2014-09-28 13:28:07

36-vjetori i vdekjes së Papës Gjon Pali I


Bie sot, 36-vjetori i vdekjes së Papës Gjon Pali I, në shekull, Albino Luciani. U zgjodh në fronin e Shën Pjetrit më 26 gusht 1978, e vetëm 33 ditë më pas u gjet pa jetë në shtratin e tij, në mëngjesin e 28 shtatorit. Papnia e tij është nga më të shkurtrat e historisë.
Lindi në Canale d’Agordo, në provincën italiane të Belluno-s, më 17 tetor 1912. Në çastin e zgjedhjes si Papë, kardinali Albino Luciani ishte Patriark i Venedikut. Mori emrin e Gjon Palit I, në kujtim të dy paraardhësve të tij të shquar: Gjonit XXIII dhe Palit VI. Në fjalimin e tij të vetëm Urbi et Orbi (Romës dhe botës), Gjon Pali I theksoi se detyra e parë e Kishës Katolike është ungjillëzimi, duke e këshilluar të vijojë udhën e ekumenizmit.
Në fjalën e mbajtur para përfaqësueve të shtypit ndërkombëtar, më 10 shtator të vitit 1978, u kërkoi “t’i afrojnë më mirë të afërmit, ta kuptojnë më mirë etjen e tyre për drejtësi, paqe e vëllazërim, të krijojnë me ta lidhje më të thella solidariteti, drejt një bote më të drejtë e më njerëzore”. Në katër audiencat e përgjithshme, që arriti të mbante, ky Papë i përvuajtur foli për temën e përvuajtërisë, të fesë, të shpresës e të dashurisë së krishterë, me një stil kaq personal, sa menjëherë u kuptua thirrja e tij për misionin baritor e katekistik. Vërtet, e quajtën edhe “Papa katekist” e “Papa, famullitar i botës”, për të nënvizuar prirjen e tij për katekizmin e pasionin komunikativ në shërbim të së vërtetës së Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.