2014-09-21 19:45:33

Vizita e Papës Françesku në Shqipëri: Takim me fëmijët e Qendrës Betania (Tekst i plotë)


Të dashur miq të Qendrës Betania.

Ju falënderoj nga zemra për pritjen tuaj të gëzueshme! E sidomos, ju falënderoj për pritjen, që u bëni këtu çdo ditë shumë fëmijëve e të rinjve, të cilët kanë nevojë për kujdes, ngrohtësi, mjedis të qetë, fytyra mike, edukatorë të vërtetë, shembuj jete e mbështetje.
Në vende si ky, përforcohemi të gjithë në fe, të gjithë ndihmohemi për të besuar, sepse e shikojmë sesi feja bëhet dashuri konkrete. E shikojmë duke rrezatuar dritë e shpresë në situata ngushticash të rënda, e shikojmë duke u rindezur në zemrën e njerëzve të prekur nga Shpirti i Jezusit, që thoshte “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua”(Mk 9,37). Kjo fe, që vepron me anë të bamirësisë, i tund malet e indiferencës, të mosbesimit, të kotjes, i hap zemra e duar për të bërë mirë e për ta përhapur të mirën. Përmes gjesteve të përvuajtura e të thjeshta të shërbimit ndaj më të vegjëlve kalon Lajmi i Mirë, lajmi se Jezusi u ngjall e jeton ndërmjet nesh.
Kjo Qendër, veç tjerash, dëshmon se bashkëjetesa paqësore e vëllazërore ndërmjet njerëzve, që u përkasin etnive dhe besimeve të ndryshme fetare, është e mundshme! Këtu larmitë nuk e prishin harmoninë, gëzimin, paqen, përkundrazi, bëhen rast për njohje të thellë e mirëkuptim të ndërsjellë. Përvojat e ndryshme fetare i hapin zemrat, për të ndjerë dashuri plot respekt e fryt ndaj të afërmit; çdo bashkësi fetare flet me gjuhën e dashurisë e jo të dhunës e nuk turpërohet aspak nga mirësia. Mirësia, atij që e rrit në shpirt, i dhuron ndërgjegje të qetë, gëzim të thellë, edhe në mes të vështirësive e moskuptimeve. Madje, edhe përballë fyerjeve, mirësia nuk është ligështi, por forcë e vërtetë, e aftë të heqë dorë nga hakmarrja.
E mira shpërblen vetveten e na afron pranë Zotit, të Mirës së Pambaruar, na bën të mendojmë si Ai, na bën ta shikojmë realitetin e jetës sonë, në dritën e planit të dashurisë për secilin nga ne, na bën të shijojmë gëzime të vogla ditë për ditë e na ndihmon në vështirësi e në prova. E mira paguan pambarimisht më shumë se paraja, që di veç të zhgënjejë, sepse u krijuam për të pranuar dashurinë e Hyjit e për të dhuruar dashuri, e jo për ta matur çdo gjë me kutin e parasë a të pushtetit.
Të dashur miq, Drejtoresha juaj, në përshëndetjen e saj, kujtoi etapat e kryera nga Shoqata juaj e veprat e lindura nga intuita e themelueses, Zonjës Antonietta Vitale - të cilën e pëshëndes përzemërsisht dhe e falënderoj për pritjen – dhe vuri në dukje ndihmën e bamirësve e përparimin e nismave të ndryshme. Kujtoi edhe fëmijët e shumtë, që u pranuan e u përkujdesën me dashuri. Ndërsa Mirjani dëshmoi përvojën personale, mrekullimin dhe mirënjohjen për një takim, që ia shndërroi jetën e i hapi horizonte të reja, duke e bërë të takojë miq të rinj e, sidomos, një Mik edhe më të madh e më të mirë se të tjerët: Jezusin. Ai tha edhe një gjë shumë kuptimplote për vullnetarët, që japin këtu ndihmëne tyre. Tha: “Që prej 15 vjetësh flijohen me gëzim për dashurinë ndaj Jezusit e dashurinë ndaj nesh”. Është një frazë që tregon sesi dhurimi për dashuri të Jezusit ngjall gëzim e shpresë e
sesi shërbimi ndaj vëllezërve shndërrohet në mbretërim së bashku me Hyjin. Këto fjalë të Mirjan Palit mund t’i duken paradossale një pjese të mirë të botës sonë, që nuk e ka të lehtë t’i kuptojë, prandaj e kërkon ethshëm në pasuritë tokësore, në pasje e dëfrim, parë si qëllim në vetvete, kyçin e jetës së vet, duke gjetur, ndërkaq, vetëm tjetërsim e trullosje.
Sekreti i jetës së realizuar zbulohet duke dashur e duke u dhuruar për dashuri. Atëherë gjendet edhe forca ”për t’u flijuar me gëzim” e deri puna më e rëndë, bëhet burim i një gëzimi më të madh. Atëhere nuk të trembin zgjedhjet përfundimtare të udhës së jetës, por duken në dritën e tyre të vërtetë, si mënyrë për të realizuar plotësisht lirinë vetjake.
Zoti Jezus e Nëna e Tij, Virgjëra Mari, e bekoftë Shoqatën tuaj, këtë Qendër të Betanisë dhe qendrat e tjera, që dashuria e krishterë i bëri të dalin në dritë e Provania, të rriten. I bekoftë të gjithë vullnetarët, bamirësit, fëmijët e adoleshentët, që jetojnë nën këtë strehë. Pajtori juaj, Shën Andou i Padovës, ju shoqërofë në udhën tuaj! Vijoni t’i shërbeni Zotit Jezus, me besim, në të varfrit e të braktisurit, e ta lusni që zemrat e mendjet e të gjithëve ta pranojnë të mirën, dashurinë vepruese, burim i gëzimit të vërtetë, të mirëfilltë. Ju lutem të më kujtoni në uratë e ju bekoj me gjithë zemër!








All the contents on this site are copyrighted ©.