojë për një angazhim të ri të Kombeve të Bashkuara kundër sulmeve terroriste. Kështu tha dje, në sesionin e 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili foli për krizat nëpër botë.RealAudioMP3 Në qendër të fjalës së tij, edhe persekutimi kundër të krishterëve e pakicave.
“Delegacioni im – pohoi prelati – dëshiron të kujtojë se është e ligjshme dhe urgjente që për të ndaluar agresorin, të ndërhyhet me një aksion shumëpalësh e me përdorimin me masë të forcës”. Por, kujtoi kardinali Parolin, e kemi për detyrë e përgjegjësi të mbrojmë më të brishtët.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit vuri në dukje se deri tani, bashkësia ndërkombëtare është shprehur me zëra kontradiktorë e madje, edhe ka heshtur krejtësisht përpara konflikteve në Siri, në Lindjen e Mesme e në Ukrainë.
“Këtu, nuk mund të mos përmend të krishterët e shumtë e pakicat etnike, që gjatë muajve të fundit janë persekutuar ashpër në Irak e në Siri. Kërkesat e tyre – theksoi kardinali Parolin – duhet të jenë angazhim i vazhdueshëm për respektimin e promovimin e të drejtave të çdo njeriu, ashtu siç e ka dashur e krijuar Zoti”.
Kardinali bën thirrje për aksione të përbashkëta të të gjitha kombeve, duke shmangur përdorimin e vetos kundër propozimeve të njëri-tjetrit, në mënyrë që OKB-ja të luajë vërtet rolin, që i takon e që është i nevojshëm në këtë çast historik.








All the contents on this site are copyrighted ©.