2014-09-21 20:01:55

Papa në Shqipëri: “Sot i prekëm me dorë martirët”


Zgjodhëm si titull përfundimtar për programin e 21 shtatorit, ndonëse tepër e vështirë ta përmbledhësh nën një titull të vetëm, fjalët kuptimplote të Papës Françesku: "Sot kemi prekur me dorë martirët"
Të tjerat mund t’i prekni me dorë, duke ndjekur programin tonë të kësaj dite të papërsëritshme, të paharrueshme, tashmë historike, e stërngarkuar me veprimtari. RealAudioMP3
Pas drekës, në Nunciaturën Apostolike, në orën 16.00, takimi me krerët e feve dhe të bashkësive të tjera të krishtera në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, shkollë e lartë private, e ngritur më 2004, një nga nismat e para të arsimit privat në Shqipëri.Në takim morën pjesë përfaqësuesit bashkësive më të mëdha fetare: Kreu i Komunitetit Mysliman, Skender Bruçaj; kreu i Kishës Autoqefale Ortodokse, Anastas Janullatos; Presidenti i Vellazerise Ungjillore te Shqiperise, Ali Kurti; Kryegjyshi i bektashijve Baba Edmond Brahimaj, ose Baba Mondi, siç njihet.
Takimin e drejtoi imzot Anxhelo Masafra, që ia paraqiti pjesëmarrësit Papës. Françesku i përshëndeti përzemërsisht, ata dhe bashkësitë, që përfaqësojnë. E quajti të rëndësishme praninë e tyre, shenjë e dialogut që jetohet ditë për ditë, në përpjekjen për të lidhur me njëri-tjetrin marrëdhënie bashkëpunimi vëllazëror, për të mirën e mbarë shoqërisë. Si kujtoi dhunën dhe dramat, që shkaktoi përjashtimi përdhuni i Hyjit nga jeta vetjake dhe shoqërore në Shqipëri, Papa nënvizoi:
“Kur, në emër të një ideologjie, synohet përjashtimi i Hyjit nga shoqëria, arrijmë të adhurojmë të tjerë idhuj e shumë shpejt edhe vetë njeriu përhumbet, i nëpërkëmbet dinjiteti e i dhunohen të drejtat. Ju e dini mirë çfarë mizorie mund të shkaktojë mohimi i lirisë së ndërgjegjes e i lirisë fetare dhe si, nga të tilla plagë, natyra njerëzore varfërohet gjer në palcë, sepse i mungon shpresa dhe pikësynimet ideale”.
Më pas, kujtimi i vizitës së Gjon Palit II:
“Sikurse pati pohuar Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri më 1993, “liria fetare nuk është vetëm dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë: ajo është dhuratë për të gjithë, sepse është garancia që qëndron në themel të çdo shprehjeje tjetër të lirisë. Asgjë më shumë se feja nuk na kujton se, po të kemi një krijues të vetëm, jemi edhe vëllezër, të gjithë! Liria fetare është mburojë kundër të gjithë totalitarizmave dhe ndihmesë vendimtare për vëllazërinë njerëzore” (Mesazhi drejtuar kombit shqiptar 25 prill 1993).
Por, kujtoi më pas, Liria e vërtetë fetare i shmanget tundimit të mostolerancës e të sektarizmit dhe mbështet qëndrimet e respektit dhe të dialogut konstruktiv”:
“Feja e vërtetë është burim paqeje e jo dhune! Askush nuk mund ta përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është sakrilegj i madh! Të diskriminosh në emër të Hyjit është çnjerëzore”.
Prej këndej, ftesa që të gjithë, të frymëzuar nga vlerat e traditave të veta fetare, të japin një ndihmesë të rëndësishme, madje të pazëvëndësueshme. Ky është një truall veçanërisht pjellor edhe për dialogun ndërfetar, nënvizoi Ati i Shenjtë, për të bërë, më pas, thirrjen:
“Ju bëj thirrje ta mbani dhe ta thelloni traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbimin ndaj atdheut tuaj të shtrenjtë. Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare. E lutuni edhe për mua”.

Në orën 17.00 Papa shkoi në Katedralen e Shën Palit, ndërtuar pas diktaturës e kushtuar më 26 janar 2002, ku kremtoi lutjet mbrëmësore, me meshtarë, rregulltarë, rregulltare, seminaristë dhe me lëvizjet e laikëve. Të ndjekim shërbimin e Klaudia Bumçit:
"Edhe njё herё Papa Françesku lё mёnjanё fletёt e fjalimit tё pёrgatitur, pёr t’u folur njerёzve drejtpёrdrejt, siç i dikton zemra. Ndodhi nё katedralen e Shёn Palit nё Tiranё, gjatё Lutjeve Mbrёmёsore, veprimtaria e dytё nё pasditen e vizitёs sё Atit tё Shenjtё nё Shqipёri. Pasi dёgjoi dёshmitё e don Ernest Troshanit e tё motёr Marie Kaletёs, stigmatine, Papa Françesku nuk mundi tё mos pёrlotej, ndёrsa u shtrёngonte atyre dorёn e i pёrqafonte.
“Jam befasuar shumё, …nuk e dija qё populli juaj ka vuajtur kaq shumё”, kёshtu u shpreh Papa, pasi dёgjoi dёshmitё e pasi tregoi se ishte pёrgatitur pёr udhёtimin nё Shqipёri, duke lexuar dy libra mbi persekutimin e Kishёs, qё njё dorё e kujdesshme shqiptari ia kishte zgjedhur e ia kishte dhёnё.
Ati i Shenjtё lexoi edhe njё herё pjesё nga Letra II drejtuar Korintasve, ku flitet pёr ngushёllimin e Hyjit. I mahnitur me thjeshtёsinё, me tё cilёn don Ernest Troshani dhe motёr Marie Kaleta, tё dy 85 vjeçarё, folёn pёr torturat e pёr pёrvojёn e tyre tё fesё gjatё komunizimit, Ati i Shenjtё pyeti: “Si ia kanё bёrё pёr tё mbijetuar?”. Gati pёrgjigjia: “Zoti ёshtё ai, qё ngushёllon”. Kanё vuajtur shumё e kanё jetuar me ankth, por Zoti i ngushёllonte.
“Edhe gjithё Kisha lutej pёr ta… Hyji ngushёllon nё pёrvuajtёri e nё fshehtёsi, …nё thellёsinё e zemrёs, duke ua forcuar qёndrueshmёrinё”, vijoi Papa Françesku. “Ata nuk mburren, por na thonё edhe neve, meshtarёve, rregulltarёve, novicёve, qё e ndjekim Hyjin mё nga afёr, se Ai ёshtё i vetmi ngushёllim… Nuk jemi meshtarё, rregulltarё e novicё, nёse nuk kёrkojmё ngushёllim tek Zoti”.
Nuk dua t’ju gjykoj sot, nuk dua t’ju tregoj shkopin, qeshi Ati i Shenjtё, por mjerё ju, nёse kёrkoni ngushёllim gjetiu. Pikёrisht, me ngushёllimin, qё gjejmё tek Zoti, ne, tha Papa duke pёrfshirё edhe vetveten, mund t’i lehtёsojmё shpirtёrisht tё tjerёt e t’i ngushёllojmё, siç kanё bёrё dёshmitarёt, qё folёn sot nё meshё.
T’i kujtojmё edhe njё herё dёshmitё e tyre. Fillimisht don Ernest Troshani, tejet i emocionuar, tregon pёr torturat, qё i ёshtё dashur tё durojё:
“…mё 24 dhjetor 1963, sapo mbarova sё kremtuari meshёn, nё prag tё Krishtlindjes, nё fashtin Barbullush, pranё Shkodrёs, mbёrritёn katёr oficerё tё sigurimit e mё dhanё dekretin pёr arrestimin e pёr pushkatimin. Mё vunё prangat, duke m’i lidhur krahёt pas shpinёs e duke mё gjuajtur me shkelma, mё futёn nё makinёn e tyre. Nga kisha mё çuan nё dhomёn e izolimit, ku mё lanё pёr tre muaj, nё kushte çnjerёzore. Kёshtu tё lidhur, mё çuan nё hetuesi. Kryetari mё tha: ‘Ti do tё varesh si armik, sepse i ke thёnё popullit se do tё vdesim tё gjithё pёr Krishtin, nёse ёshtё e nevojshme’. Mё shtrёnguan hekurat nё duar kaq fort, sa m’u ndalёn rrahjet e zemrёs e gati vdiqa. Donin qё unё tё flisja kundёr Kishёs e hierarkisё sё Kishёs. Unё nuk pranova”.
Mё pas, motёr Maria Kaleta, stigmatine, nga e cila po zgjedhim pjesёn, ku tregon se edhe gjatё komunizmit, ёshtё sjellё si murgeshё, pa harruar detyrat e fesё e mbarshtimin e Sakramenteve, edhe pse me rrezik jete:
“Po kthehesha nё shtёpi nga puna nё bujqёsi. Gjatё rrugёs dёgjova njё zё, qё mё thёrriste. Njё grua me njё fёmijё nё krah m’u afrua me vrap. Mё kёrkoi t’i pagёzoja fёmijёn, qё kishte nё krah. Nga frika, sepse e dija se ishte gruaja e njё komunisti, i thashё se nuk kisha me se ta pagёzoja, pasi ishim nё rrugё. Por nga dёshira e madhe qё kishte, mё tha se nё kanalin aty pranё kishte ujё. Por unё i thashtё se nuk kisha me se ta merrja ujin. Ajo ngulte kёmbё qё t’ia pagёzoja vajzёn e vogёl. Atёherё, duke parё fenё e saj, hoqa kёpucёn, e cila ishte plastike, e me tё mora ujin nga kanali dhe pagёzova fёmijёn. Pёrveç kёsaj, falё njohjes sё meshtarёve kam pasur fatin tё ruaj nё komodinin e shtёpisё tё Shenjtnueshmin Sakrament, tё cilin ua çoja tё sёmurёve gati pёr tё vdekur”.
Papa Françesku tregoi se i bёnё pёrshtypje fotografitё e martirёve, tё varura nё bulevardin e Tiranёs. Shpresojmё, qё kjo tё jetё nxitje pёr tё pёrshpejtuar procesin e lumnimit tё tyre, e sё shpejti t’i shohim tё ngritur nё nderimet e elterit.
Takimi i fundit i vizitës e Papës Françesku në Shqipëri: ai me fëmijët e Qendrës Betania, me të cilin do t’ju njohim në programin e nesërm, për t’u rikthyer në entuziazmin e paradites të sotme:
Papa arriti në orën 09.00, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Sapo preku tokën shqiptare, Nunci Apostolik, imzot Ramiro Moliner Inglés dhe kreu i protokollit u ngjitën në avion për ta përshëndetur. Për pritjen zyrtare, kishte dalë kryeministri, Edi Rama. Në orën 09.30, ceremonia e mirëseardhjes, në oborrin e Pallatit Presidencial, dhe vizita e kortezisë presidentit të Republikës në Studion e Gjelbër të Pallatit Presidencial.
Në orën 10.00, takimi me autoritetet, në Sallonin e pritjes së Pallatit Presidencial, dhe përshëndetja e Presidentit Bujar Nishani. Pastaj, fjalët e Papës:
“Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, tokë martirësh e tokë shqiponjash”.
Më pas, duke folur për të kaluarën, kujtoi kohën kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse, të lirisë. Kjo udhë, vijoi Françesku, i krijoi shoqërisë shqiptare mundësitë të niste ecjen përpara në rindërtimin material e shpirtëror, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet e afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë Botës:
“Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta. Respektimi i të drejtave njerëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një vendi. Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët”.
Papa i përgëzoi shqiptarët posaçërisht për një karakteristikë që, theksoi, duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Pastaj, një sintezë e arritjeve të Kishës katolike, pas dimrit të madh të izolimit:
“Kisha Katolike, nga ana e vet, mundi të rinisë jetën normale, duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë. U ndërtuan ose u rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, në Shkodër; u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence, në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen, me të drejtë, prandaj, jo vetëm si shërbim ndaj bashkësisë katolike, por ndaj mbarë kombit”. Kur Gjon Pali II vizitonte Shqipërinë, kishte përkrah Nënë Terezën. Sot Papa Vojtila është Shenjt e Nënë Tereza e Lume. Kështu i kujtoi Françesku Shën Karolin e të lumen Terezë, bashkë me martirët, që e dëshmuan fenë me heroizëm:
“... atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – e sigurisht galdojnë e luten në Qiell për punën e burrave dhe të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri”.
Më pas Papa theksoi sfidat e sotme të zhvillimit, që presin përgjigje.
Në përfundim të përshndetjes së parë drejtuar popullit shqiptar, Papa e falënderoi me gjithë zemër për mikpritjen e ngrohtë dhe, si Shën Gjon Pali II në prill të 1993-shit. Iu lut, pastaj, Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe ia besoi asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar:
“Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!”.

“...paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!”
Mesha e Papёs Françesku nё Shqipёri, kulmi i vizitёs, ishte veprimtaria e pritur vёrtet me padurim e me entuziazёm tё jashtёzakonshёm nga shqiptarёt. Jo vetёm u mbush plot e pёrplot sheshi “Nёnё Tereza”, por edhe bulevardi “Dёshmorёt e Kombit”, ku janё vendosur fotografitё e 40 martirёve tё Kishёs Katolike, qё presin pёrfundimin e çёshtjes sё lumnimit nga Kongregata e çёshtjeve tё shenjtorёve. Njё detaj i vogёl: frazat e shkruara nёn emrin e secilit prej martirёve janё marrё nga emisionet, qё programi shqip i Radio Vatikanit u ka kushtuar atyre. Myslimanёt u mblodhёn qё nё mёngjes nё xhaminё e Et’hem Beut pёr t’u lutur pёr Atin e Shenjtё. E katolikёt nuk mbaheshin nga gёzimi: RealAudioMP3
Papa nuk i zhgёnjeu shqiptarёt e menjёherё, duke komentuar Ungjillin e ditёs, nё sheshin, qё siç tha vetё, i ёshtё “kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës”, i pёrshёndeti si misionarёt: “Paqe nё kёtё shtёpi”. Ishte pikёrisht shembulli i 72 nxёnёsve, qё Jezusi i thirri pёrveç 12 apostujve, ai, qё vuri nё dukje Papa Françesku, duke nёnvizuar se nganjёherё gjatё historisё, kumtit tё paqes sё misionarёve, iu mbyll porta:
“Në një të kaluar jo të largët, edhe porta e vendit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e të ndalimeve të një sistemi, që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare. Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit”.
E pёrmend Shёn Palin Apostull, Ati i Shenjtё, i cili thotё nё letrat e tij se ka kaluar nga Iliria, ku pёrfshiheshin edhe trojet e Shqipёrisё sё sotme. Ungjillin e marrё nga Shёn Pali, shqiptarёt e ruajtёn me jetё edhe gjatё komunizmit. E mёse 250 mijё vetёve, tё pranishёm nё sheshin “Nёnё Tereza”, por edhe nё bulevardin e piketuar me monitorё, qё i ndihmuan njerzit tё ndiqnin meshёn, Papa Françesku u tregoi se e njeh mirё persekutimin e egёr kundёr katolikёve, ortodoksёve e myslimanёve. E ёshtё i vetёdijshёm edhe pёr murin e varrezёs sё Shkodrёs, ku u pushkatuan sa e sa vetё:
“Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I). Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.
Sot erdha t’ju jap zemër ta përfoconi shpresën në ju e rreth jush, vijoi Papa Françesku; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit; Ungjilli i Tij ju tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rrezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishtin i jep kuptim jetës së njerëzve, të çdo njeriu. E pastaj thirrja pёr tё rinjtё, qё duan tё ndjekin Jezusin:
“Posaçërisht u drejtohem të rinjve: mos kini frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtit, që ju fton ta ndiqni! Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve”.
E sё fundi, nga sheshi, ku katolikёt ishin shumica, pas largimit tё kureshtarёve; ku lutjet e besimtarёve u lexuan, ndёr tё tjerё, edhe nga njё i verbёr e nga njё vajzё rom; ku Papa vuri nё dukje se shqiponja e flamurit shqiptar fluturon lart, por kthehet gjithnjё nё folenё e vet; fjalё tё fuqishme pёr besimtarёt katolikё:
“Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm, në udhën e dashurisë, të lirisë, të drejtësisë e të paqes. Amen!”.
Atmosfera festive u ndje pavarёsisht nga shiu, qё i detyroi tё pranishmit tё hapin çadrat, por qё u konsiderua prej tyre “bereqet” e “bekim”. Nё Lutjen e Engjёllit tё Tёnzot, Papa Françesku iu drejtua sёrish tё rinjve:
“Mё thonё se Shqipёria ёshtё vendi me mё shumё tё rinj nё Evropё. Ju ftoj ta ndërtoni jetën mbi Jezu Krishtin: kush ndërton mbi Krishtin, ndërton mbi shkëmb, sepse Ai është gjithnjë besnik, edhe kur ne e shkelim besën (shih 2 Tm 2,13). … Me forcën e Ungjillit e me shembullin e martirëve, të dini t’i thoni “jo” idhujtarisë së parasë, “jo” lirisë së rreme individualiste, “jo” varësive e dhunës; e t’i thoni “po” kulturës së takimit e të solidaritetit, “po” bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta; “po” jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike edhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë”.
Edhe njё herё, mendja e Atit tё Shenjtё shkoi drejt popullit tё Shkodrёs, besimtarёt e tё cilit ishin nё shesh edhe me kostume kombёtare, duke uruar qё Papa, herёn tjetёr, tё vijё edhe nё qytetin verior, djep i katolicizmit:
“Po i drejtohemi tani Virgjërës Nënë, që e nderoni sidomos me titullin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Nisem shpirtërisht për në Shenjtoren e saj në Shkodër, që e doni aq shumë, e ia besoj gjithë Kishën në Shqipëri e mbarë popullin shqiptar, në veçanti, familjet, fëmijët e të moshuarit. Zoja ju priftё për të ecur “së bashku me Të, drejt shpresës që nuk zhgënjen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.