Në rubrikën “Ju kumtojmë Lajmin e Mirë”, të cilën po e rilidhim pas shkëputjes trejavore
për shkak të vizitës së Papës Françesku në Shqipëri, jemi në kapitullin e gjashtë
të Ungjillit sipas Markut, vargjet 17-29. Ky fragment tregon rrethanat e dënimit të
Gjon Pagëzuesit me prerje koke nga ana e Herodit. Tregimi është
i gjatë dhe me shumë hollësi, që meritojnë vëmendje të veçantë, por do të ndalemi
kryesisht tek karakteristikat e figurave kryesore, të cilat janë të përfshira në këtë
ngjarje. Së pari, Herodi. Ai ishte qeveritari i judenjve, por “e kishte frikë Gjonin”
(v. 20). Është frika e njeriut, që e di se ka gabuar, por dëshiron të mbetet në gabim.
Përballë tij, megjithëse në burg, gjendet Gjon Pagëzuesi. Herodi e dinte se Gjoni
ishte “i drejtë dhe i shenjtë”. Me këto dy karakteristika zakonisht përshkruhet Hyji
në Bibël, prandaj Hyji kishte zgjedhur një njeri të lidhur fort me të, për të kumtuar
ardhjen e Krishtit. Përveç frikës, që buron nga gjendja e tij e çrregullt, për shkak
të lidhjes me Herodiadën, Herodin e shoqërojnë dy ndjesi të tjera kundrejt Gjonit:
kënaqësia, kur e dëgjonte duke folur, dhe paaftësia për të marrë vendime në përkim
me predikimin e tij. Mes Herodit e Gjonit spikat figura e Herodiadës. Ndjenjat
e saj janë të ftohta dhe të qarta: ajo kishte “mëri” ndaj Gjonit dhe “dëshironte ta
vriste”. Konteksti në të cilin zhvillohen ngjarjet është ai i festës për ditëlindjen
e mbretit Herod. Në dalldinë e bashkësisë në festë, Herodi bën premtimin fatal të
njeriut të pushtetshëm. I thotë bijës së herodiadës, pasi ajo e deh me vallëzimin
e saj: “Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap” (v. 22). Në këtë dalldi bëhet
i pranishëm dikush që ishte në burg: Gjon Pagëzuesi. Kërkohet vdekja e të drejtit
dhe e të shenjtit. Sigurisht, këtu kemi të bëjmë me martirizimin e Gjonit, por kemi
të bëjmë mbi të gjitha me shenjën e qartë që jep historia për fatin e Jezusit, të
cilin Gjoni e kishte shpallur si Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatet e botës. Mëkati
shkakton vdekje, prandaj duhet vdekja e të drejtit dhe e të shenjtit për të mundur
mëkatin dhe vdekjen. I drejti dhe i shenjti është Jezusi, por Gjoni, i cili e ka dëshmuar
Jezusin me fjalë, e vulos dëshminë e tij me derdhjen e gjakut. Në fund të kësaj ngjarjeje,
Herodi mbetet “i trishtuar” (v.26), dhe zhduket për t’u rishfaqur përsëri në fund
të Ugjillit, kur Krishti do të gjykohet me kryqëzim. Flijimi i Gjonit i paraprin gjykimit
të Krishtit dhe falë flijimit të Krishtit shndërrohet nga ngjarje fatale në martirizim
të lavdishëm.