2014-09-29 17:45:23

Letër falenderimi Atit të Shenjtë, një ditë pas shtegtimit apostolik në atdheun e shqipeve


Kisha Katolike në Shqipëri i ka dërguar një letër falenderimi Atit të Shenjtë, një ditë pas shtegtimit të tij të paharruar apostolik në atdheun e shqipeve. Ipeshkvijtë vënë në dukje sidomos fjalën pa letër të Papës Françesku në katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku Ati i Shenjtë i këshillon të gjejnë gjithnjë ngushëllim në krahët e Hyjit të Gjithpushtetshëm. Ata i kujtojnë përmallimin për vuajtjen e të mbijetuarve dhe mënyrën si i shprehu ndjenjat e tij të sinqerta për klerin, besimtarët katolikë dhe popullin shqiptar. E pastaj premtimi:
“Impenjohemi të fluturojmë lart, Shenjtëri; impenjohemi të kemi si pikë të vetme referimi Krishtin, Zotin e vetëm të jetës sonë e të “ngushëllohemi” vetëm prej Tij; impenjohemi t’i bëjmë bashkësitë tona kishtare hapësira mikpritjeje e dialogu, që Dashuria e Krishtit të mbrujë gjithnjë e më shumë jetën e këtij populli e t’i japë ngjyrë e shije aftësitë ekzistuese për bashkëjetesë paqësorë ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme”.
E më pas, pasi nënvizojnë se vazhdojnë të luten për të, falenderimi për Papën Françesku:
“Ju themi ‘Faleminderit’, Shenjtëri, në emër të gjithë popullit shqiptar, por sidomos, në emër të gjithë Popullit të Zotit – meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë – që ecën në këtë Tokë të Shqipeve, [popull] të cilit i dhatë mundësinë të provojë ‘gëzimin e Ungjillit’ dhe e përforcuat në fenë e në shpresën, që nuk zhgënjen kurrë”.
Letra përfundon me urimin e Ungjillit: “Bekuar qoftë ai, që vjen në emër të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.