2014-09-21 10:47:15

Papa Françesku në Shqipëri: Fjalimi i mirëseardhjes (tekst i plotë)


Takimi me Presidentin e Republikës dhe me Trupin Diplomatik
Zoti President,
Zoti Kryeministër,
Të nderuar Anëtarë të Trupit Diplomatik,Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj,
Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat ta vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore.
Ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse, të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet e afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë Botës. Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta.
Respektimi i të drejtave njerëzore-respekti është fjalë themelore për ju- ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një vendi. Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët.
Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij.
Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!
Kjo që ndodh në Shqipëri tregon, përkundër, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që e urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë, është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike, të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve, duke e njohur dhe duke e nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë, të cilën duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi.
Zoti President, pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve, erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira e strukturave institucionale, është përforcuar pluralizmi demokratik dhe kjo ka ndihmuar edhe në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë vetë, veçanërisht në fillim, të shtyrë nga kërkimi për punë e për kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë, si e sa munden, për përparimin e shoqërisë shqiptare. Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda. Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme.
Kisha Katolike, nga ana e vet, mundi të rinisë jetën normale, duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë. U ndërtuan ose u rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, në Shkodër; u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence, në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen, me të drejtë, prandaj, jo vetëm si shërbim ndaj bashkësisë katolike, por ndaj mbarë kombit.
E lumja Nënë Tereza, bashkë me martirët që e dëshmuan fenë me heroizëm – atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – sigurisht galdojnë në Qiell për punën e burrave dhe të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri.
Mirëpo tani paraqiten të tjera sfida, që presin përgjigje. Në një botë që priret drejt globalizimit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja dhe zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu, ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, domethënë, nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin. Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit, që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen.
Falënderoj me gjithë zemër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe, si Shën Gjon Pali II në prill të 1993-shit, i lutem Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar.
Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!








All the contents on this site are copyrighted ©.