2014-09-28 13:29:04

Në Madrid, shpallet i lum, imzot Álvaro del Portillo


Në Madrid të Spanjës, u shpall dje i lum, imzot Álvaro del Portillo, gjatë meshës së kremtuar nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, i dërguari i Papës Françesku. Sot, imzot Javier Echavarrìa, prelat i Opus Dei-t, kremtoi një meshë falenderimi. RealAudioMP3
Pasardhësi i parë i Josemaria Escrivà de Balaguer, themeluesit të Opus Dei-t, imzot Álvaro del Portillo, i cili mbeti për njerëzit thjesht don Álvaro, jetoi kryesisht në Romë e Madrid, ku lindi më 11 mars 1914. Në kryeqytetin spanjoll kaloi fëmijërinë dhe rininë, së bashku me prindërit e me shtatë vëllezër. Më 1935 u njoh me Josemaria Escrivà e vetëm pak muaj më vonë, vendosi të bëhej anëtar i Opus Dei-t, themeluar më 2 tetor 1928. Gjatë studimeve për inxhinjeri, kur ishte 19 vjeç, i riu Álvaro del Portillo jepte mësime katekizmi e ndihmonte fëmijët e varfër në lagjen Vallecas e në zona të tjera të Madridit, ku u shpërndante ushqime familjeve në nevojë, para luftës civile.
I vazhdoi këto veprimtari edhe me nxitjen e Josemaria Escrivà, duke përfshirë në to edhe të rinj të tjerë. Më 25 qershor 1944, pasi përfundoi me sukses studimet civile e kishtare, u shugurua meshtar, po në Madrid, ku vijoi të shërbejë, deri në transferimin e tij në Romë, në vitin 1946. Gjatë papnisë së Piut XII e të Gjonit XXIII punoi në dikastere të ndryshme të Selisë së Shenjtë e, edhe për Koncilin II të Vatikanit. U zgjodh në krye të Opus Dei-t, më 15 shtator 1975, pas vdekjes së themeluesit. Pas vitit 1982, kur Gjon Pali II e lartoi Opus Dei-n në prelaturë, imzot del Portillo u emërua Prelati i parë. Të shumta qenë veprimtaritë bamirëse që promovoi, në Kongo, në Romë, në Filipine e në Nigeri, gjithnjë në fushën e mjekësisë. Vdiq më 23 mars 1994, pasi u kthye në Romë nga një shtegtim në Tokën Shenjte. Mrekullia që i hapi udhën e lumnimit ishte shërimi i një fëmije, pasi pati pësuar një infarkt, që zgjati më shumë se gjysëm ore.
Por ç’mund të na mësojë sot don Alvaro? Të dëgjojmë përgjigjen e don Javier Media Bayo, postulator i çështjes së lumnimit:
Na mëson mesazhin e Opus Dei-t, pra, shenjtërimin e punës së përditshme, të detyrave të përditshme: ky është mesazhi themelor. Më vjen mirë të vë në dukje diçka për familjet: na kanë mbërritur shumë lajme për hire, që Zoti u ka dhuruar njerëzve, përmes ndërhyrjes së don Alvaros. Falë Zotit, mes tyre ka shumë shërime të jashtëzakonshme, por ka edhe shumë hire – le t’i quajmë – të zakonshme. Bashkëshortë që nuk kishin fëmijë, i luteshin don Alvaro e lindin fëmijë. Ka shumë e shumë hire të këtij lloji. Mendoj se don Alvaro e donte shumë familjen e kjo dashuri, nga Qielli, e bën ta ketë veçanërisht të lehtë të ndërhyjë për kërkesa nga ana e familjeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.