2014-09-28 13:29:32

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII: Tanzimati në Shqipëri (11)


Reformat e Tanzimatit u imponuan në të gjitha krahinat e Perandorisë otomane, pa marrë parasysh zakonet dhe traditat lokale. Tokat e banuara nga shqiptarët u ndanë në katër vilajete. Çdo vilajet u nda në disa kaza (nënprefektura) dhe nahije (komune). Por shqiptarët nuk ishin gati ta pranonin administratën qëndrore, shërbimin ushtarak të detyrueshëm e aq më pak, taksat e rënda që nuk dihet kujt do t’i shërbenin. Kur qeveria turke emëroi nëpunës të administratës, domethënë valinj e mytesarifë në vend të bejlerëve e agallarëve, që qeverisnin tokat shqiptare, ata u pritën si të huaj. Një protestë me shkrim u nis në drejtim të Stambollit, për të kërkuar largimin e tyre. Në rast të kundërt, shqiptarët do të ngrinin përsëri krye. Kështu orvatjet për ta zëvendësuar gjysëm pavarësinë, që Shqipëria e gëzonte prej shekujsh, me një administratë, që do të drejtohej kryekëput nga Stambolli, dështuan njëra pas tjetrës. Një nga arsyet ishte sepse ndarja e re administrative nuk i përfillte, madje i shkelmonte fare miqësitë dhe hasmëritë lokale, lidhjet e lashta ndërmjet qyteteve dhe krahinave, marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike e gjuhësore. Shqiptarët nisën përsëri ta mbronin jetën e dinjitetin e tyre, ashtu si e kuptonin ata vetë, duke përdorur, si zakonisht, pushkën. Gjithnjë me shpresë se do të ndihmoheshin nga fuqitë evropiane.
Reforma më e padurueshme ishte ajo e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Turqit arritën ta vinin në jetë vetëm me një taktikë të ngadalshme e vetëm në zonat fushore të vendit. Përpjekja e sulltan Addyl Mexhidit për ta imponuar me forcë zbatimin e ligjit mbi shërbimin ushtarak, pati si pasojë dy beteja të përgjakshme, në Kumanovë e Qypurli, në jug të vendit. Ndërsa malësitë veriut, përfshirë edhe Kosovën, nuk i përfillën reformat deri në ditën, kur u shpall pavarësia. Madje fiset e veriut nuk iu nënshtruan aspak administratës qendrore otomane dhe vijuan të vetqeveriseshin mbi bazën e Kanunit të Lekës.
Në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, sistemi i fiseve autonome u zhduk mbas Ali Pashait. Prej këndej, administrata otomane zuri pak a shumë rrënjë në këto vise.
Gjendja e krijuar nga fundi i shekullit XIX mund të shikohet si kompromis ndërmjet rezistencës pasive, sabotimit të heshtur nga ana e shqiptarëve dhe pazotësisë e korrupsionit nga ana e administratës turke.
Suksesi i tanzimatit në Shqipërinë e Jugut i detyrohet kryesisht Ali Pasha Tepelenës, që ndoqi politikën e centralizimit, duke sheshuar rezistencën e Sulit, të Çamërisë, të Harimës dhe të shumë qyteteve të fortifikuara, që vetqeveriseshin. Pikërisht pas vdekjes së Ali Pashait, në skenën e trojeve shqiptare u luajt një nga tragjeditë më të përgjakshme: ajo e masakrës së Manastirit, ku gjetën vdekjen kundërshtarët më të rreptë të administratës së re. Megjithë këtë grusht të rëndë, shtresa e pronarëve të mëdhenj nuk u zhduk. Humbi pushtetin politik, por vijoi të gëzonte privilegjet ekonomike, si pronare e madhe tokash. Madje nisi të lakmonte pozita me rëndësi në administratën otomane përtej kufijve të Shqipërisë. Këtë rrugë ndoqën edhe intelektualët, që nisën të studionin në Stamboll dhe të mbushnin radhët e nëpunësve të shtetit turk. Bejlerët, që mbetën në Shqipëri, vijuan të ushtrojnë një ndikim të fortë mbi nëpunësit e dërguar nga Stambolli, që nuk njihnin gjuhën as mendësinë e vendit.
Në këndvështrimin historik, tanzimati thelloi ndryshimin e strukturës shoqërore dhe konceptet politike të Shqipërisë së Veriut e të Jugut, duke ndikuar negativisht mbi bashkimin e shqiptarëve, kur erdhi dita e luftës për pavarësinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.