2014-09-23 15:02:26

Dita e Emigrantëve. Papa: nuk mjafton toleranca, të globalizojmë mikpritjen


“Globalizimit të fenomenit të emigracionit i duhet përgjigjur me globalizimin e bamirësisë”. Është një nga pikat kryesore të mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, i cili u bë i njohur sot. Në dokumentin me temë “Kishë pa kufi: nënë e të gjithëve”, Ati i Shenjtë kërkon të luftohet kundër trafikut të turpshëm të njerëzve.
“Kisha i hap krahët për t’i mirëpritur të gjithë”, në veçanti ata emigrantë e refugjatë, që lënë pas jetë të vështira e rreziqe të çdo lloji. Kështu e nis Papa mesazhin, në të cilin përsërit edhe një herë se Kisha duhet të përhapë në botë, kulturën e mikpritjes e të solidaritetit, sipas së cilës, askush nuk konsiderohet i padobishëm, askush nuk mënjanohet. Ati i Shenjtë denoncon fuqishëm trafikun e turpshëm e kriminal të qenieve njerëzore, si edhe të gjitha format e dhunës e të skllavërimit. Bën thirrje për një luftë më të vendosur kundër tyre, me pjesëmarrjen e një rrjeti universal, në të cilin të bashkëpunojnë të gjithë në mbrojtje të dinjitetit të njeriut.
Njëkohësisht, kërkon Papa, duhen intensifikuar përpjekjet për të krijuar kushte, që e zvogëlojnë numrin e arsyeve për të cilat popuj të tërë ikin nga dheu amë. Këto aryse, Ati i Shenjtë i sheh sidomos tek lufta e zia e bukës. Lëvizjet e emigrantëve, vë në dukje Françesku, jo rrallë zgjojnë mosbesim e kundërshtim edhe në bashkësitë kishtare, akoma para se të njihen me historitë e jetës, të persekutimit, ose të mjerimit të emigrantëve. Dyshimet e paragjykimet, e ngre zërin Papa, janë kundër urdhërimit biblik për ta pritur me respekt e solidaritet të huajin në nevojë. Jezusi, lexohet në mesazhin papnor, u identifikua me të huajin, me nevojtarin, me të gjithë viktimat e pafajshme të dhunës e të shfrytëzimit. E na kërkon ta prekim me dorë mjerimin njerëzor e të zbatojmë urdhërimin e dashurisë.
Guximi i fesë, i shpresës e i dashurisë, nënvizon Papa Françesku në mesazhin për emigrantët, na lejon të zvogëlojmë largësinë, që na ndan nga dramat njerëzore. Jezusi pret gjithnjë ta njohim në fytyrën e emigrantëve e të refugjatëve, në të mënjanuarit e në të shpërngulurit, e na bën thirrje ta ndajmë me ta ç’të kemi e nganjëherë, të heqim dorë nga diçka prej mirëqënies, që na rrethon. Karakteri shumëkulturor i shoqërive të sotme, vijon Ati i Shenjtë, e inkurajon Kishën të marrë përsipër angazhime të reja solidariteti, bashkimi e ungjillëzimi. Nuk mund të mjaftojë toleranca e thjeshtë, kërkon me forcë Papa, Kisha është e thirrur t’i kapërcejë kufijtë e të favorizojë kalimin nga qëndrimi në mbrojtje e plot frikë, në një sjellje, e cila ka për bazë kulturën e takimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.