2014-09-27 15:25:38

Liturgjia e së dielës XXVI, gjat vitit: Do t’ju prijnë në mbretërinë e qiejve


RealAudioMP3 Shëmbëlltyrat e kësaj të diele, sikurse edhe ato të dy të dielave të ardhshme flasin për të njëjtën temë: për përjashtimin e popullit hebre, i cili nuk ka dashur të dëgjojë Jezusin dhe për zëvëndësimin e tij me popullsitë pagane.
Hyji nuk mënjanon askënd
Shëmbëlltyra e dy djemve na lejon të kuptojmë qëndrimin që mban Jezusi kundrejt “të përçmuarve”, kjo kategori e re e të varfërve.
Jezusi ua drejton shëmbëlltyrën kryepriftërinjve dhe pleqve të popullit, njësoj sikurse u drejton të tjera shëmbëlltyra me të njëjtën përmbajtje edhe farisenjve (Lk 18,9). Me këto shëmbëlltyra, ai thekson dashurinë e vecantë që ka për mëkatarët, për ata që përçmohen prej të vetëshpallurve “të drejtë”. Ai arrin të thotë se këta “të varfër” janë më afër shpëtimit sesa të vetëkënaqurit, që mendojnë se janë të drejtë e të dashur nga Hyji, sepse zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e Ligjit. E nuk ndalet vetëm tek fjalët: hyn në shtëpinë e Zakeut, lejon t’i lajë këmbët një grua që njihej si e përdalë, nuk lejon që “të pastrit” të vrasin me gurë një kurorëshkelëse. Këta “të varfër” janë afër shpëtimit, sepse jeta e tyre e lejon Hyjin ta shfaqë mëshirën e vet. Shëmbëlltyra u drejtohet atyre që nuk e pranojnë Lajmin e Mirë, atyre që nuk duan ta njohin identitetin e Hyjit në emër të drejtësisë së vet dhe mendojnë se u mjafton vetvetja.
Ligji i përlyerjes së duarve
Besnikëria e Hyjit dhe drejtësia nuk gjykohen nga një “po”, apo nga pronësia e një vreshte (shëmbëllim i përkatësisë në racën e popullit të zgjedhur), por nga veprat.
Duhet të kemi guximin t’i përlyejmë duart dhe të rrezikojmë të humbim fytyrën, duke kërkuar vlerat e reja, që i afrohen më shumë lirisë, dashurisë, lumturisë së njeriut. Përkatësia gjykohet në bazë të vendimeve që zbatohen. “Jo kushdo që thotë: Zot, Zot, do të hyjë në mbretërinë e qiejve” (Mt 7,21). Fjalët, ideologjitë, mund të gënjejnë, mund të jenë një iluzion apo një pritë. E vërteta e njeriut zulohet me anë të veprave. Ato janë të pakeqkuptueshme. Vetëm këtu njeriu tregon kush është.
Në këtë kontekst duhet kuptuar thënia e Jezusit, që ngjall skandal tek ata që e mbajnë veten si mendimtarë të pastër: “Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e prostitutat do të shkojnë para jush në mbretërinë e Hyjit”. Zyrtarisht, sipas kategorive fetare dhe kritereve morale që nuk i përkisnin kohës, ata kanë thënë “jo”, por në të vërtetë ajo që ka vlerë është gatishmëria e tyre e madhe: vullneti për të kryer, jo me fjalë por me vepra, punën e pendesës.
Hyji nuk ka vendosur, në një moment të caktuar të historisë, ta hedhë tej Izraelin e të bijësojë popujt paganë. Ka qenë sjellja kundrejt Mesisë ajo që i ka bërë ta humbin rolin që ushtronin në ndërmjetësim. Mënyra si e jetonin bindjen ndaj Ligjit, i ka cuar drejt mosbindjes ndaj Ungjillit.



Përtej dokeve

Është ende e përhapur ideja sipërfaqësore dhe sasiore e sjelljes fetare të grupeve apo njerëzve të ndryshëm (a thua se feja mund të matet vetëm duke u mbështetur tek përkatësia sociologjike apo tek përdorimi i disa dokeve fetare lehtësisht të vërtetueshme: mesha, sakramentet, lutjet, devocionet, lëmoshët…). Këto keqkuptime i ushqejnë edhe disa kërkime sociofetare, që kodifikojnë sipas kritereve të veta shkallën e fesë dhe të përkatësisë kishtare, që, nëse nga një farë pikëpamjeje na detyron t’i hapim sytë mbi disa situata të mjerueshme, nga ana tjetër nuk e shteron dot fenomenin e ndërlikuar të fesë së grupeve apo individëve të caktuar.

Përtej dokeve dhe pamjes së jashtme e juridike, ekziston edhe prania dhe ndikimi i qartë ungjillor tek disa shtresa të popullsisë, që në pamje të jashtme duken të parëndësishme dhe pa lidhje me fenë.

Feja, sic e jetojnë shumë të krishterë ka disa nivele e disa mënyra për t’u përjetuar. Mund të përjetohet si një sërë dokesh, devocionesh, ritesh që duken se nuk kanë asnjë kuptim; si një pikëpamje për botën dhe për gjërat; si kriter gjykimi për njerëzit, vlerat, ngjarjet. Mund të paraqitet si kod moral e normë sjelljeje, apo si lidhje fe-jetë, domethënë si sintezë në rrafshin e gjykimit e të veprimit, ndërmjet mesazhit të Ungjillit dhe kërkesave e zotimeve të jetës vetjake e të përbashkët.

I krishteri i vërtetë e lidh fenë me jetën. “PO”-ja e fesë së tij bëhet “po”-ja e jetës së tij; fjala e shpallja me gojë bëhen veprim e gjest i duarve e i veprave të tij. Kështu, ajo që e dallon “po”-në nga “jo”-ja nuk kalon përmes dokeve dhe zbatimit të ligjeve, por përmes jetës.



Lexim prej Librit të Ezekielit profet (Ez 18,25-28)



Kështu thotë Zoti: "Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes: ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e, jo, nuk do të vdesë".

Fjala e Zotit

Psalmi

Ref. Le të bie ndërmend, o Zot, dashuria jote



Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,



Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,

dhe dashuria jote që është e amshueshme.

Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:

të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate

- për hir të mirësisë sate, o Zot.



I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvuajtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.



Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve (Fil 2,1-11)

Vëllezër, nëse, vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbajeni njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve.

Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus: i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz

dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.

E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.

Fjala e Zotit

Aleluja!

Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti,

unë i njoh dhe ato vijnë pas meje

Aleluja!

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (Mt 21,28-32)

Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe krytarëve të popullit: “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ Ai iu përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai iu përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e të atit?”

I thanë: “I pari!”

“Përnjëmend po ju them: - vazhdoi Jezusi - tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”

Fjala e Zotit



Në Besëlidhjen e Vjetër, kur flitet për dëgjimin e Fjalës së Hyjit, nuk kemi të bëjmë asnjëherë me veprimtarinë mekanike të dëgjimit, as me aspektin teorik e intelektual të njeriut që e merr Fjalën dhe ndërton me të një filozofi apo një fe. Dëgjimi është i lidhur ngusht me zbatimin e menjëhershëm ose të dalëngadalshëm të asaj që dëgjohet. Në fakt, në Bibël gjejmë shpesh shprehjen: “çfarë thotë Zoti do ta bëjmë e do ta dëgjojmë”. Pra “bërja”, zbatimi i fjalës i paraprin dëgjimit dhe vendos themelet e tij. Marrëdhënia me Zotin është marrëdhënie e gjallë dhe vepruese. Ai, duke u folur njerëzve, u jep linfën, energjinë për të vepruar pa frikë se po ndërtojnë mbi pasiguritë e tyre. Fjala e tij është “dritë për hapat tanë” thotë psalmisti, ndërsa Pjetri, më vonë, do t’i thoshte Jezusit: “Ti ke fjalët e jetës së pasosur”. Në ungjillin e sotëm, dy djemtë përfaqësojnë fenë si teori dhe si mënyrë jete. Shpesh herë feja është nderim sipërfaqësor ndaj Hyjit, është “po”-ja e thënë për të shprehur një nderim ndaj tij, që nuk prek thellë sjelljet dhe qëndrimet tona në jetën e përditshme. Nganjëherë, ata që i thonë “jo” Hyjit, domethënë ata që nuk mendojnë se mund të marrin përsipër barrën e një jete në dëgjim të fjalës së tij, sot mund të themi jobesimtarët, e nderojnë Hyjin me anë të veprave. Veprat e njeriut, “puna në vreshtin e pronarit”, nuk shërbejnë për të na nxjerrë prej tij shpëtimin, sepse ne u shpëtuam falas, por tregojnë më së miri sinqeritetin e fjalëve tona. Hyji na e ka drejtuar fjalën e tij dhe ne e dimë mirë veprimin e asaj fjale që u bë njeri në Krishtin, por, cila është fjala që ne i drejtojmë atij dhe çfarë vlere ka ajo?

Dy djemtë e Ungjillit të sotëm janë pasqyra që na jep Jezusi për të parë veten tonë në lidhje me Fjalën e Hyjit.

Sot zgjodhëm një pjesë nga letrat e shën Polikarpit, që flet për pastërtinë e veprimeve të njerëzve që e kanë pranuar Krishtin si fjalën shpëtimtare të Hyjit. Ta dëgjojmë…



U shpëtuat falas

(Nga Letra e Shën Polikarpit martir drejtuar Filipianëve)

Polikarpi e priftërinjtë që janë me të, Kishës së Hyjit, që banon si shtegtare në qytetin Filipi: mëshira dhe paqja e Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe e Jezu Krishtit shpëtimtarit tonë u dikofshin begatisht mbi ju!

Marr pjesë plotësisht në gëzimin tuaj në Zotin tonë Jezu Krishtin, sepse keni zbatuar dashurinë më të vërtetë. Keni ndihmuar në udhën e tyre shenjtërit e lidhur me vargonj, me vargonjtë që janë byzylykë e margaritarë të mirëfilltë për ata që u zgjodhën nga Hyji e nga Zoti ynë. Gëzohem, sepse rrënja e fortë e fesë suaj, që u kumtua para jush që në fillim, qëndron deri më sot dhe mbart fryte në Jezu Krishtin Zotin tonë. Ai, për mëkatet tona pranoi të shkojë deri në vdekje, por “Hyji e ringjalli, duke e zgjidhur nga ankthi i vdekjes” (Vap 2,24) e ju besoni në të, pa e parë, me gëzim të madh e të lavdishëm, gëzim që shumë vetë e dëshirojnë. Ju e dini mirë se u shpëtuat falë hirit, jo falë veprave tuaja, por për vullnet të Hyjit, me anë të Jezu Krishtit (Ef 2,8-9).

“Prandaj, pasi të jeni përgatitur me mend për të vepruar”, (1Pj 1,13), “shërbejini Hyjit me frikë” (Ps 2,11) e me vërtetësi, duke i lënë mënjanë thashethemet e kota dhe gabimet trashanike dhe “duke besuar në atë që e ngjalli Zotin tonë Krishtin nga të vdekurit dhe i dha lavdi” (1Pj1,21), sepse e uli në të djathtën e vet. Atij i nënshtrohen të gjitha gjërat në qiell e në tokë, atij i bindet cdo qenie e gjallë. Ai do të vijë për t’i gjykuar të gjallët e të vdekurit e Hyji do t’u kërkojë llogari për gjakun e tij atyre që nuk besuan në të.

Ai që e ringjalli nga të vdekurit, do të na ringjallë edhe ne, nëse do të kryejmë vullnetin e tij, nëse do të jetojmë sipas urdhërimeve të tij e nëse do të duam çfarë deshi ai, duke e larguar çdo padrejtësi, mashtrim, shpifje, dëshmi të rreme, “duke mos e kthyer të keqen me të keqe, as dëmin me dëm” (1 Pj 3,9), goditjen me goditje, mallkimin me mallkim, por duke mbajtur parasysh mësimin e Zotit, i cili tha: Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni; falni e do t’u falet; jini të mëshirshëm e do të gjeni mëshirë; me atë masë me të cilën do të matni, do t’u matet edhe juve (khs Mt 7,1) dhe: lum të varfërit e të përndjekurit për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve (khs Mt 5,3.10).















All the contents on this site are copyrighted ©.