2014-09-26 15:14:31

Papa: Krishti kuptohet, duke mbajtur kryqin, si Cireneu


Dikur, atë Zef Pllumbi, françeskan i mbijetuar nga komunizmi, nder i popullit shqiptar, pati thënë se Krishti nuk kumtohet, veçse me kryq në krah. Sot, në meshën e mëngjesit, Papa Françesku, i sapokthyer nga Shqipëria, ku pa së paku fotografitë e 40 martirëve të parë, për të cilët vijon procesi i lumnimit, dhe takoi dy të mbijetuar, e përqendroi homelinë e tij pikërisht në këtë temë. Një i krishterë, tha Ati i Shenjtë në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, nuk mund të mos e kuptojë Krishtin Shëlbues pa kryq, pa qenë i gatshëm ta mbajë atë së bashku me Jezusin. I krishteri është i njëjtë me “cireneun”, i cili e mbajti kryqin së bashku me Jezusin në udhën e Kalvarit. Pa kryqin, nënvizoi Papa, udha na duket si “më e mirë”, por nuk është “e vërtetë”.RealAudioMP3
Papa Françesku mori shkas nga Ungjilli i sotëm, në të cilin Krishti i pyet dishepujt ç’thonë njerëzit për të, duke marrë përgjigje nga më të ndryshmet. Jezusi nuk e zbulon kurrë identitetin e vet, madje nuk e lejon as djallin ta shpallë atë haptas, në mënyrë që njerëzit të mos mendonin si Ai kishte ardhur për t’i shpëtuar e çliruar nga romakët. Vetëm privatisht, para 12 apostujve, Jezusi fillon katekizmin mbi natyrën e tij të vërtetë:
“Biri i njeriut, pra Mesia, i Vajuari, tha se duhet të vuajë shumë, se s’do të pranohet nga pleqtë, nga krerët e meshtarëve e nga skribët, do të vritet e do të ringjallet. Kjo është udha për çlirimin tuaj. Kjo është udha e Mesisë, e të Drejtit: Mundimet, Kryqi. E atyre u shpjegoi identitetin e vet. Por [apostujt] nuk duan ta kuptojnë e në pjesën ungjillore të shën Mateut, shihet se si Pjetri e refuzon këtë: ‘Jo! Jo! O Zot…’. Por [Jezusi] fillon të shpjegojë misterin e identitetit të vet: ‘Po, unë jam Biri i Hyjit. Por kjo është udha ime: duhet të ec në këtë udhë vuajtjesh’”.
Pedagogjia e Jezusit, vazhdoi Papa, i përgatit zemrat e dishepujve, zemrat e njerëzve, që ta kuptojnë këtë Mister të Zotit:
“Është kaq e madhe dashuria e Zotit, është kaq i shëmtuar mëkati, sa Atij i duhet të na shpëtojë kështu: me këtë identitetin e tij në Kryq. Nuk mund të kuptohet Jezu Krishti Shëlbues pa Kryqin: nuk mund të kuptohet! Mund të arrijmë të mendojmë se është profet i madh, bën gjëra të mira, është shenjt. Por Krishti Shëlbues pa Kryqin, nuk mund të kuptohet. E megjithatë, zemrat e dishepujve, zemrat e njerëzve, nuk ishin të përgatitura për ta kuptuar. Nuk i kishin kuptuar Profecitë, nuk e kishin kuptuar se Ai ishte Qengji për t’u flijuar. Nuk ishin të përgatitur”.
Vetëm të Dielën e Larit, vërejti Papa, Krishti u lejon, pak a shumë, njerëzve, të shpallin identitetin e Tij, me frazën “Bekuar qoftë Ai, që vjen në emër të Zotit”. E kjo, sepse, nëse nuk do të kishin thirrur njerëzit, komentoi Ati i Shenjtë, do të kishin thirrur gurët. Por identiteti i plotë i Jezu Krishtit bëhet i njohur vetëm pas vdekjes së tij, kur centurioni romak rrëfehet e thotë se vërtet paskësh qenë Biri i Hyjit. Jezusi, sintetizoi Papa , na përgatit hap pas hapi për ta kuptuar kush është. Na përgatit ta shoqërojmë, secili me kryqin e vet, në udhën drejt shëlbimit:
“Na përgatit të jemi cirenej, që e ndihmojnë të mbajë Kryqin. E jeta jonë e krishterë, pa këtë, nuk është e krishterë. Është jetë shpirtërore, mjaft e mirë…[themi]: ‘Jezusi është profet i madh, e na ka shpëtuar madje. Por Ai, e jo unë…’ Ti bashkë me Të! Duke bërë të njëjtën udhë. Edhe identiteti ynë i krishterë duhet ruajtur e nuk duhet të besojmë se të jesh i krishterë është meritë, është udhë shpirtërore e përsosur. Nuk është meritë, është hir i pastër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.