2014-09-29 17:39:10

Të komunikojmë familjen: tema e Ditës Botërore të Komunikimeve Shoqërore 2015


“Të komunikojmë familjen: ambient i privilegjuar takimi, me dashuri pa interes”: kjo është tema, që Papa Françesku ka zgjedhur për Ditën e 49-të të Komunikimeve Shoqërore, e cila do të kremtohet më 17 maj 2015.
Është e qartë se tema ndjek atë të dy Sinodeve për familjen. Komunikata e dikasterit përkatës vatikanas vë në dukje problemet e përditshme të familjes së sotme, duke nënvizuar se marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të saj, dashuria pa interes që shkëmbejnë ndërmjet tyre, respekti i ndërsjellë e mbrojtja e dinjitetit të secilit, janë vlerë e rëndësishme për shoqërinë, sepse janë baza e dialogut, mikpritjes, solidaritetit, gatishmërisë e shërbimit.
Por si t’ua thuash këtë njerëzve të sotëm? Si t’u shpjegosh se dashuria ndërmjet një burri e një gruaje është diçka shumë e çmuar, se fëmijët janë dhuratë, se familja është forca për të rinisur gjithçka nga fillimi, se është bukuria e jetës, gëzimi i dashurisë, ngushëllim për këdo, takimi i parë me tjetrin.
Kisha sot, duhet të mësojë si t’i tregojë botës së familja është dhuratë e madhe e Zotit, se është diçka e mirë dhe e bukur. Tema e Ditës Botërore të Komunikimit duhet të shërbejë pikërisht për të reflektuar mbi mënyrën e transmetimit të vlerave të familjes në shoqërinë e ditëve tona. Për këtë do të ndihmojë edhe mesazhi i Atit të Shenjtë për këtë Ditë, që tradicionalisht publikohet më 24 janar, me rastin e festës liturgjike të Shën Françeskut të Sales, pajtor i gazetarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.