2014-09-22 18:05:56

Atë Lombardi: Shqipëria preku zemrën e Papës


Vizita në Shqipëri i krijoi Papës Françesku kushtet për ta zbuluar nga afër historinë dhe shpirtin e Shqipërisë, të ishte pranë një populli, që nuk i harron plagët e veta, por që, prej kohe, ka hyrë në rrugën e pajtimit.RealAudioMP3
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, drejtor i përgjithshëm i Radios sonë, atë Federiko Lombardi, e përmbledh këtë shtegtim kaq të ngarkuar me ngjarje, duke nisur nga përqafimi i Papës me njerëzit e Kishës, që shpëtuan gjallë nga prova e madhe e persekutimit komunist:
Përgjigje: Nuk më befasoi aspak ky çast thellësisht emocional, sepse tema e martirizimit, e dëshmisë së fesë në situata tepër të vështira, është temë, që Papa e ndjen shumë; e të gjithë e ndjejmë, me të. E provuam këtë në Kore, kohët e fundit, edhe pse ishte fjala për një martirizim tashmë të largët në kohë. Ndërsa në Shqipëri ky martirizim është tejet i afërt e patëm edhe takimin me dëshmitarët, që nuk ishin martirë, në kuptimin se nuk e humbën jetën, por gjithsesi, jetuan një jetë, që u ngjet shumë asaj të martirëve, të cilët e humbën gjatë persekutimit. Tani, në këtë ditë, prania e martirizimit ishte vërtet e ndjeshme, e fortë. Shihej në paraqitjen e bukur, që i bënë shqiptarët, me foto të mëdha, 40 martirëve, çështja e lumnimit të të cilëve është në vijim, varur përgjatë Bulevardit, që u përshkua gjithë ditën e që çonte pikërisht përballë selisë së meshës, e para Pallatit Presidencial. E kjo na shkaktoi emocione të mëdha. Edhe ne na emocionoi shumë. Ata e dinë mirë historinë e tyre, por fytyrat konkrete të 40 martirëve, që pritet të lumnohen, i bënë më të pranishëm se kurrë mes të vetëve e të huajve. Fytyrat e tyre përgjatë bulevardit bënë një përshtypje vërtet të madhe. U krijuan të gjithëve ndjesinë e pranisë së asaj kohe, të cilën e jetuan në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të kaluar. E edhe Papa e jetoi fort. E kur pati përballë dy përfaqësues të martirëve, dy dëshmitarë, që me thjeshtësinë më të madhe treguan çaste nga jeta e tyre, emocioni ishte tejet i madh: i Papës e yni. Kujtoj se edhe gjatë kungimit, në mëngjes, dëgjuam një këngë në shqip, që shumë nuk e kuptuan ç’donte të thoshte. Ishin fjalët e Shën Palit nga Letra drejtuar Romakëve: “Kush do të na ndajë nga Krishti? Kush do të na ndajë nga dashuria e tij? Vuajtja ndoshta, ndoshta shpata? As vdekja, as jeta nuk do të na ndajë nga dashuria në Krishtin Zot”. Tejet e bukur, kjo këngë, e kënduar përballë figurave të martirëve. Më preku thellë në shpirt, e emocione të tilla jetoi edhe Papa, pasdite, duke takuar e duke përqafuar dy dëshmitarët. Ishte e natyrshme, pastaj, që Papa të fliste nga thellësia e zemrës. Papa tha edhe dy shprehje tepër të bukura, kur kujtoi se po shkonte shpirtërisht tek ai mur i Varrezës së Shkodrës, ku u pushkatuan disa martirë e që ne i kujtuam dje. E kështu kujtoi edhe Shkodrën, qendër e jetës katolike në Shqipëri, e martirizmin e bijve të saj. Besoj se fjalimi i Presidentit ishte një hyrje e bukur e këtij udhëtimi, me kujtimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë e Kishës, e edhe të periudhës së persekutimit. Personalisht jam mirënjohës e edhe i prekur nga fakti se Presidenti kujtoi zërin e Radio Vatikanit, si zë që arrinte nga Roma, duke u sjellë shqiptarëve të persekutuar mesazhet ngushëlluese të Papës. E prandaj edhe në të kaluarën Kryeministri i Shqipërisë na solli këtu, Urdhërin më të lartë të vendit, “Nënë Tereza”, pikërisht për shërbimin, që kreu në atë kohë Radio Vatikani. Ja, pra, martirizmi e persekutimi janë në historinë e Kishës e në jetën e Kishës, pika mbështetjeje absolutisht themelore. Janë këto, në të cilat dashuria për Krishtin e dashuria e Krishtit për ne, shprehet në mënyrë më të thellë e më të plotë. Nuk është për t’u çuditur, prandaj, madje do të ishte për t’u çuditur po të mos ishin çastet më të ndjera në përvojën e Papës gjatë shtegtimeve, si ky.







All the contents on this site are copyrighted ©.